E diel, 22 Maj, 2022

VONESA TË REJA NË NDËRTIMIN E AUTOSTRADËS SHKUP-BLLACË

Shkruan: Valon Mani

 

Ndërtimi i pjesës së parë të autostradës Shkup-Bllacë po vonohet për gati gjashtë muaj. Autoritetet e Maqedonisë së Veriut në janar të vitit 2020 firmosën marrëveshjen me një kompani ndërtimore për nisjen e pjesës së parë të punimeve, konkretisht për ndërtimin e dy, nga gjithsej 12 kilometra por po shkelet afati.

“Është fakt se realizimi i këtij projekti në bazë të marrëveshjes ka qenë deri në fund të këtij viti, por duhet të potencojmë se për shkak të zhagitjeve deri në dhjetor të vitit 2020 nuk ishte bërë eksproprijimi në tërë trasenë, atëherë në atë kohë ne e bëmë dhe eksproprijimin, dhe filloi puna intensive, për atë arsye e kemi një vonesë pesë mujore“, deklaroi Ejup Rustemi, drejtor i NP “Rrugët Shtetërore”, për mediat.

Si rrjedhojë, autoritetet thonë se në vend që të përfundojë në dhjetor të vitit 2021, nëse nuk paraqiten probleme tjera, pjesa e parë do të përfundojë pas muajit prill të vitit 2022.

“Pritjet janë që faza e parë e ndërtimit të përfundojë në mesin e vitit të ardhshëm dhe të shpallet tenderi për ndërtimin e seksionit të dytë, me çka do të vazhdohet kjo pjesë deri në hyrje të Shkupit”, tha Bllagoj Boçvarski, ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

Kosova në maj të vitit 2019 inauguroi autostradën “Arbër Xhaferi”. Autostradë prej 60 kilometrave që shtrihet nga Prishtina deri në Han të Elezit, kufirin me Maqedoninë e Veriut. Shtetasit e dy vendeve me vite presin që autoritetet e Maqedonisë së Veriut të përfundojnë pjesën tjetër, gjegjësisht autostradën Shkup-Bllacë, me çka pritet të lidhen kryeqendrat e dy shteteve, Prishtina dhe Shkupi.

Nga NP “Rrugët Shtetërore” thonë se përveç shpronësimit, vonesat ka edhe për shkak të disa problemeve që janë paraqitur në pjesën ndërtimore, e që nuk janë paraparë në projektet fillestar nga realizuesi.

“Kemi edhe disa probleme, e kemi për murin mbajtës që nuk ishte i parapamë në projekt dhe nga pjesa e ndërtimit janë paraqitur disa probleme që nuk janë paraparë në projekt, dhe shpresoj që brenda këtij afati të dimrit të gjitha këto probleme t’i zgjedhim, nga aspekti i projektimit dhe revidimit të projekteve”, kishte theksuar Ejup Rustemi, drejtor i NP “Rrugët Shtetërore”.

SHPRONËSIMI I TOKAVE PËR PJESËN E PARË, NË GJYKATË

Fillimisht vonesat në ndërtimin e pjesës së parë të kësaj autostrade u arsyetuan edhe me procedurën e shpronësimit të 68 parcelave të tokës, në pronësi të banorëve të Bllacës. Edhe pse autoritetet deklaruan se shpronësimi për pjesën e parë ka përfunduar, ka banorë që tashmë kanë kontestuar vlerësimin e tokave të tyre.

“Të njëjtën tokë para gjashtë muajve komuna e ka vlerësuar 50 euro për metër katror prej komunës, ndërsa kur vjen shteti…për shpronësim, vjen me 400 denarë ofertë. Tash kemi dorëzuar lëndën në gjyq për shkak se nuk jemi pajtuar me çmimin. Tash presim ofertë të re që nuk ka ardhur ende”, tha njëri prej pronarëve të tokave në Lagjen Bardhi në Bllacë, me të cilin kontaktuam.

Në bisedë me avokatin e dhjetërave pronarëve të këtyre tokave, Mefail Arsllani, ai konfirmon se klientët e tij nuk janë të kënaqur me procesin e shpronësimit.

“Kem pasur ne seancat me Komisioni pronësorë-juridik dhe në prani të avokatit të shtetit ne kemi dhënë deklarata negative, tash Ligji e parasheh që lënda të përcillet në Gjykatën Civile. Gjykata Civile duhet ta udhëheqë këtë kontest gjyqësor, konkretisht Reparti jokontestimorë”, tha Arsllani.

Asllani thekson se janë kryer ekspertiza dhe se sipas tij, pronat janë nënvlerësuar nga autoritet.

“Kemi bërë edhe ekspertiza. Kemi marrë edhe çmimoren prej Agjencisë për kadastër, ku në fakt shihet një dallim i madh  në çmim,  do të  thotë me çmimin e ofruar dhe me çmimin që e ofron shteti. Tash presim seancën gjyqësore që të tregojmë këto lëshime që i ka bërë ministria e Financave gjatë procesit për shpronësim të këtyre tokave”, deklaroi avokati Arsllani.

Edhe pse punimet me ritme të ngadalta tashmë vazhdojnë për pjesën e parë, drejtor i NP “Rrugët Shtetërore” thotë se banorët e pakënaqur nga procesi i shpronësimit në pjesën e parë, do të marrin kompensimin financiar, në përputhje me vlerësimin e Gjykatës.

“Në momentin që gjyqi sjell një çmim të caktuar për parcelat adekuate, ne do ta bëjmë pagesën në bazë të vendimit që do të sjell gjykata. Kemi disa pjesë të disa parcelave që pronarët e parcelave nuk kanë qenë të kënaqur me çmimin që u është ofruar nga vlerësuesi shtetëror.  Për gjithë ata të cilët nuk janë pajtuar me çmimin e shpronësimit të asaj pjese, vazhdojnë proceset gjyqësore dhe në momentin që procesi gjyqësorë do të mbarojë dhe gjyqi do të vlerësojë për çmimin e asaj toke, kur do të vijë vendimi i gjyqit, ne do të bëjmë pagesën në bazë të vendimit gjyqësorë”, tha Ejup Rustemi, drejtor i NP “Rrugët Shtetërore”.

Ende nuk dihet nëse vonesa në pjesën e parë, do të vonojë punën për pjesën e dytë të kësaj autostrade, që shtrihet nga fshati Bllacë deri në Stenkovec duke përfunduar në hyrje të Shkupit, me një gjatësi prej mbi 10 kilometra. Kompetentët thonë se po përgatisin projektin për pjesën e dytë. Ministri i Transportit  dhe Lidhjeve, Bllagoj Boçvarski thotë se do të ishte sukses nëse në mesin e vitit të ardhshëm arrin të gjejë kompani kontraktuese për ndërtimin e pjesës së dytë.

“Projektet ideore kanë përfunduar. Studimet për ambientin jetësorë janë në përfundim. Në mesin e vitit të ardhshëm do të nënshkruhet procedurë për tenderim për ndërtimin edhe të kësaj pjese të dytë. Faza e dytë do të financohet me huamarrje nga BERZH (Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim) dhe grant investues nga VBIF”, ka deklaruar Bllagoja Boçvarski, ministër i Transportit dhe Lidhjeve.

Pjesa e parë e autostradës pritet të kushtojnë diku 15 milionë euro. Pjesa e dytë që kalon mbi 10 km, do t’i kushtojë shtetit mbi 100 milionë euro. Edhe pse kontaktuam disa herë, nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve, por edhe nga Ndërmarrja Publike  “Rrugët Shtetërore” refuzuan të japin përgjigje më të detajuara, dhe mbi gjitha t’i përgjigjen pyetjes kryesore, se kur inaugurimi i kësaj autostrade, lidhja përfundimtare me Prishtinën përmes autostradës “Arbër Xhaferi”.

INFRASTRUKTURA RRUGORE, PENGESË PËR ZHVILLIMIN EKONOMIK

Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri Perëndimore (OEMVP) thonë se ndërtimi i Autostradës Shkup – Bllacë është një element shumë i rëndësishëm ekonomik për vendin tonë, duke pasur parasysh se vendi ynë ka suficit tregtar me Kosovën.

“Me ndërtimin e kësaj autostrade do të stimulohej biznesi vendor edhe më tepër për eksport në Kosovë por edhe në shtetet tek të cilat mund të kemi qasje më të mirë përmes Kosovës, ku për fat të keq neve ende shfrytëzojmë atë kanal edhe për dalje në Republikën e Shqipërisë dhe në Adriatik. Po ashtu do të përmirësojë qarkullimin e fuqisë punëtore me çka mund të eliminojmë hendekun e madh mes kërkesës dhe ofertës për fuqi punëtore”, tha Durim Zekiri nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri Perëndimore.

Nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri Perëndimore thonë se në tre vitet e fundit eksporti në Republikën e Kosovës ka shënuar rënie, ndërkaq importet nga atje janë rritur, ndërsa ndërtimi i kësaj autostrade do të paraqiste stimul shtesë të bizneseve kosovare për të u afruar në tregun tonë.

“Në vitin 2019 kemi eksportuar rreth 338 milion dollarë , në vitin 2020, 267 milion dollarë, ndërsa deri në muajin e 9-të  të vitit 2021 kemi eksportuar 256 milion dollarë. Importet nga Kosova në vitin 2021 janë dyfishuar nga 33 milion në vitin 2019 në 67 milion dollarë në vitin 2021 deri në muajin shtator”, deklaroi Durim Zekiri nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veri Perëndimore.

Vendi shënon ngecje në ndërtimin e pothuajse të gjitha rrugëve dhe autostradave të reja dhe riparimin e atyre ekzistuese që na lidhin me fqinjët.

 

Ky artikull është produkt i projektit “Young Journalists’ Network” I implementuar nga Democracy Lab. Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.

Të fundit