E enjte, 2 Shkurt, 2023

Mes mjegullës dhe leximit autentik

Pikërisht kjo logjikë politike dhe institucionale, në të shumtën e rasteve, ka krijuar skema interpretimesh të reduktuara, duke riformuluar dhe ripërsëritur mendësi të kaluara dhe duke i paraqitur ato si zgjidhje në frymën e Marrëveshjes së Ohrit. Është ky refuzim institucional që pamundëson zbatimin substancial të frymës së kësaj marrëveshjeje, e cila tashmë – siç dihet – edhe njëherë merr vëmendjen e duhur nga SHBA-të, gjegjësisht përmes dekretit të presidentit Joe Biden. Në kohën e vonesave, në kohën e riformulimeve dhe interpretimeve voluntere, mbetet shumë e rëndësishme që të afishohet ideja e rikuptimësive tjera, të dinamikave tjera që janë në përputhje me frymën autentike të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, si një dokument i paqes dhe i krijimit të një shteti multietnik të barabartë për të gjithë.

Shkruan: Bardhyl ZAIMI

Marrëveshjet politike mbi të gjitha janë prodhim i një momenti të caktuar historik, i një konteksti të caktuar që determinohet nga shumë faktorë, por edhe nga potenca që shfaqin palët, nga strategjitë, nga dija teorike dhe nga operacionalizimi që i bëhet kësaj dijeje në raport me pritjet e palëve të involvuara. Edhe Marrëveshja e Ohrit duhet kundruar si një marrëveshje në një kontekst të caktuar kohor, me objektivitet, duke ruajtur në këtë rast optikën e premisave kryesore, por njëkohësisht duke pasur parasysh definimin që nënkuptohet me këtë marrëveshje: ndërprerjen e konfliktit të vitit 2001, që mbi të gjitha nënkupton një marrëveshje të paqes.

Për më tepër, kjo marrëveshje definohet si kornizë që në fakt lejon hapësirë për mbindërtime dhe për zhvillim dinamikash varësisht nga evoluimi i realiteteve etnike, politike dhe kulturore. Vetëdefinimi si marrëveshje kornizë, në fakt nuk e ngurtëson atë, por përkundrazi krijon hapësirë për dinamika të reja, për artikulime tjera politike dhe kulturore, të cilat fatkeqësisht brenda këtyre dy dekadave janë mbajtur të bllokuara dhe të paralizuara në dogma mendësish që gjithçka kërkojnë ta kthejnë në pikën zero, në atë pikë që njeh dominimin gjuhësor, kulturor, ekonomik, të përfaqësimit etj.

Në fakt, Marrëveshja e Ohrit do të duhej të ishte një paradigmë tjetër e konceptimit të shtetit tashmë të Maqedonisë së Veriut, por me shumë interpretime të mjegulluara dhe tërësisht të reduktuara kjo marrëveshje është degjeneruar nëkontinuitet në fraza boshe, në ripërsëritje dhe në rikthim momentesh arrogante që janë prodhuar nga polarizimet politike sidomos në kampin politik maqedonas dhe të pakundërshtuara sa duhet nga protagonistët politikë të kampin politikë shqiptar. Gjithë kjo më tepër i adresohet partisë shqiptare në pushtet, BDI, e cila me një ndërprerje të vogël tashmë gati dy dekada është në pushtet. Sigurisht edhe në kampin opozitar nuk ka arritur që të krijohet një kundërvënie më e fuqishme në raport me vonesat dhe shtrembërimet në implementimin e Marrëveshjes së Ohrit.

Sidoqoftë, tashmë kanë kaluar dy dekada nga kjo marrëveshje e paqes, ndërkohë që implementimi i saj nuk ka arritur t’i përmbushë pritshmërinë e shqiptarëve për barazi të plotë në shtetin tashmë të Maqedonisë së Veriut. Marrëveshja e Ohrit, si kornizë, në esencë definon një avancim më të madh të të drejtave të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, por të pamjaftueshëm nga afishimet politike, nga aspiratat për barabarësi të plotë në tërësinë shtetërore, në gjithë atë planimetri juridiko-kushtetuese dhe institucionale, e cila për më tepër refuzon të implementojë në mënyrë autentike frymën e kësaj marrëveshjeje, e cila si kornizë duhet të shkojë përtej interpretimeve të ngurta dhe të reduktuara të mendësive politike që vijnë si mbetje nga e kaluara, si një rëndesë fobishë irracionale, që njohin vetëm logjikën e dominimit.

Marrëveshja e Ohrit, si kornizë, si frymë, në fakt duhej të ndërtonte shtetin multietnik në gjithë planimetrinë konstitucionale. Por, siç mund të shihet deri më tash, pas dy dekadash, fryma e kësaj marrëveshjeje rëndë “përvijohet” në institucionet e shtetit, rëndë “përvijohet” në definimet që sigurojnë barabarësinë e plotë të shqiptarëve në shtet. Shembull tipik për këtë mbetet ngërçi i pafundëm i zbatimit të Ligjit të Gjuhëve, i cili pavarësisht nga përpjekjet, nuk arrin që të gjejë zbatim. Gjatë tërë kohës kemi një refuzim absurd që “stoliset” me lloj-lloj justifikimesh.

Kjo, në fakt, është logjika refuzuese e përhershme e konceptimit të shtetit njëanshmërisht nga mendësia e betonuar maqedonase që gjatë tërë kohës fatkeqësisht prodhon fobi, ndarje dhe reduktime të përsëritura. Në vend që në mënyrë tolerante, të kulturuar dhe në mirëkuptim të plotë të krijojë ambient politik për dinamikat e barabarësisë në frymën e Marrëveshjes së Ohrit, prapaskenat e politikave të vjetruara dhe të deplasuara ofrojnë “ngushtica” institucionale, ofrojnë frikë irracionale se “dikush do ua marrë shtetin”.

Pikërisht kjo logjikë politike dhe institucionale, në të shumtën e rasteve, ka krijuar skema interpretimesh të reduktuara, duke riformuluar dhe ripërsëritur mendësi të kaluara dhe duke i paraqitur ato si zgjidhje në frymën e Marrëveshjes së Ohrit. Është ky refuzim institucional që pamundëson zbatimin substancial të frymës së kësaj marrëveshjeje, e cila tashmë – siç dihet – edhe njëherë merr vëmendjen e duhur nga SHBA-të, gjegjësisht përmes dekretit të presidentit Joe Biden. Në kohën e vonesave, në kohën e riformulimeve dhe interpretimeve voluntere, mbetet shumë e rëndësishme që të afishohet ideja e rikuptimësive tjera, të dinamikave tjera që janë në përputhje me frymën autentike të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit, si një dokument i paqes dhe i krijimit të një shteti multietnik të barabartë për të gjithë. Shtetet multietnike kanë dinamika të përhershme rivalitetesh entike, kulturore dhe politike dhe kjo, në fakt, përfaqëson esencën e evolutës demokratike të këtyre shteteve që e njohin debatin, aspiratat, artikulimet politike, si dhe ekuilibrin paradigmatik të barabarësisë. Gjithë kjo zhvillohet në terrenin politik, me metoda demokratike dhe në sheshin e argumentimit tolerant.

Marrëveshja e Ohrit është definuar konceptualisht si kornizë që paraprakisht i njeh këto dinamika dhe që i njeh edhe mbindërtimet politike në funksion të një kohezioni më gjithëpërfshirës shtetëror. Pikërisht, në këto dimensione evolute duhet të shihet Marrëveshja e Ohrit si një dokument bazë që lejon afirmimin e ideve, politikave që shkojnë në funksion të barabarësisë dhe kohezionit më të madh në nivel shteti.

Çdo demonizim politik jashtë logjikës së një evolute civilizuese barabarësie i rikthen ngërçet etnike, e rikthen me tone të tjera dominimin dhe mendësinë se dikush dikujt duhet t’i japë të drejta, ndërkohë që ato garantohen me të gjitha parametrat e ekzistencës autentike të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut, si një shtet multientik, multikulturor dhe multikonfesional.

Mbindërtimi i kësaj suaze hap horizontin e plotë të barabarësisë, por edhe të shtetit funksional multietnik dhe demokratik. Jorefuzimi, ngatëlasimi, shtrembërimi dhe riformulimet e vjetra, përkundrazi ridefinimet evolutive në përputhje të plotë me pluralizimin gjuhësor dhe kulturor europian hapin horizontin e barabarësisë së plotë, të kohezionit dhe të vlerave të përbashkëta.

Shkrimi është botuar në revistën “Shenja”

 

Të fundit