E enjte, 2 Shkurt, 2023

Doza e tretë e vaksinës e nevojshme për një kategori të caktuar

Anthony Fauci, zyrtari më i lartë amerikan për sëmundjet infektive,tha të dielën se amerikanët që e kanë sistemin e imunitetit të dëmtuar mund të kenë nevojë për një dozë tjetër të vaksinës kundër COVID-19, përcjell KDP.

“Pacientët me kimioterapi, sëmundje auto-imune, që përdorin trajtime për imunitetin, janë ata individë që nëse vendoset që të ketë një dozë të tretë, do të ishin ndër të parët që duhet ta marrin,” tha zoti Fauci gjatë një interviste për kanalin televiziv CNN.

Duke cituar studime të fundit që tregojnë se mund të ketë ulje të antitrupave tek njerëzit e vaksinuar, zoti Fauci tha se zyrtarët amerikanë të shëndetësisë po rishikojnë të dhënat për të përcaktuar se kur mund të nevojitet një dozë tjetër.

Dr. Anthony Fauci tha gjithashtu se Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve po shqyrtojnë mundësinë për të rishikuar udhëzimet e tyre për COVID-19 për të rekomanduar që edhe individët plotësisht të vaksinuar të mbajnë maska në publik.

Një dozë e tretë “përforcuese” e vaksinës AstraZeneca kundër koronavirusit ofron një reagim të fortë imuniteti, tregon një studim i Universitetit të Oksfordit, i botuar të hënën. Ekspertët thonë se deri tani nuk ka shenja se do të jetë e nevojshme një dozë e tretë. Vaksina është rezultat i një bashkëpunimi mes Universitetit të Oksfordit dhe firmës AstraZeneca

Një studimi i Universitetit të Oksfordit tregon se një dozë e tretë e vaksinës forcon reagimin e antitrupave dhe qelizave T, ndërsa doza e dytë mund të shtyhet deri në 45 javë dhe po ashtu çon në përmirësime të mira të sistemit imunitar. Teresa Lambe është profesore e imunologjisë dhe vaksinave në Universitetin e Oksfordit.

“Të dhënat sugjerojnë se mund ta përdorim vaksinën në një fushatë përforcuese nëse do të ishte e nevojshme”.

Qeveria Britanike ka thënë se po shqyrton planet për një fushatë vaksinash përforcuese në vjeshtë, ndërsa tre të pestat e të rriturve tashmë kanë marrë të dyja dozat e vaksinës kundër koronavirusit.

“Të dhënat për efikasitetin po tregojnë se këto vaksina kanë ndikim të madh duke parandaluar shtrimin në spital. Ka shumë vende të botës që ende nuk kanë marrë asnjë dozë ndaj këto vaksina duhet të shkojnë tek ato vende. Për momemntin nuk kemi të dhëna që do të na nevojitet një dozë e tretë”, thotë Teresa Lambe, profesoreshë e imunologjisë dhe vaksinave në Universitetin e Oksfordit.

Studimet e mëparshme kishin treguar se vaksina AstraZeneca, e krijuar nga Universiteti i Oksfordit, ka efikasitet më të lartë kur doza e dytë shtyhet me 12 javë, në vend të katër javëve.

Hungaria, ndërkohë, ka miratuar dozën e tretë të një vaksine kundër Covid. Duke filluar nga 1 Gushti, të gjithë personat do të kenë mundësinë të marrin një dozë të tretë.

Qeveria gjithashtu do të bëjë të detyrueshme vaksinat për të gjithë punonjësit e kujdesit shëndetësor, tha kryeministri Viktor Orban në një deklaratë.

 

Të fundit