E shtunë, 28 Janar, 2023

INTERVISTA E FUNDIT I IMER IMERIT: ÇFARË THA AI PËR MARRËVESHJEN E OHRIT?

Shkruan: Xhelal Neziri*

 

Në hapësirat ku ishte vendosur grupi parlamentar i partisë që drejtonte kishte tre zyra. Në zyrën e parë qëndronte sekretarja, një grua në moshë, thuajse e vetmja në administratën parlamentare që kishte raporte miqësore me gazetarët. Në anën e majtë ishte zyra ku qëndronin deputetët e partisë, kurse në të djathtën, koordinatori i grupit parlamentar dhe lideri i partisë.

Atë ditë zyrat thuajse ishin bosh. Përpara na u shfaq fytyra e qeshur, si gjithmonë, e sekretares. Duke i ngritur supet, sikur filloi të na kërkojë falje se atë ditë askush nuk kishte ardhur në zyrë. Por, para se të fillojë të flasë pa derën e harruar gjysmë të hapur të zyrës që ishte në anën e djathtë.  Nga pika ku ishim ndalë, dukej lideri i PPD-së Imer Imeri, i zhytur në analiza ngjarjeve historike nëpër të cilat kalonte vendi. Ishte mesi i gushtit të vitit 2001, kur Maqedonia u gjet buzë greminës shkaku i konfliktit të armatosur midis gueriles shqiptare, që kërkonte barabarësi, dhe forcave qeveritare që mbronin shtetin unitar. Dy ditë pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, e cila ndërpreu armiqësitë dhe solli paqen në vend, Imeri ishte kthyer në zyrën e tij në parlament dhe e kishte porositur sekretaren që mos të pranojë asnjë mysafir, e as t’i transferojë telefonatat , qofshin edhe nga ato më të rëndësishmet që vinin nga diplomatët e huaj. Por, dera e harruar hapur kishte pamundësuar sekretaren të na thotë se askush nuk ka rastisur në zyrat e partisë. Me zë të ulët e pyetëm nëse mund të hyjmë në zyrën e Imerit për të marrë deklaratë lidhur me epilogun e negociatave në Ohër. Me lëvizjen e syve ka dera e kryetarit, ajo na bëri me dije se mund të hyjmë. Kur trokita në derë duket se e ktheva nga meditimi. Kur e ktheu kokën kah dera e pa se ajo veçse ishte e hapur. Isha unë bashkë me dy kolegë që prisnim të na pranojë. Na dha shenjë me dorë që të futemi brenda. Pasi u përshëndet, i mori syzet që i kishte vendosur mbi tavolinën e zbrazur, dhe filluam bisedën. Pranoi të flasë për epilogun e negociatave, të cilat i vlerësoi si të suksesshme. Pasi përfunduam me bisedën zyrtare, me një sinqeritet të pazakontë për një politikan na tha se marrëveshja e arritur nuk përputhet me investimin e bërë. Por, shtoi se janë marrë vesh që mos të lëvizin nga qëndrimi që nënkupton përhapjen e optimizmit se të gjithë kanë dalë fitues me atë marrëveshje.

I zhgënjyer nga politika dhe i pakënaqur me angazhimin e tij, në maj të vitit 2002 Imeri dha dorëheqje të parevokueshme nga pozita e kryetarit të PPD-së. U tërhoq krejtësisht nga jeta politike dhe publike.

Më 13-gusht të vitit 2006 BDI-ja e Ali Ahmetit organizoi koktejin tani më tradicional për të shënuar 5-vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit. Kjo parti e dalë nga strukturat e gueriles shqiptare (UÇK) ishte në kulmin e përkrahjes. Ahmeti përjetohej nga shumica e shqiptarëve etnik si shpëtimtar që i nxori nga terri në dritë. Gjithnjë më qëndronte para syve imazhi i Imerit të ulur në tavolinën e punës e të humbur në evaluime dhe analiza. Fytyra e dëshpëruar e tij e cila u shfaq përtej derës së harruar gjysmë të hapur në zyrën e tij në parlament më nxiste të kërkoj një intervistë të hapur me të, ku gjërat tani më do thuheshin pa frikën se mund të rrënohet paqja.  Në shtator të po këtij viti bënim gati numrin e parë të javores “Nacional”. Ramë dakord që të nisim këtë projekt, nëse Imeri do të pajtohej të flasë hapur pas një kohe të gjatë.

Ai tashmë gjatë kohë ishte jashtë skenës politike, por figura e tij ndërlidhej me një moment historik. Ai vazhdon të jetë njëri nga pesë nënshkruesit e Marrëveshjes së Ohrit. Pranoi intervistën pa hamendje. Na ftoi të shkonim në Çegran të Gostivarit, te ambulanta e fshatit. Nuk e dinim nëse aty afër banon, apo takimi do të jetë në ndonjë nga lokalet e fshatit ku kishte lindur dhe banonte. Arritëm aty para kohe dhe u habitëm kur e pamë Imerin në korridorrin e ambulancës duke këshilluar pacientët e tij. Vërehej se ndjehej më i qetë nën bluzën e bardhë të mjekut dhe i çliruar nga përgjegjësia e kostumit të politikanit.

U gëzua që sërish u takuam. Kishin kaluar plot pesë vite dhe shumë gjëra kishin ndryshuar. Duke u futur në dhomën e kontrolleve, e cila në fakt ishte vendi i tij i punës, Imeri tregoi se, pasi kishte dhënë dorëheqjen nga posti i liderit partiak, i ishte kthyer profesionit të mjekut.

Ky njeri i përkorë, pesë vjet më pas rrëfen të fshehtat e bisedimeve në Ohër. Duket i qetë në rrëfimin e tij teksa rikujton shumë momente në procesin e bisedimeve. Nuk heziton të tregojë se gjatë kohë kjo “barrë” e ka tunduar brenda vetës.

“Dua të flas, për ta lehtësuar shpirtin”, tha ai, teksa e hodhi vështrimin përtej dritares së ambulancës, në një park ku nëpër stole ishin ulur nxënës të shkollës. Çdo fjalë të cilën ai e shqipton sikur përbënte një shkarkim, ndërkohë që fytyra e tij njëjtësohet qetësisht me pamjen e vendlindjes së tij, Çegranit.

“Marrëveshja e Ohrit është kompromis që ndërpreu konfliktin dhe gjakderdhjet. Gjithsesi se siguroi edhe një avancim të të drejtave të shqiptarëve. Presioni ishte madh nga ndërkombëtarët që ne të bënim kompromise dhe të vinim firmat tona aty. Ishin kompromise të dhimbshme, por u detyruam t’i bëjmë nga shkaku se, si palë shqiptare, nuk kishim ndonjë unitet të duhur politik e kombëtar. Kjo bëri që letra e fuqishme që kishim në duar të harxhohej pa çmimin e duhur. Për të ardhur në një situatë që të ulesh dhe të bisedosh me dikë për avancimin e të drejtave, nevojitet një punë dhe angazhim i madh. Se çka ndodhi gjatë dhe pas bisedimeve, kjo është krejtësisht çështje tjetër”.

Pasi përfundoi përgjigjen e parë mezi priste të dëgjojë pyetjet e radhës. Sikur dëshironte të zbardh të gjitha ato detaje, për të cilat mendonte se duhet t’i dijë opinioni.

“Pse mendoni se keni djegur “letrën e fuqishme” gjatë negociatave? Është mundur të sigurohet një pozitë më e avancuar?”, e pyetëm me kureshtje.

“Versioni i parë i draft marrëveshjes u hartua nga ndërkombëtarët. Ai version ishte shumë më i avancuar se ky që e kemi tash si marrëveshje. Rezistenca e palës maqedonase ndaj versionit të parë ishte shumë e madhe. Shqiptarët ranë pre e asaj rezistence dhe lëshuan pe dhe u pajtuan që atë version ta reduktojnë, ta përmirësojnë dhe ta sjellin në suaza të asaj që e kemi sot. Në kushtetutë gjuha shqipe është zyrtare, por e lidhur me një litar që do të thotë se duhet të sillet ligj. Këtu ishte gabimi jonë. Nëse është zyrtare, atëherë nuk nevojitej të shtohej asgjë

tjetër. Pra nuk duhej të lihej që sërish të rregullohej me ligj, sepse kushtetuta

është mbi të gjitha ligjet. Kaluan pesë vjet, mirëpo edhe me ligj nuk u rregullua”.

Imeri, midis tjerash, gjatë negociatave kishte këmbëngulur të gjuha shqipe të rregullohet drejtpërdrejtë në kushtetutë, pa ndonjë ligj të veçantë.

Por, rrjedha e bisedimeve në Ohër kishte qenë e atillë që takimet midis palëve kishin ndodhur vetëm në seanca plenare. Ndërkombëtarët bisedimet i kishin zhvilluar veç e veç me secilën palë. Kur kishin konstatuar se ka pika të përafërta

atëherë i kishin organizuar takimet, ku secila palë ka nxjerrë argumentet e veta pro dhe kundër, derisa vulën sërish e kishin vendosur ndërkombëtarët. Kur kishin  konstatuar se nuk ka pajtueshmëri për një pikë të caktuar, ata ua kanë bërë me dije palëve se nëse nuk ka kompromis atëherë kalohet në çështjen tjetër të hapur, pa mos u kthyer sërish në pikat ku nuk ka pasur kompromis.

“Prandaj, edhe sot e kësaj dite më bren ndërgjegjja dhe i them vetes se a mundeshim të bënim më shumë. Këmbëngulësia ime herë-herë keqkuptohej. Nuk kuptohej drejtë nga partia tjetër, e cila realisht ishte në pushtet. Thoshin se unë bëj promovimin e partisë apo të personalitetit tim. Është për të ardhur keq se në momente të mëdha historike për shqiptarët gjithmonë kanë ndodhur këto gjëra”, tha Imeri.

“Thoni se ne pikat ku nuk arrihej kompromis kaloheshin dhe nuk ktheheshin bisedimet me aty. Nga këtu, cila çështje, sipas jush, mbeti e hapur dhe nuk u zgjidh me Marrëveshjen e Ohrit?”, ishte kjo pyetja e radhës.

Pa mos u menduar shumë, Imeri u përgjigj: “Pikërisht çështja e përdorimit të shqipes nuk u përkufizua si duhet, edhe pse shtizat thyheshin më shumë aty. Kjo ishte njëra nga pikat më të nxehta. Zgjidhja është kjo që e kemi sot. Më pastaj kaluam te problematika e policisë. Edhe aty nuk gjetëm gjuhë të përbashkët. Ndërkombëtarët mbyllnin një kapitull dhe thoshin se për sot është kaq, nesër shohim e bëjmë”.

Ai rikujton presionin që kishin ushtruar ndërkombëtarët me qëllim që sa më parë të arrihej marrëveshja.

“Presion bënin si Evropa ashtu edhe Amerika. Ato kanë luajtur edhe rolin e vet pozitiv në këtë proces, sepse pa ndihmën e atyre nuk do t’i kishim edhe këto të drejta që i kemi sot. Por, presioni mbi ne ka qenë dukshëm më i madh sesa mbi palën maqedonase. Ndoshta nga mungesa e përvojës, ndoshta nga zhvillimi i konfliktit apo nga ato fotografi ku shqiptarët qëndronin para policisë për të marrë pasaportë e të largohen nga Maqedonia…paraqisnin një presion tjetër psikologjik ndaj neve. Ai që ka mundësinë të ndalë konfliktin dhe gjakderdhjen, në një situatë të tillë, ka një dilemë dhe përgjegjësi të madhe”.

Në mbrëmje, si zakonisht, palët mblidheshin bashkë dhe propozonin te ndërkombëtarët se çfarë të bisedohet nesër. Ndërmjetësuesi amerikan,

Xhejms Perdju, e kishte pyetur palën maqedonase se çfarë propozimi kanë për ditën e ardhshme të negociatave. Ata kishin dëshiruar që sërish të ktheheshin te mekanizmi i konsensusit. Nuk kanë qenë të kënaqur nga parimi i Badinterit si mjet për mbrojtje nga majorizimi. Pardju ka qenë kategorik në përgjigjen e tij, duke hedhur poshtë propozimin. Lideri i PDSH-së, Arben Xhaferi, kishte kërkuar të negociohet edhe një herë problematika e përdorimit të gjuhës shqipe, pasi kishte mbetur e papërkufizuar. Perdju kishte refuzuar edhe këtë propozim.

“E pashë që te gjuha nuk dëshirojnë të kthehen. Andaj, unë theksova se na ka mbetur e hapur çështja e arsimit të lartë të shqiptarëve, pra e Universitetit të Tetovës. Ndërkombëtarët thanë se kjo mund të bisedohet dhe lejuan që të jetë në agjendën e nesërme”, tha Imeri.

Kur kishin shkuar në mëngjes në sallën e takimit,  Imeri dhe Xhaferi kishin parë z.Perdju duke mbajtur marrëveshjen në dorë dhe vetëm një sitilolaps. U kishte thënë se atë ditë s’do ketë bisedime, por vetëm nënshkrime të asaj që jemi marrë vesh. “Kur na hodhi marrëveshjet përpara z.Xhaferi e mori lapsin ta nënshkruajë. Unë u frikova nga përgjegjësia e madhe që kishim dhe ika nga ajo marrëveshje sikur të ikja nga ndonjë gjarpër. Nuk e nënshkrova sepse nuk bisedohej aty për mallin, livadhin dhe arën që mi ka lënë në trashëgimi babai im. Nuk u pajtova ta hedh firmën. Pas kësaj, nuk e nënshkroi as Xhaferi”.

Por, z. Perdju ia kishte tërhequr vërejtjen Imerit, duke i thënë se me këtë i sjell një fatkeqësi të madhe popullit të tij. Me një ton komandues, i kishte thënë të qëndrojë aty, të mendohet dhe të mos largohet nga vendi.

Imerit nuk i kishte ngelë asgjë tjetër, veçse të konsultohet me politikanët e Shqipërisë dhe Kosovës. Njëri pas tjetrit kishte kontaktuar me Fatos Nanon, Sali Berishën, Ibrahim Rugovën, Hashim Thaçin…

“Të gjithë ishin të prerë se patjetër të nënshkruhet marrëveshja. Ishin të vetëdijshëm për atë që është arritur, por thanë se është e mjaftueshme”.

Në fund Imeri e ka kërkuar edhe Ali Ahmetin. “Gjatë bisedës, e pyeta: çka bëjmë o burrë? Ai ma ktheu: Plak, nënshkruaje se nuk bën ndryshe, kurse përgjegjësinë e mbajmë bashkë. Pas kësaj fjale unë nuk kisha çka të kundërshtoja më, sepse i zoti i asaj dasme ishte Ali Ahmeti”.

Pas konsultimeve me liderët shqiptarë në Maqedoni Kosovë dhe Shqipëri, Imeri i kishte dhënë shenjë z.Perdju se dëshiron të kontaktoj me atë që t’i konfirmojë se do ta nënshkruajë marrëveshjen.

“Çka do të bëhet me UT-në”, e kishte pyetur Imeri z.Perdju gjatë kohës që kishte bërë gati stilolapsin për ta hedhë firmën në marrëveshje.

“Unë përfaqësoj Stejt-departamentin amerikan. Po të premtoj se universitet publik për shqiptarët do të ketë. Kur dhe si do ta bëjmë, tash nuk mund të të tregoj”, ia kishte kthyer diplomati amerikan.

“Kjo që the, a mund të futet në tekstin final të Marrëveshjes së Ohrit”, e kishte pyetur Imeri edhe një herë para se ta nënshkruaj.

“Nuk mundet”, i është përgjigjur Perdju. “Por, ke të drejtën që të thirresh në premtimin tim. Bile, nëse nuk me beson mund të më incizosh kur them se do të ketë universitet në gjuhën shqipe”.

“Po atëherë pse u brenë ndërgjegjja nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit?”, e pyetëm pasi përfundoi rëfimin për dialogun me z.Perdju.

“Asnjë çështje e hapur nuk është zgjidhur ashtu si është nevojitur të zgjidhet. Si përdorimi i gjuhës, çështja e policisë, flamurit…Nuk arritëm të sigurojmë garanci financiare nga faktori ndërkombëtar për implementimin e marrëveshjes. Nuk arritëm të përkufizojmë mekanizmin e formimit të qeverisë, ku kërkova që koalicioni qeverisës me automatizëm të krijohet nga dy partitë fituese të maqedonasit dhe shqiptarët. Kjo e fundit është më aktuale dhe, po ta kishim të shkruar, nuk do t’i kishim problemet që janë paraqitur sot. Arben Xhaferi dhe PDSH-ja kërkuan që të bëhet ndryshimi i nenit 6 të kushtetutës, ku do të garantohej që shqiptarët të kenë zv/presidentin e Republikës. Nuk kaloi as ky propozim. Gjuha shqipe duhej të ishte plotësisht e barabartë, si gjuhë e dytë zyrtare. Përfaqësimi proporcional duhej të bëhej konform përqindjes së shqiptarëve në Maqedoni”, u përgjigj Imeri.

Me një ndjenjë përgjegjësie, Imeri rikujtoi se pasi u nënshkrua marrëveshja u bë edhe një kompromis tjetër.

“Ndodhi ajo që nuk duhej të ndodhte. Xhaferi dhe Ahmeti lëshuan pe nën presionin e palës maqedonase, të cilët nuk e pëlqenin versionin e parë të preambulës kushtetuese. Nuk u dukej e mirë për shkak se si ata ashtu edhe ne paraqiteshim si popuj, kurse të tjerët si bashkësi etnike. Edhe bashkësitë fetare ishin plotësisht të barabarta. Unë nuk u pajtova, pasi marrëveshja ishte nënshkruar. Mirëpo, nuk niste procedura në parlament për miratimin e ndryshimeve kushtetuese. Natyrisht, sërish më ranë në qafë ndërkombëtarët, por më ra në qafë edhe Ali Ahmeti. Më thoshin ta pranoj se nuk është gjë, nuk do reflektohet në statusin e shqiptarëve….Dhe erdhi puna të caktohet seanca, por të mos fillonte para se ta pranoja preambulën e ndryshuar. Erdha në një ngushticë. Përfaqësuesi evropian, Alen Le Rua më tha: Seanca pret miratimin tuaj që të fillojë me ndryshimin e kushtetutës. Po nuk e pranuat preambulën e re tërë të arriturat në Marrëveshje do të bien në ujë. Nuk kisha rrugëdalje tjetër. Ishin pajtuar edhe Ahmeti edhe Xhaferi. Bile, Ahmeti jo që ishte pajtuar por bënte edhe presion mbi mua. Lëshuam pe gjatë bisedimeve, pas nënshkrimit të marrëveshjes dhe e dinim se do të ketë kompromise edhe gjatë sjelljes së ligjeve nga ajo marrëveshje. Tani dokumenti i Ohrit është reduktuar shumë më tepër sa që kemi parashikuar. Më vjen keq që e nënshkrova”.

“Mendoni se po të kishit kundërshtuar faktorin ndërkombëtar do të ishte arritur më shumë në Marrëveshjen e Ohrit?”, e pyetëm Imerin.

“Po ta hidhëronim diplomacinë ndërkombëtare, po ta injoronim forcën ushtarake NATO-n, nuk do të kishim edhe ato të drejta që i kemi fituar. Nuk do ta kishim edhe këtë fitore minore që e arritëm me Marrëveshjen e Ohrit”, u përgjigj ai.

“Me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit u pajtuam që ministri t’i propozojë kandidatët për kryeshef të policisë derisa kuvendi komunal të zgjedhë njërin prej tyre. Një nga ata kandidatë duhet të jetë shqiptar. Nëse kuvendi komunal nuk zgjedh asnjë, përsëritet procedura me tre kandidatë tjerë. Nëse edhe njëherë refuzohen, kryeshefin e zgjedh ministri. Për sa i përket shumicës së dyfishtë, ajo nevojitet te secila problematikë që prek interesin e shqiptarëve. Vlerësimin nëse prek interesin e bashkësive etnike e bën Komiteti për Marrëdhënie Ndëretnike. Por e pamë se në rastin e Ligjit të policisë ai Komitet paraqet vetëm një flirt, një hiç sepse shqiptarët sërish mbivotohen. Me maqedonasit kemi numër të njëjtë të anëtarëve, por aty marrin pjesë edhe përfaqësues të etnive tjera. Ata në çdo moment mund të blihen nga pala maqedonase. Neve në fund na ngelet të presim aminin e tjerëve. Këta janë defektet e Marrëveshjes së Ohrit”.

Imeri dëshironte revidim të marrëveshjes. Këtë ia kishte thënë ndër sy Ahmetit, Xhaferit dhe ndërkombëtarëve. Mirëpo, ai ishte i vetëdijshëm se për këtë nuk ka dhe nuk do të ketë disponim edhe gjatë kohë.

“E them këtë sepse, në krahasim me investimin e shqiptarëve, Marrëveshja e Ohrit nuk është asgjë. Investim ishte lufta, invalidët, dëshmorët, jetimët…Lufta nuk mund të bëhet për çdo vit apo dekadë. Një herë ndodh, andaj duhet të materializohet deri në fund”, tha Imeri.

Disa muaj pas nënshkrimit të Marrëveshjes së Ohrit, në Maqedoni kishte ardhur ambasadori i ri i SHBA-ve, Lawrence Butler. Z.Perdju kishte mbaruar misionin e ndërmjetësit dhe ishte kthyer në SHBA. Ambasadori i ri kishte ftuar në zyrën e tij një nga një të gjithë liderët partiak, nënshkrues të marrëveshjes, për të dëgjuar vizionet e tyre për Maqedoninë, si shtet që e merrte veten nga konflikti duke ndërtuar një realitet të ri shumetnik. Ftesë kishte marrë edhe Imeri, i cili tani më mendonte për dorëheqjen e tij nga posti i liderit dhe nga politika në përgjithësi. Në zyrën e Butlerit kishte shkuar me dy bashkëpunëtorët e ngushtë. Që në fillim kishte përgëzuar Imerin për konstruktivitetin e PPD-së në drejtim të implementimit të Marrëveshjes së Ohrit. Edhe Imeri e kishte falënderuar për angazhimin e vendit të tij në stabilizimin e situatës dhe kthimin e normalitetit në Maqedoni. Por, pa u thelluar shumë biseda, Imeri ia kishte rikujtuar çështjen që kishte mbetur vetëm si fjalë e dhënë – zyrtarizmi i UT-së. I kishte thënë se një premtim të tillë e kishte marrë nga z.Perdju, para se ta nënshkruaj marrëveshjen.

Butler kishte reaguar me habi, duke lënë të kuptohet se nuk kishte dëgjuar se dikush ka dhënë fjalë për këtë. I kishte kërkuar falje Imerit dhe kishte dalë jashtë zyrës. Lideri i PPD-së me dy bashkëpunëtorët kishin mbetur vetë në zyrën e tij. Pas pesë minutave Butler ishte kthyer dhe, duke iu afruar tavolinës, me buzëqeshje u kishte kumtuar se sapo ka verifikuar këtë premtim.

I kishte konfirmuar Imerit se fjala e dhënë do të mbahet. Katër vite më pas, pra më 2005-ën, UT-ja u zyrtarizua pas një seance maratonike parlamentare.

Pasi përfunduam intervistën, Imeri na falënderoi me sinqeritetin më të madh.

“E kisha si barrë këtë. Tash do jem i qetë. Kam shkarkuar një barrë të madhe”, tha ai derisa na përcillte korridorit të ambulancës.

Dy vite pas intervistës u kumtua vdekja e Imerit. Gati asnjë nga liderët e gjeografisë politike shqiptare nuk dërgoi telegram urimi. Edhe në media nuk iu kushtua shumë hapësirë ikjes së liderit të urtë me ndërgjegje të pastër. Vdiq si doktor që me përkushtim kujdesej për shëndetin e pacientëve të tij, e jo si politikan mbi të cilin peshon përgjegjësia historike.

 

*Marrë nga libri “Kohët e eklipseve” i autorit Xhelal Neziri, i botuar në vitin 2017

Të fundit