E shtunë, 28 Janar, 2023

NJË “JUGOSLLAVI” APO “BE” TJETËR: PROMOVOHET “OPEN BALLKAN”

Kryeministrat e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ai i Shqipërisë Edi Rama dhe presidenti serb Aleksandar Vuçiç kanë ripagëzuar me një emër iniciativën për evropianizimin e Ballkanit. “Open Ballkan” do të jetë emri i projektit të përbashkët të këtyre shteteve, i dakorduar sot në Forumin Ekonomik të Shkupit, i cili ka bashkuar kompani nga Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Serbia dhe Bosnje e Hercegovina, si dhe ekonomi të tjera rajonale dhe evropiane. Pjesëmarrës kanë qenë edhe përfaqësues të qeverive, institucioneve financiare, universiteteve dhe delegacioneve ndërkombëtare, njofton KDP.

Shumica e kompanive vijnë nga ndërtimi, sektori agro-ushqimor, energjia, makineria, industria e automobilave dhe tekstilit, turizmi, telekomunikacioni, transporti dhe logjistika. Vuçiç, Rama dhe Zaev premtuan se nga Forumi i Shkupit po paraqesin një vizion politik dhe ekonomik të rajonit të integruar.

Zaev tha se nisma rajonale përmban në vete katër liritë e BE, me të cilat synohet lehtësimi i jetës së qytetarëve dhe fuqizimi i bashkëpunimit rajonal.

“Kjo që e ndërtojmë sot del nga vlerat evropiane për shkak se në vete, në themelet e saj, përmban të gjitha katër liritë e Bashkimit Evropian: lirinë e lëvizjes së njerëzve, të mirave, kapitalit dhe shërbimeve. Qëllimi përfundimtar është të arrijmë “no stop-just go”, të mos ketë ndalesa në kufijtë mes Serbisë, Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë, dhe të shpresojmë edhe për vendet e tjera”, ka thënë Zaev.

Vuqiç ka thënë se vendet e rajonit janë në rrugën evropiane, por ky rrugëtim duhet të bëhet së bashku, sepse atëherë më e lehtë arrihet qëllimi.

“Ka shumë mundësi para nesh dhe asnjëra prej tyre nuk është e dëmshme për askënd, me këtë iniciativë vendet e Ballkanit po lënë të kaluarën prapa, dhe po punojnë për përmirësimin e standardit të jetesës. Pse të presim lëmoshë kur ne vetë jemi në gjendje të krijojmë shkallën më të lartë të rritjes ekonomike. Nëse do të jemi në gjendje të kapërcejmë pengesat administrative, më 1 janar 2023 nuk do të ketë kufij midis vendeve tona”, u shpreh Vuçiçi.

Kryeministri Rama tha se nëse arrihet lëvizja e lirë, GDP mund të rritet në 6,7%.

“Pse duhet t’ia privojmë vetes këtë mundësi të jashtëzakonshme, duke ndenjur secili brenda hapësirës së vetë të vogël?”, pyeti ai.

Ai u përgjigj edhe ndaj akuzave se po merr pjesë në ringjalljen e Jugosllavisë, ku do të dominonte Serbia.

“Kush thotë se kjo nismë është projektuar në bodrumet e ish-Jugosllavisë për të rikompozuar Jugosllavinë dhe për t‘i dhënë hegjemoninë Serbisë, e para jeton në një botë paralele, e dyta jeton për politikë në lëkurën e njerëzve dhe jo për rritjen e mirëqenies dhe forcimin e urave mes njerëzve dhe e treta harron se po të nisemi kështu, atëherë duhet të themi se  edhe BE-ja është një Jugosllavi e madhe. Nëse Bashkimi Evropian është një Jugosllavi e madhe, po kjo është Jugosllavi e vogël. Por në fakt jo, kjo është as më shumë as më pak, por krijimi i një hapësire që jeton me parimet dhe vlerat dhe mekanizmat e BE, ndërkohë që secili nga vendet bën përpjekje për anëtarësim në BE”, ka deklruar Rama.

Përmes një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, zyra për media e Qeverisë së Kosovës tha se “qëndrimet për idenë e Novi Sadit, të ashtuquajtur ‘mini-Shengen’, tashmë janë të njohura”.

“Iniciativa e Novi Sadit nuk e ka miratimin tonë dhe si rrjedhojë, nuk kemi pasur zyrtarisht ftesë për pjesëmarrje në takim. Për ne, i ashtuquajturi ‘mini-Shengen’ është nismë pa vizion për rajonin. Ne kemi propozuar avancimin e bashkëpunimit rajonal nga CEFTA në SEFTA, sipas modelit të EFTA-EEA, nga e cila do të përfitonin njëkohësisht të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, thuhet në përgjigje.

Qeveria Kurti rikujton se ideja e “mini-Shengenit” ballkanik, u prezantua në Novi Sad të Serbisë më 10 tetor të vitit 2019, nga liderët e Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

Tre liderët Zaev, Rama dhe Vuçiq, në kuadër të forumit nënshkruan dy memorandume dhe një marrëveshje ndërshtetërore, që ka për qëllim lehtësimin e lëvizjes së njerëzve dhe mallrave me qëllim të forcimit të mëtejmë të bashkëpunimit ekonomik.

Marrëveshja parasheh ndërtimin e “korsive të shpejta” në pikat kufitare, për kalimin më të shpejtë të njerëzve nga shtetet e rajonit. Ajo përmban edhe dispozita për sa i përket thjeshtësimit të formaliteteve për importin, eksportin dhe lëvizjen përkatësisht transportimin e mallrave; bashkëpunimin mes doganave dhe autoriteteve të tjera kompetente; si dhe dispozitat e veçanta për sigurinë e ushqimit, çështjet veterinare dhe fitosanitare dhe lëvizjen e lirë të produkteve industriale jo-ushqimore.

Marrëveshja e Bashkëpunimit për mbrojtje dhe shpëtim nga katastrofat në Ballkanin Perëndimor dhe Memorandumi i mirëkuptimit për lehtësimin e importit, eksportit dhe lëvizjes së mallrave në Ballkanin Perëndimor, dalin nga Nisma për bashkëpunim të avancuar ekonomik rajonal mes Maqedonisë së Veriut, Shqipërisë dhe Serbisë.

Dokumentet paraqesin funksionalizimin e iniciativës për të përmirësuar kushtet në lidhje me shkëmbimin e mallrave dhe shërbimeve, si dhe iniciativën për bashkëpunim mes vendeve në drejtim të mbrojtjes dhe shpëtimit nga katastrofat.

Të fundit