E mërkurë, 1 Shkurt, 2023

ZGJEDHJET LOKALE MË 17 TETOR: REGJISTRIMI PREK FUSHATËN PARAZGJEDHORE

Kryeministri Zoran Zaev tha se është përcaktuar që data e zgjedhjeve të mbetet e njëjtë, pra 17 tetori, pa marrë parasysh fushata parazgjedhore prek 3 ditët e fundit të regjistrimit. Ai beson se regjistrimi mund të përfundojë më herët dhe të mënjanohet kjo përputhje, njofton KDP.

“Data, sipas propozimit të grupeve të punës në të cilat marrin pjesë të gjitha partitë politike, është 17 (tetor), dmth nuk ka ndryshime në datën e caktuar në Kodin Zgjedhor dhe deri më tani”, tha ai.

“Kishte dilema për shkak të përputhjes së tre ditëve të regjistrimit me fushatën, por në fund u vendos që tri ditët të mos ndryshojnë asgjë, regjistrimi është një aktivitet që përfundon gjatë ditës, fushatat zhvillohen në mbrëmje.”

“Mbi të gjitha, regjistrimi është mbajtur për 20 ditë çdo herë, kësaj here janë caktuar 30 ditë, ai me të vërtetë mund të përfundojë më herët. Ka mjaft kohë, nuk ka nevojë për ndonjë ndryshim në datën e zgjedhjeve.”, tha Zaev.

Ai thotë se propozimi për pragun për paraqitjen e listave të pavarura është 2 përqind e numrit të përgjithshëm të votuesve.

“Nëse komuna ka 10,000 votues, i duhen 200 nënshkrime për të paraqitur një listë të pavarur. Nëse ka 50,000 votues, 1000 nënshkrime janë të nevojshme për të paraqitur një listë të pavarur.”, tha Zaev.

Partitë ka kohë që kanë filluar fushatën joformale për zgjedhjet lokale. Promovim kandidatësh, agjendash, programesh dhe takime në teren kanë bërë gati të gjitha partitë.

Të fundit