E diel, 22 Maj, 2022

ERDOGAN NË SHQIPËRI: Gëzimi i juaj është gëzimi ynë dhe hidhërimi i juaj është hidhërimi ynë

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan deklaroi sot se Turqia do të vijojë të qëndrojë përkrah Shqipërisë duke e mbështetur atë në çdo sfidë të saj, përcjell KDP.

Gjatë vizitës zyrtare në Shqipëti, ai qëndroi edhe në Kurbin, në lagjen e rilindur pas tërmetit. Kjo lagje u rindërtua nën kujdesin e posaçëm të Erdogan. “Duke qenë një popull i një vendi që ka përjetuar dhimbje të ngjashme shumë herë më parë, tërmetet e ndodhura në Shqipëri na lënduan zemrat tona, njëlloj si zemrat e popullit shqiptar”.

“Gëzimi i Shqipërisë është gëzimi ynë dhe hidhërimi i Shqipërisë është hidhërimi ynë. Kështu që mirëqenien dhe paqen tuaj e konsiderojmë të njëjtë si tonën”.

Ai tha se menjëherë pas tërmetit ishte angazhuar personalisht për t’iu gjendur pranë popullit shqiptar.

”Sapo morëm lajmin e hidhur për tërmetin jemi vënë në lëvizje për të ndarë dhimbjen e njerëzve të zonës së prekur nga tërmeti për t’u shëruar sadopak plagët e tyre. Ne si shtet duke u mobilizuar me mundësitë tona ju erdhëm në ndihmë. Siç edhe e theksoi miku im Rama: Vëllai i qëndron pranë vëllait kur ka nevojë e jo kur thirret. Ne menjëherë kemi dërguar materialet, pajisjet dhe ekipet teknike. Duke qenë në kontakt të vazhdueshëm me mikun tim kryeministrin Rama, kemi bërë të mundur ndjekjen nga afër të punimeve që sapo kishin filluar. Unë personalisht jam aktivizuar e mora iniciativën që gjatë këtij procesi t’i vinim në ndihmë Shqipërisë, nisëm kontaktet me komunitetin ndërkombëtar dhe Organizatën Islamike të Bashkëpunimit. Fakti që Turqia ishte një nga shtetet e para që i erdhi në ndihmë Shqipërisë është një dëshmi e qartë e këtij solidariteti të fortë mes nesh.
Për të lehtësuar sadopak dhimbjen e barrën e atyre familjeve të prekura nga tërmeti, Erdogan tha se u nënshkrua memorandumi i mirëkuptimit me kryeministrin Rama, përmes të cilit Turqia u angazhua që shtëpitë e rrënuara të rindërtoheshin nga zero. Në muajin korrik të vitit 2020 sapo nënshkruam memorandumin nisëm ndërtimin e kantierit, edhe pse kishte shpërthyer pandemia. Para 13 muajsh bëmë ceremoninë e hedhjes së themeleve të banesave. Dhe sot po i dorëzojmë 522 banesa me një vlerë afërsisht 42 milionë euro. T’i gëzoni këto banesa”, tha Erdogan.

Erdogan shprehu angazhimin e tij për vijimin më tej të miqësisë me Shqipërinë.
“Shenja e vëllazërisë nuk është kur ti të vish kur të thërrasin, por të qëndrosh pranë vëllait tënd kur ka nevojë. Ne do të vazhdojmë t’ju qëndrojmë pranë. Shpresoj që kjo miqësi me baza kaq të forta do të vazhdojë deri në pafundësi”, tha ai.

Presidenti turk po ashtu solli në vëmendje dhe faktin se Turqia ishte një ndër shtetet që iu gjend pranë Shqipërisë edhe në situatën e pandemisë.

“Gjatë pandemisë të gjitha shtetet e mëdha u mbyllën brenda. Ama ne nuk vepruam ashtu. Ne bëmë të kundërtën. Dolëm jashtë kufijve për të parë vëllezërit tanë e për t’u qëndruar pranë me çdo mundësi që kishim. Duke besuar fort në bekimet dhe në mirësinë e ndarjes me të tjerët dhe sidomos fuqisë së solidaritet, ne vijuam të mbështesim miqtë tanë në luftën kundër pandemisë dhe ndamë me ta të gjitha mundësitë që kishim”, u shpreh Erdogan.

Një tjetër moment që tregon miqësinë midis dy vendeve, sipas presidentit turk Erdogan, ishte edhe spitali rajonal Memorial i Fierit.

“Si produkt i këtij solidariteti miqësor e

vëllazëror kemi spitalin rajonal të Fierit Turqi-Shqipëri, i cili u ndërtua brenda 68 ditëve. Ky spital, ku mora pjesë në ceremoninë e hapjes nëpërmjet videokonferencës, e quajtëm pikërisht Spitali i Miqësisë Turqi – Shqipëri, për të pasqyruar lidhjet e forta mes popujve tanë. E këtë spital, tashmë janë ekipet e mjekëve dhe infermierëve turq e shqiptar që punojnë krah për krah, për t’i shërbyer qytetarëve e për të përhapur sa më shumë shërim. Tani, me miqësinë tonë Turqi – Shqipëri, këtu me këtë inaugurim, me këtë ceremoni, po e kurorëzojmë akoma dhe më tutje”, tha Erdogan.

“Edhe një herë uroj, dëshiroj që këto apartamente, njësi banimi, banesa të jenë të dobishme, të sjellin dobi për të gjitha familjet shqiptare. T’i gëzoni! Uroj që të jetoni në këto banesa me mbarësi, me shëndet të plotë! Dua të përgëzoj të gjithë ata, të cilët kanë kontribuar në realizimin dhe finalizimin e këtij projekti, fillimisht Ministrinë tonë të Mjedisit dhe TOKI, si dhe kompaninë kontraktore, inxhinierët, punëtorët dhe gjithë të tjerët që kanë qëndruar korrektë në mbështetjen e tyre. Njëkohësisht një përshëndetje speciale do kisha dhe për mikun tim, për kryeministrin e Shqipërisë, zotin Edi Rama, që gjatë gjithë këtij procesi ka qëndruar pranë me çdo mundësi dhe me suportin e tij”, përfundoi fjalën e tij presidenti turk, Erdogan.

Të fundit