E premte, 19 Gusht, 2022

Skizofrenët virtual të partive politike  

Autor: Sefer Selimi Jr.*

 

Ndryshe nga 10 vjet më parë sot jeta jonë është një realitet hibrid në mes botës reale dhe asaj virtuale, një ndërveprim i pashkëputshëm me ndikim reciprok duke diktuar pothuajse gjithçka, përfshirë edhe identitetin tonë individual dhe kolektiv. Nëse më parë duhej të lidheshim në internet për ta shijuar botën virtuale, sot duhet të shkëputemi për t’iu kthyer botës reale, ndërkohë që më afër i kemi miqtë që janë online se sa miqtë që i kemi në tavolinë.  Ky transformim i organizimit të jetës së përditshme, ndërtimit të relacioneve dhe ndërveprimit tonë kolektiv e individual është realiteti të cilit me apo pa dëshirë i përshtatemi. Si çdo evolucion shoqëror, përveç përfitimeve, edhe ky vjen me shumë të panjohura, rreziqe dhe sfida për të cilat do të duhet të paguajmë një kosto, vlerën e përafërt të së cilës do të mund ta përllogarisim nga një distancë më e largët kohore, që t’i tejkalojmë ato. 

E vërteta e kësaj epoke është që ne jetojmë disa jetë paralele përskaj asaj reales, të ndërtuara varësisht nga platforma ku e zhvillojmë atë. Por cinizmi qëndron aty se edhe përskaj disa jetëve paralele shumë njerëz nuk janë të përmbushur dhe krijojnë jetë paralele në jetët e tyre paralele – profile të rrejshme. Kjo skizofreni virtuale është po aq e rrezikshme sa ajo në botën reale dhe pasojat që vinë prej saj mund të kenë, dhe kanë pasur, ndikim në jetët tona. 

Kësaj radhe nuk do të flasim për maniakët që vjedhin identitetin e dikujt tjetër për ta sabotuar integritetin e tyre, as për pedofilët, as për histerikët, as për dashnorët e martuar që duan të tradhtojnë, as për intrigantët që duan të ndërhynë mes palëve, as për zhvatësit dhe shumë skizofrenë tjerë virtual. Kësaj radhe do të flasim për skizofrenët virtual të partive politike. Ata janë gjithmonë rreth nesh duke na ndjekur hap pas hapi, duke vëzhguar çdo postim tonin, çdo pëlqim, shpërndarje, fotografi. Numri i tyre shtohet dukshëm gjatë rasteve të veçanta, sidomos kur partia ka krizë në marrëdhëniet me publikun dhe veçanërisht kur vjen fushata zgjedhore. Është koha kur vërshon lumi i kërkesave për miqësi, nga vajza  me gjokse bombastike, vajza me dukje të zakonshme, djem e burra me tipare të përafërta të sojit tonë e deri tek ata të cilët shfaqin hapur skizofreninë e tyre duke vendosur fotografinë e liderit të partisë në foton e profilit. Ndryshe nga personat e vërtetë që me të drejtën e tyre të plotë e legjitime mbështesin një parti, lider apo person të caktuar ashtu siç kanë edhe të drejtën të jenë kundër dhe ti kritikojnë, skizofrenët virtual të partive politik janë zuzarë pa guxim dhe dinjitet, të kapur në vogëlsinë e babëzisë dhe interesit personal për ti shërbyer verbërisht partisë. Janë tellallët e rrenës që luftojnë kundër të vërtetës, makiavelist që nuk kursejnë asgjë për të arritur qëllimin, sahanlëpirës që shkelin mbi dinjitetin e gjithkujt për të marrë lavde nga partia. Rangu i tyre brenda partisë varion nga anëtar i thjeshtë e deri tek kryesitë, mbase ndokund edhe deri tek vetë lideri. 

Skizofrenët virtual të partive janë të zotët të lëvdojnë, thurin lavde e të ekzagjerojnë sukseset e partisë edhe kur ato nuk ekzistojnë.  Ata janë të zellshëm për të sharë, kritikuar e hedhur baltë mbi kundërshtarin politik. Nuk përtojnë të hynë në debate të gjata e të ashpra me këdo që është kundër partisë, madje më të bukura janë debatet me kolegët e tyre skizofrenë virtual nga partia kundërshtare. Ata janë kalorësit e kampanjave të zeza, denigruese dhe të gënjeshtrave. 

Por më shumë se gjithçka ata i tmerron kur dikush ka qëndrime të pavarura, që nuk i shërben një partie të caktuar por mundohet të jetë racional, më afër të vërtetës, pa hile e pa interes nga partia. Për skizofrenët virtual është e pakapshme se dikush mund të ketë mendim që nuk buron nga shtabi partiak apo nga grupet e fshehta në FaceBook që sot luajnë rolin e qarkores informative të partisë. Për ata është e pamundur që dikush mund të ndërtoj qëndrim mbi parime, mbi ide në të cilat beson. Për ata ka vetëm një të vërtetë dhe ajo është e vërteta e partisë prandaj verbërisht, pa zgjedhur ideologji, mjet, kohë e mënyrë ata e luftojnë mendimin e lirë, të pavarur më shumë se çdo gjë tjetër sepse mendimi i lirë mund t’i çliroj një ditë edhe ata nga partia e pa partinë ato janë një hiç. 

Skizofrenët virtual janë të zëshëm, zhurmues që kapin plotë hapësirë në debatin publik online. Tani është sezoni i tyre, të dëshmohen para liderit dhe partisë. Andaj të trimëruar nga fshehja pas një identiteti të rremë do të sulmojnë, do të denigrojnë dhe të mundohen të mbysin çdo kënd që do të mundohet të sjellë kthjelltësi në mendimin publik. Dhe mbase mund të korrin ndonjë fitore, por fitoret e tyre janë të rreme, ashtu siç janë edhe vetë ata.  

 

*Ky tekst fillimisht është botuar më 20 shkurt 2020. Ribotohet për shkak se ende është aktual.

Të fundit