E mërkurë, 1 Shkurt, 2023

U TAKUAN PËR TË ARDHMEN, U PËRPLASËN PËR TË KALUARËN

U takuan edhe një herë, por pa u afruar drejt një pike që do të sinjalizonte marrëveshje. Ashtu si takimi i parë, edhe i dyti midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka mbaruar pa asnjë rezultat konkret, raporton KDP.

Kurti i ka propozuar një marrëveshje me gjashtë nene, si deklaratë e paqes midis Kosovës dhe Serbisë, por e njëjta, sipas tij, “u refuzua ende pa u lexuar”.

“Për mua kjo tregon mosgatishmërinë për marrëveshje, meqenëse u refuzua pa u lexuar fare”, tha Kurti, pas takimit në Bruksel me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Të hënën, siç raporton REL, nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, u zhvillua rundi i radhës i bisedimeve midis Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve.

“Unë nuk e kuptoj se përse do të duhet t’i frikësohemi kaq shumë ballafaqimit me të kaluarën, kur e dimë se problemet i kemi nga e kaluara”, tha ai.

Kurti tha se zëvendësi i tij, Besnik Bislmi, ka shpalosur në takim edhe “11 barrierat që Serbia ia vendos Kosovës në aspektin tregtar” dhe ka kërkuar eliminimin e tyre, por, shtoi ai, pala serbe nuk ka dashur të dëgjojë as për to.

Ai tha se në takimin e sotëm janë shkëmbyer edhe disa “dhurata”.

“Unë u kam dhënë tri libra, ndërsa ata më kanë dhënë më shumë se tri ofendime. Por, librat janë më të rëndësishëm”, tha Kurti.

Ai shtoi se delegacionit serb i ka dhuruar librin e Natasha Kandiqit, që dokumenton vrasjen e fëmijëve në Kosovë më 1998/99, një libër me rrëfimet e grave të dhunuara nga forcat serbe në Kosovë dhe një libër për shfarosjen e shqiptarëve nga viti 1878 deri më 1884.

“Herën e fundit që ishim në Bruksel, mendova se ishte e pamundur të kishim një takim më të keq dhe sot u binda se ishte e mundur”, tha Vuçiq pas takimit me Kurtin në Bruksel.

Vuçiç tha se intensifikimi i përpjekjeve të përbashkëta për identifikimin e personave të zhdukur, përmbajtja nga veprimet që potencialisht mund të destabilizojnë situatën në terren, dhe takimet e rregullta njëmujore të kryenegociatorëve si dhe përgatitja e takimeve të nivelit të lartë sipas nevojës, ishin propozime të BE-së gjatë takimit të së hënës.

“Ne nuk u pajtuam për këto tri pika. Serbia i ka pranuar plotësisht ato, pa asnjë kundërshtim. Shqiptarët nuk dëshironin t’i pranonin ato pika dhe është veçanërisht interesante për mua që ata nuk donin ta pranonin atë pikën tjetër, duke u përmbajtur nga veprimet që mund të shkaktonin destabilizim në terren. Thelbi i prezantimit të tyre ishte se Serbia është fajtore për të paktën tri gjenocidet në Kosovë”, tha Vuçiq.

Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, tha se atmosfera në takimin e së hënës midis kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ishte “e tensionuar”.

“Takimi ishte i vështirë dhe tregoi qasje shumë të ndryshme ndaj normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë. Për pasojë, sot kemi bërë shumë pak përparim. Janë diskutuar disa propozime konkrete, por rezultati i vetëm që mund të raportoj sot është se dialogu do të vazhdojë”, tha Lajçak pas takimit.

Para takimit, shefi i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë i Bashkimit Evropian, Josep Borrell ka thënë se pret që Kosova dhe Serbia t’i qasen në mënyrë konstruktive dhe pragmatike raundit të ri të dialogut, që ndërmjetësohet nga BE-ja.

“Kosova dhe Serbia kanë nevojë që përfundimisht të mbyllin kapitullin e të kaluarës së dhimbshme përmes një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, ligjërisht të obligueshme mbi normalizimin e marrëdhënieve dhe të shikojnë drejt të ardhmes evropiane, për qytetarët e tyre. E ardhmja është më e rëndësishme se e kaluara. E kaluara është e rëndësishme, por ne duhet të shikojmë përpara”, tha Borrell.

Takimi i radhës Kurti-Vuçiq pritet të mbahet në gusht të këtij viti.

 

Të fundit