E mërkurë, 17 Gusht, 2022

ESCOBAR: KORRUPSIONI PROBLEMI NUMËR NJË NË BALLKAN

Sanksionet nuk janë mjeti primar i angazhimit amerikan në Ballkanin Perëndimor, por ato kanë efekt dhe do të ketë edhe më. Kështu ka deklaruar Gabriel Escobar, Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore dhe i dërguar i posaçëm amerikan për rajonin duke shtuar se korrupsioni është problemi kryesor në Ballkan. Diplomati amerikan, transmeton KDP  intervistën e tij për Zërin e Amerikës, ka paralajmëruar angazhim intensiv të administratës së presidentit Biden për zhbllokimin e dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës që zhvillohet nën kujdestarinë e Bashkimit Evropian.

Një vit pas hyrjes në Shtëpinë e Bardhë të Joe Bidenit, Zv/ndihmësekretari i Shtetit, Daniel Escobar, ka deklaruar se në administratën e re amerikane ka ndryshuar ‘vëllimi i vëmendjes për Ballkanin Perendimor’: ‘Ekziston një përpjekje e ripërtërirë që të angazhohemi sërish në të gjitha mekanizmat që ishin të suksesshëm, e ky është forcimi i Daytonit, të mbështetet dhe rivendoset dialogu ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, dhe që të bashkëpunojmë ngusht me partnerët tanë nga NATO-ja, për t’u siguruar që të mund të përmbushin detyrimet e tyre,’– ka deklaruar zyrtari i lartë amerikan në një intervistë për seksionin serb të Zërit të Amerikës duke shtuar se ‘në shumicën e kesaj kemi qenë të suksesshëm’.

I pyetur se cilat çështje ballkanike e shqetësojnë më shumë, Escobar ka përmendur si sfidë kryesore – korrupsionin: ‘Korrupsioni është me të vërtetë arsyeja pse shumë vende nuk kanë arritur përparim më të madh. Kjo është arsyeja pse pjesë të rajonit kanë probleme demografike, kështu që, më duhet të jem i sinqert, sa herë që takoj njerëz në diasporë, numri i madh i njerëzve të cilët braktisin rajonin – nuk largohet për shkak të problemve etnike. Nuk largohen për shkak se nuk duan të jetojnë në shtetet shumetnike. Largohen për shkak se nuk kanë mundësi për të ardhme përkatëse ekonomike pa lidhje korruptive. Pra, ky është problem numër një me të cilin përballet Ballkanike dhe po ashtu sfida më e madhe për sjelljen e investimeve të huaja direkte në rajon,’ – ka vlerësuar Escobar duke nënvizuar se me qëllim të ç’rrënjosjes së korrupsionit administrata amerikane ka për të vazhduar sanksionet të cilat, sipas tij, nuk janë kundër vendeve e as popujve të caktuar, por ‘kundër individëve thellësisht të implikuar në korrupsion’.

Duke folur për dialogun Kosovë-Serbi, Escobar është pyetur edhe a do të përfshihen më shumë SHBA-të në këtë proces dhe kur mund të pritet takimi i radhës i të dyja palëve: Siç e dini, Bashkimi Evropian është ndërmjetës në dialog dhe kështu duhet të mbetet, ndërsa ne e mbështesim plotësisht. Përsa i përket mënyrës sesi do të formohet rendi i ditës, kur do të caktohen takimet e radhës, këtë çështje do t’ua lija kolegëve të mi në Bashkimin Evropian që merren me të. Megjithatë, ne besojmë se palët duhet të bien dakord brenda strukturës së dialogut të udhëhequr nga BE-ja. Dhe, në këtë drejtim, çfarëdo që ata të bien dakord, ne do ta mbështesim zbatimin’- ka thënë zyrtari amerikan  duke nëvizuar interesimin e Uashingtonit që palët të bien dakord për zbatimin e marrëveshjeve të deritashme, por edhe që  të ‘ përparojnë aktivisht për zgjidhjen e disa prej çështjeve të hapura, përfshirë këtu personat e zhdukur, energjinë dhe çështje të tjera kyçe’.

Zv/Ndihmës Sekretari i Shtetit për Evropën Jugore dhe Qendrore, Gabriel Eskobar, ka  komentuar edhe zhvillimet në skenën politike malazeze dhe tensionet në koalicionin në pushtet, përfshirë këtu edhe qëndrimin për të ashtuquajturin Front Demokratik me orientim pro-serb e pro-rus: ‘U takon liderëve malazezë të vendosin nëse do të ketë qeveri të pakicës. Sa i përket Frontit Demokratik, ai u dëshmua si dikush që provokon ndasi, nxit tensione etnike, bllokon vazhdimisht reformat në parlament dhe kështu bllokon rrugën drejt Evropës. Po ashtu, në të kaluarën ishte shumë kundër NATO-s dhe nuk qe i dobishëm me deklaratat e tij për Kosovën, kështu që nuk besoj se ka ndryshuar dhe nuk i konsiderojmë partnerë përkatës,’- citon KDP deklaratën e diplomatit amerikan për Zërin e Amerikës.

 

Të fundit