E shtunë, 28 Janar, 2023

NË KOALICION EDHE VMRO-ASH/AA, BESA SHKON VETË

Pas marrëveshjes LSDM-BDI për pjesëmarrje të përbashkët në zgjedhjet lokale të tetorit, një bashkëpunim të ngjashëm paralajmëron edhe VMRO-DPMNE me ASH/AA, njofton KDP.

Sipas Antonio Milloshovskit, në VMRO-DPMNE ekziston disponim për bisedime me Aleancën dhe Alternativën për bashkëpunim dhe koalicione që në raundin e parë.

“Kemi sinjale nga këto dy parti se ky disponim ekziston edhe te ata.  Në bazë të programeve dhe kandidatëve të mirë në më shumë komuna do të mund të harmonizojmë këto bashkëpunime të ardhshme”, tha Milloshovski nga VMRO-DPMNE-ja. Ai nuk precizoi se kur mund të ketë takim në nivel liderësh, por tha se partitë janë në komunikim.

Nga ana tjetër, koalicioni ASH/AA thotë se ende nuk kanë qëndrim të përbashkët si dy parti për këtë çështje. Sipas tyre, ende është herët për të folur në këtë temë. Nga ky koalicion paralajmërojnë se ditëve në vijim do të ulen për të biseduar dhe për të sjellë vendim nëse do të shkojmë në koalicion parazgjedhor ose me ndonjë lloj tjetër bashkëpunimi me VMRO-DPMNE.

Koalicioni i paralajmëruar nga kryeministri Zoran Zaev dhe kryetari i BDI-së Ali Ahmeti vazhdon të kontestohet nga BESA e Bilall Kasamit. Nga kjo parti vazhdojnë të kërcënojnë Zaevin me braktisje të qeverisë nëse LSDM në Tetovë nuk përkrah kandidatin e tyre, kryetarin e partisë Bilall Kasami.

“Ne nuk do të komentonim mbi marrëveshjet e liderëve të partive politike edhe pse ato janë pjesë e koalicionit qeverisës. Realisht, ne nuk i dimë detajet e asaj që është thënë, pasi Lëvizja Besa kemi thënë që po përgatitemi të shkojmë vetëm në zgjedhjet lokale sepse vlerësojmë që prania jonë në Qeveri ka bërë një ndryshim dhe ne duam që ai ndryshim të pasqyrohet në vota. Si parti politike, ne duam të shohim realisht se si u pasqyrua qeverisja jonë 10-mujore, dmth gati një vit deri në zgjedhjet lokale”, ka thënë për Alsat-m Arjanit Hoxha, Sekretari Gjeneral i Lëvizjes Besa.

Por Zaevi qetëson. Thotë se koalicioni me BDI-në do të thotë bashkërisht në zgjedhje lokale dhe kjo do të vërtetohet nga vet kandidatët.

“Mund të ndodh diku të mbështesim BDI-në që në rreth të parë ose BDI të mbështesë kandidat të LSDM-së. Dikund do të shkojmë me mbështetje në rreth të dytë për shkak kemi edhe kandidatë tonë”, tha Zaev.

Ai nuk sheh rrezik për shumicën parlamentare shkaku i koalicioneve për zgjedhjet lokale. “Shumica parlamentare është stabile, ka mirëkuptim të ndërsjellë. Nuk do të lejojmë që ndonjë marrëveshje bilaterale të dëmtojë një parti të tretë nga koalicioni”, tha Zaev.

Milloshovski i VMRO-DPMNE, ndërkohë, nuk kursen kritikat për koalicionin Zaev-Ahmeti. “Zoran Zaev e zgjodhi për partner partinë që e quante kancer të shoqërisë, BDI-në. A vlerëson Zoran Zaev se BDI akoma është kancer i shoqërisë, duhet të përgjigjet vetë ai dhe partia e tij LSDM”, tha Milloshovski.

 

Të fundit