E shtunë, 28 Janar, 2023

QEVERIA RREZIKOHET NË TETOVË: ZAEVI ME ARFIN APO KASAMIN?

Koalicionet për zgjedhjet lokale të tetorit mund ta shkundin koalicionin qeverisës të kryeministrit Zoran Zaev. Opsionet e shumta për koalicione (në raundin e parë apo në të dytë) si dhe forma e ndryshme e tyre varësisht në cilën komunë, mund të sjellë kokëdhembje për qeverinë LSDM-BDI-BESA-PDSH. 

Mollë sherri mund të bëhet Tetova, ku me kandidatët e tyre garojnë të tre partitë shqiptare që janë partnerë të LSDM.

Zaev, një deklaratë për TV21, ka thënë se deri në fund të këtij muaji do të jenë gati marrëveshjet për koalicion. Ai ka shtuar se mbështetjen e tyre do ta marrë partia me të cilën janë në koalicion, por pa konkretizuar për nga tre partitë e ka fjalën.

“Ende nuk kam përgjigje. Por, shpresojmë se do të arrijmë marrëveshje deri në fund të këtij muaji me BDI-në, Besën dhe PDSH-në. Atje ku kemi më shumë kandidatë nga koalicioni ynë, ai që do të hyjë në rrethin e dytë, është logjike se do ta ketë mbështetjen e të gjithë partnerëve të koalicionit”, deklaroi për TV21, kryetari i LSDM-së, Zoran Zaev.

Në pyetjen çka nëse në raundin e dytë në Tetovë hyn edhe kandidati i BDI-së, Teuta Arifi, edhe i Besës, Bilall Kasami, Zaev ka thënë se është herët të flitet.  “Ende është herët për përgjigje rreth supozimeve të këtilla. Përgjigjja ime e kësaj pyetjeje mund të shkaktojë vetëm problem në koalicionin tonë. Te ne shumica mendon se LSDM-ja do të hyjë në rrethin e dytë me kandidatin e Aleancës. Ende është herët për të folur teorikisht”, ka thënë ai.

Nga ana tjetër, sekretari i përgjithshëm i BESË-s, Arjanit Hoxha ka thënë se komunat kanë nevojë për ndryshime, duke nënkuptuar mposhtjen e BDI-së në nivel lokal.

“Ne besojmë se komunat ku do garojmë kanë nevojë për ndryshime dhe nga këtu mbështetjen e presim nga popullata. Sa i takon LSDM-së, nuk shohim asgjë komplekse që votuesit e tyre të votojnë Lëvizjen BESA, pasi që njëherë kanë votuar, dhe atë jo më larg se para një viti në zgjedhjet parlamentare”, ka thënë ai.

Qeveria e Zaevit mbështetet në një shumicë parlamentare që numëron vetëm 62 nga gjithësej 120 deputetë. Një përplasje e ngjashme midis BDI-së dhe ASH-së në prag të zgjedhjeve lokale të vitit 2017, më pas rezultoi me braktisjen e qeverisë nga ASH. Vendin e tyre në qeveri e zuri Alternativa e Afrim Gashit, e cila tash është në koalicion parazgjedhor me ASH.

 

Të fundit