E shtunë, 28 Janar, 2023

Artan Fuga: PD braktisi intelektualët, po shkon drejt autoritarizmit

Akademiku Artan Fuga analizoi në një lidhje me “Skype” për rubrikën “Opinion”, në News24, zhvillimet e fundit politike në vend, duke u ndalur kryesisht te mbledhja e Këshillit Kombëtar të Partisë Demokratike.

Akademiku Fuga u tregua kritikë ndaj PD dhe lidershipit të saj, teksa tha se vendimet ishin marrë që përpara se të mblidhej Këshilli, ishin propozimet e kryetarit të partisë, që ishin votuar paraprakisht dhe pastaj diskutimet nuk mund të shkonin te çështje apo te mekanizma që prodhonin vendime të tjera.

“Në historinë e Kongresve politike në Shqipëri, ndoshta të 70-80 viteve të fundit, është apo ka qenë pak e pranishme që në një kongres masiv të debatohen çështje të mëdha të një partie. Lidershipi i partive politike, siç ishte dhe këtë radhë lidershipi i PD, evitoi që në kongres të hapte debate, çështje, diskutime, të cilat të krijonin një lloj tensioni apo të thellohej në atë përfaqësi që ishte goxha e gjerë. Pra, unë nuk mendoj që kongresi ishte një instrument për t’u përballur me të vërtetën. të gjithë ata që kanë pritur që në një kongres të tillë mund të planifikohej një gjë e tillë, mendoj se kanë pasur një pritshmëri më të lartë se realiteti. E vërteta është se vendimet politike në kongres ishin marrë më parë, ishin propozimet e kryetarit të partisë, që u votuan paraprakisht dhe pastaj diskutimet nuk mund të shkonin te çështje apo të ishin mekanizma që prodhonin vendime të tjera, sepse vendimet ishin marrë. Vendimet në Shqipëri nuk merren në forma referendare, nuk merren nëpër kongrese, madje as në këshilla kombëtar, por merren në rrethe shumë të ngushta, nga 4-5 duar”, tha Fuga.

Pyetje: Në çfarë situate e gjeti ky Kongres Partinë Demokratike?

Fuga: PD nuk doli fituese në zgjedhje, siç ishte përgatitur e kishte premtuar, por kjo dihet nuk është ky problemi, pasi PD ka një problem me elektoratin e saj, i cili priste që forca e tij politike të vinte në pushtet. Duhet të dimë që PD është e përjashtuar pothuajse tërësisht nga përfaqësimi në pushtetin lokal. Dihet që PD ka një akses të kufizuar te partnerët ndërkombëtarë strategjikë të Shqipërisë dhe nuk ka një besueshmëri reale, faktike, siç do ta donte. Ka një problem lidhur me lidershipin e saj, sepse brenda lidershipit ka zëra divergjentë, por që nuk përbëjnë lëvizje, por përbëjnë një lloj kakofonie. PD është në një situatë ku nuk po mundet të prodhojë një alternativë qeverisje, një alternativë për Shqipërinë, dhe ndodhet në një far izolimi social, që është një gjë që e them me trishtim, jo për faktin që unë kam qenë herë pas here votues i PD, e them hapur, pasi unë votoj aty ku mendoj se është interesi për Shqipërinë, këtë radhë isha përkrahës i ardhjes në pushtet të opozitës, gjë që nuk ndodhi, por unë e them sepse në një shoqëri të vërtetë që duhet të zhvillohen, opozita duhet të jetë e fortë. Edhe po ta merrte PD pushtetin, do kisha interesin e madh që PS të ishte e rinovuar, e fuqishme.

Partitë që janë në parlament, që janë PD e PS, janë të privilegjuara në krahasim me partitë joparlamentare. Mjafton të kesh një përfaqësues në parlament dhe një parti ka privilegje në krahasim me tjerët. Pra, këto parti janë në privilegje të jashtëzakonshme. Nga kjo pikëpamje, PD kryen një disfuksion. Pra, nga njëra anë kryen një funksion, por kryen dhe një disfuksion. PD, në këtë gjendje që është, kryen disfuksion, ka një lloj tradhtie ndaj intelektualëve, ka një lloj braktisje të intelektualëve, sepse mendja shqiptare prodhon alternativa. Këto alternativa, intelektualët, artistët, i prodhojnë, por kanë nevojë që këto të kanalizohen në një përmbajtje politike, dhe kur përmbajtja politike nuk i shpreh, ka një tradhti, një braktisje të tyre. Nuk flas për PS, që i ka tradhtuar totalisht këto çështje, por flas për opozitën, se duhet të ishte shpresa, transformuesja e këtyre ideve, për t’i bërë të aksesueshme, por që nuk e bëri. Nga kjo pikëpamje, prodhoi disfuksione. Unë them që intelektualët shqiptarë janë braktisur nga opozita, sigurisht janë braktisur dhe nga pushteti. Intelektuali e sjell vlerën e vet në shoqëri me kritika. Nuk është puna ta marrësh intelektualin dhe ta bësh politikan, shpresa është se intelektuali prodhon alternativa, ndërsa partitë i shprehin ato në një vullnet për ndryshim. Kjo nuk u bë, përfshi dhe e drejta ime. Shoqëria civile ka të drejtën e fjalës së lirë dhe të kritikojë gjithçka. Nuk është opozita politike e vetmja opozitë në Shqipëri, ka opozitë intelektuale dhe opozita të tjera. Opozita politike nuk mund të mbajë monopolin e opozitës, jo vetëm ato kanë të drejtë të shprehin vullnetin qytetar.

Me vendimet që mori PD, anoi edhe më shumë drejt një autoritarizmi të brendshëm. Mua më ka bërë të jem i ndjeshëm fakti që edhe kryetarët lokalë të PD zgjidhen sipas parimit një njeri, një votë, por që ju largohen pasi zgjidhen, masave të intelektualëve. Më ka bërë përshtypje fakti që Këshilli Kombëtar ndahet në departamente, që quhen ndihmëse të kryetarit. Këshilli Kombëtar duhet të jetë më i madhi vendimmarrës, por tani quhet si këshillues. Kjo është e trishtueshme dhe shkon në drejtimin e kundërt të asaj që pritej. E treta që më bëri shumë përshtypje është ruajtja e rolit dominues të kryetarit të partisë për të caktuar kryetarët për kryetarë të bashkive. Pra, nëse militantët e PD në Përmet do të nxjerrin një kandidat për kryetar bashkie, do duhet ta aprovojë qendra që të zgjidhet. Këtu kemi një “luftë”, një lojë, një aleancë, mes dy autoritarizmave, që edhe mbështesin njëri-tjetrin, edhe rivalizojnë njëri-tjetrin. Nëse nesër do ketë zgjedhje lokale, nuk përjashtohet që opozita do të marrë disa pushtete dhe qeveria do të jetë e kënaqur, por problemi është se nuk do të sjellë asnjë ndryshim në ushtrimin e pushtetit lokal, sepse është e brumosur me po atë autoritarizëm. Jam shumë dakord me analizën që bëri Mark Marku, që doli me sukses në Qarkun e Lezhës, kur tha se partitë, duke përfshirë dhe PD, janë autoritare. Unë do të shtoja, që PD është autoritare, përballë një pushteti autoritar, dhe të dyja bashkë e fusin shoqërinë në një rrugë pa krye. Shoqëria do të veçohet nga politika. Unë mendoj që opozita ka një rol të madh për të qenë shpresa e këtij vendi.

 

Pyetje: Si e shihni Ramën në këtë mandat të tretë?

Fuga: Nga pikëpamja e asaj që ai do të bëjë në planin ekonomik, e shoh të dhënë pas disa projekteve madhore, si aeroporte, spitale, porte. Unë kam frikë nga kjo grandomani, sepse janë investime që paraqiten të tilla, që nuk shoqërohen në përgjithësi me punësime. Kam frikën e krijimit të një modeli Shqipërie, e cila të jetë e hapur ndaj një tregu global, por shqiptarët të jenë të vendosur në periferi. Kam frikën e marxhinalizimit të qytetarit shqiptar, nga këto projekte që kanë një teknikokratizmi. Kryeministri ka një injorim për opozitën, edhe pse i thotë ‘shtri dorën’. Nëse flasim për disfuksione të opozitës, edhe opozita e opozitës ka disfuksionet e veta. Unë e shikoj kryeministrin që kërkon të përmbysë një raport tradicional në Shqipëri. Ai kërkon që të legjitimojë pushtetin dhe politikën e tij në raport me aktorët ndërkombëtarë, me BE, me Serbinë, me Greqinë, me Maqedoninë e Veriut, me SHBA, me NATO, dhe këtë legjitimitet ndërkombëtar ta përdor si një ushqim për një legjitimitet të dobësuar brenda vendit. Ndërkohë, PD fatkeqësisht nuk është futur fare në gjeopolitikën ndërkombëtare. Opozita është në një situatë që nuk tregon një shembull, nuk jep vlera.

 

 

Të fundit