E enjte, 2 Shkurt, 2023

TË PAVAKSINUARIT S’DO MUND TË HYJNË NË LOKALE, FESTIME, KONCERTE, KONFERENCA…

Të pavaksinuarit shihen si shkaktari kryesor i shpërthimit të valës së re të COVID-19, andaj vendet kanë filluar të ndërmarrin masa konkrete ndaj kësaj kategorie njerëzish, raporton KDP.

“Pandemia ekziston vetëm te të pavaksinuarit”, tha në një paraqitje publike presidenti i SHBA, Joe Biden. Ndërkohë, CNN ka përjashtuar dy punëtorë shkaku se kishin shkuar në punë të pavaksinuar.

Nga kufizimet e deri te detyrimi i pranimit të vaksinës anti-covid përfshijnë masat që shtete të ndryshme do t’i ndërmarrin ndaj anti-vakserëve, që mbajnë në jetë koronavirusin.

Edhe Maqedonia e Veriut kyçet në këtë betejë, pas shpërthimit të coronavirusit në Tetovë, ku vetëm 19% e popullatës kanë pranuar të vaksinohen.

MASAT E REJA NGA 16 GUSHTI

Në mbledhjen e fundit, bazuar në rekomandimin e Komisionit për Sëmundjet Infektive, anëtarët e Qeverisë miratuan disa përfundimet dhe vendimet:

– Deri më 15 gusht, të gjitha objektet hotelierike të regjistruara për festime lejohen të punojnë në ambiente të mbyllura, vetëm në përputhje me masat KOVID-19, me deri në 40% të kapacitetit dhe një maksimum prej 250 mysafirësh, sipas protokolleve ekzistues në fuqi.

– Për klubet e natës (diskotekat), kabaret, baret, ndalimi i punës në pjesën e mbyllur të ndërtesës mbetet, përveç në pjesën e hapur (tarracat) me 50% të kapacitetit të hapësirës dhe një numër të kufizuar vizitorësh deri në 1.000 vizitorë, sipas protokolleve ekzistues.

– Nga 16 gusht 2021, është plotësisht e ndaluar të punosh dhe të organizosh çdo lloj ngjarje të brendshme në të gjitha objektet e hotelierisë (dhe kafeteritë), përfshirë festimet në objektet e hotelierisë të regjistruara për festime ose lloje të tjera të objekteve të mbyllura.

– Nga 16 gusht 2021, futet një certifikatë e detyrueshme për imunizimin, të paktën dozën e parë, me një shërbim të detyrueshëm sigurie për të kontrolluar paraqitjen e dëshmisë së vaksinimit në çdo lloj objekti në natyrë, përfshirë objektet e hotelierisë, ku ka më shumë se 30 persona të pranishëm, për çdo ngjarje (festim, koncert, seminar, trajnim, punëtori, konferencë, ngjarje kulturore ose sportive).

– Bashkangjitja dhe posedimi i një certifikate për imunizim – të paktën doza e parë e vaksinës, zbatohet për personat mbi 18 vjeç.

– Shërbimet kompetente të inspektimit janë të detyruara të intensifikojnë kontrollet në periudhën e ardhshme në mënyrë që të zbatojnë dhe respektojnë në mënyrë rigoroze rekomandimet parandaluese, masat e përkohshme dhe masat e urdhëruara në lidhje me KOVID-19.

DELTA GODET MË SHUMË TË PAVAKSINUARIT

Numri i personave të shtruar në spital me Covid-19 ditët e fundit është rritur në 150, me situatën më serioze në Tetovë.

Ministri i Shëndetësisë, Venko Filipçe, tha se varianti Delta është më e përhapur në mesin e të pavaksinuarve. Ai shtoi se nga pacientët e shtruar në spital, më pak se dhjetë për qind ishin plotësisht të vaksinuar, por ishin relativisht në gjendje të mirë shëndetësore.

“Ne jemi në fillimin e një vale të re dhe kjo po ndodh kudo në rajon. Kjo tregohet nga numri i të infektuarve të rinj, të cilët po rriten si në vendin tonë ashtu edhe në vendet fqinje. Kjo prek edhe spitalet. Aktualisht, Tetova është qyteti më kritik, ku ka shumë pranime në Departamentin e Sëmundjeve Infektive dhe spitalin modular. Rreth 45 pacientë tashmë janë shtruar në spital. Është rënë dakord, nëse është e nevojshme, që disa nga pacientët të transferohen në Klinikën Infektive në Shkup”, tha Filipçe.

Ai thotë se Delta tani është dominuese edhe në Maqedoninë e Veriut.

“Përveç Tetovës, numri i të infektuarve të rinj po rritet në Shkup dhe Gostivar, dhe ditët e fundit ka pasur një rritje në Kumanovë, Kërçovë, Kavadarci dhe Strumicë, por nuk ka presion mbi spitalet. Virusi është më i përhapur tek të pavaksinuarit. Vaksinat janë efektive, megjithëse disi më pak kundër llojit delta,” tha Filipçe.

 

Të fundit