E enjte, 2 Shkurt, 2023

INTERVISTË, ANTON PANÇEV: TIRANA TË MOS SOLIDARIZOHET ME SHKUPIN, MV DO TË NISË NEGOCIATAT KUR TË PLOTËSOJË KËRKESAT BULLGARE

Bisedoi: Xhelal Neziri

 

Zgjedhjet e korrikut në Bullgari i përsëritën rezultatet e atyre në prill. Kjo lë pak hapësirë për formimin e një qeverie të re në Bullgari, një lajm jo shpresëdhënës për Shkupin dhe Tiranën, të cilët mendonin se një qeveri politike do të ketë legjitimitet të heqë bllokadën për nisjen e bisedimeve anëtarësuese të Maqedonisë së Veriut me Bashkimin Evropian (BE).

Në këtë temë zhvilluam bisedë me Dr.Anton Pançev, ekspert dhe njohës i mirë i rrethanave politike në Bullgari dhe rajon.

“Ka shumë gjasa të mos krijohet prapë qeveri të rregullt dhe të ketë zgjedhje të reja në vjeshtë së bashku me zgjedhjet presidenciale.”, thotë ai.

Dr. Pançev ka lindur në Bullgari, në vitin 1978. I ka kryer studimet në Universitetin e Sofjes “Shën Kliment Ohridski”, ku ka përfunduar ‘Shkenca politike’ (2003) dhe Ballkanistikë (2007). Në 2006 – 2007 ka studiuar një semestër në Universitetin e Prishtinës. Doktoroi (2013) në Universitetin e Sofjes me temë mbi zhvillimet politike në Shqipëri pas vitit 1991. Në këtë Universitet nga viti 2009 punon si profesor asistent në Departamentin e Ballkanistikës.

“Diplomacia bullgare vepronte në mënyrë shumë të butë duke pasur shpresa se këto çështje do të zgjidheshin ndërmjet të dy vendeve, por refuzimi i qeveritarëve në Shkup të realizonin detyrimet që burojnë nga Traktati i miqësisë, nënshkruar në vitin 2017, si edhe fushata e tyre agresive kundër Bullgarisë në BE, aktivizuan edhe qarqet shkencore dhe diplomatike bullgare”, thotë Pançev.

Sipas tij, kur autoritetet në Shkup tregojnë gatishmëri për realizimin e kërkesave bullgare me mjaft garanci, procesi i eurointegrimeve do të vazhdojë menjëherë, pa marrë parasysh çfarë qeverie kemi në Sofje.

Ai vlerëson se në Tiranë nuk duhet të tregojnë ndonjë “solidaritet” të keqkuptuar, por duhet të veprojnë në mënyrë aktive për realizimin e objektivave strategjike të Shqipërisë.

 

KDP: Zgjedhjet në Bullgari, me sa duket, nuk sollën një qeveri stabile. Pse kjo krizë e demokracisë në vend?

ANTON PANÇEV: Këto zgjedhje gati i përsëritën rezultatet e prillit, por tani në vendin e parë me pak përparësi doli partia “Ka një popull të tillë” dhe GERB-i e humbi pozitën primare në politikën bullgare që e mbante nga viti 2009 këndej. Shihet qartë se në Bullgari nuk mund të krijohet qeveri stabile edhe për shkak të rezultateve, por edhe më shumë për shkak të antagonizmit ndërmjet partive kryesore. Kjo nuk është krizë e demokracisë, sepse zgjedhjet e fundit ishin shumë demokratike gati pa dukuri negative tipike deri tani për procesin zgjedhor – blerje e votave, presione mbi disa grupe të popullsisë etj., por mund të kthehet në krizë të sistemit politik. Partia fituese do të bëjë përpjekje për ndryshimin e sistemit zgjedhor – nga sistemi i pastër proporcional të shkohet në sistem mazhoritar me dy raunde me qëllim që të krijohen mazhoranca stabile në parlament. Përforcohen edhe zërat se janë të nevojshme edhe ndryshime më thelbësore – sistemi parlamentar të zëvendësohet me sistem presidencial, por ende është herët për veprime të tilla.

KDP: Partia e shoumenit Slavi Trifonov, që doli e para, është një lëvizje politike populliste. A është një opsion për Bullgarinë?

ANTON PANÇEV: Kjo parti do të ketë 65 deputetë në Kuvendin bullgar nga gjithsej 240 përfaqësues dhe më 12 korrik, menjëherë pas zgjedhjeve, Trifonovi foli në televizionin e tij dhe prezantoi strukturën, përbërjen dhe prioritetet e një qeverie të mundshme. Ky veprim ishte një suprizë, sepse mendohej se Trifonovi do të kërkonte koalicion me partitë (faktikisht koalicione) e tjera që më se shumti e dëshirojnë ndryshimin e mënyrës së qeverisjes – “Bullgaria Demokratike” dhe “Çohu BG!”, me të cilat do të kishin së bashku 112 deputetë dhe me një mbështetje prej Partisë Socialiste do të krijonin një qeverisje më shumë stabile. Të gjitha këto parti e shprehën skepticizmin dhe zhgënjimin me qasjen e Trifonovit ndaj proceve politike në Bullgari dhe tani për tani nuk janë gati ta votojnë qeverinë e propozuar nga ai. “Ka një popull të tillë” do të marrë mandatin e parë për krijimin e qeverisë dhe në rast të dështimit mandati i dytë i takon GERB-it, por kjo parti nuk gëzon mbështetjen e të tjerave dhe është në izolim. Mandati i tretë jepet ndonjë partie tjetër nga presidenti, sipas mendimit të tij. Pra, ka shumë gjasa të mos krijohet prapë qeveri të rregullt dhe të ketë zgjedhje të reja në vjeshtë së bashku me zgjedhjet presidenciale.

KDP: Kush është Trifonov? Pse aq shumë besim një njeriu pa përvojë politike? Si mund të lexohet ky rezultat?

ANTON PANÇEV: Stanislav (Sllavi) Trifonov 30 vite është ndër personat më me popullaritet në showbiznesin bullgar. Ndoshta është edhe i vetmi që nuk e ka humbur pozitën e tij nëpër ekranet televizive gjatë këtyre dekadave. Nga viti 2016 ai startoi një projekt politik duke i mbledhur nënshkrimet e nevojshme për realizimin e një referendumi ku shumica e votuesve, që morën pjesë, mbështetën propozime si përdorimi i sistemit mazhoritar në vend të atij proporcional, zvogëlimi i subvencioneve shtetërore për partitë etj. Pa dyshim ai arriti një sukses të pazakonshëm në politikën bullgare dhe ka shumë spekulime kush mund të qëndrojë prapa projektit të tij politik. Ai propozoi për kryeministër Nikolaj Vasilev – zv/kryeministër (2001-2005) dhe ministër (2001-2009), nga partia NDSV e ish-mbretit Simeon, një parti që nuk ekziston më. Për postet ministrore propozoi njerëz të panjohur në politikën bullgare me diploma nga universitete perëndimore. Prioritetet e paraqitura, nëse do të zgjidhet qeveria e tij, janë të lidhura kryesisht me zhvillimin e infrastrukturës dhe me luftën e korrupsionit. Të dhënat tregojnë se shumica e votuesve të Sllavi Trifonovit janë njerëz të rinj që janë zhgënyer nga zhvillimet politike në Bullgari dhe kërkojnë ndryshime të mëdha në afate të shpejta.

KDP: Këto zgjedhje janë ndjekur me mjaft interes këndej nga ne, në Maqedoninë e Veriut. Edhe në Shqipëri poashtu. Shkaku është bllokada e Sofjes për Shkupin që të nisë bisedimet e anëtarësimit në BE. Kjo nuk ka bllokuar vetëm Maqedoninë e Veriut, por edhe Shqipërinë. BE nuk dëshiron t’i ndajë të dyja vendet në rrugën e tyre të përbashkët drejt integrimit në Union. Ne tani shohim se situata në Bullgari u komplikua edhe më tepër. Ka vend për shpresë?

ANTON PANÇEV: Kërkesat bullgare për Shkupin janë të qarta – në afate të shkurtra Shkupi të konfirmojë në OKB se emri i shtetit ka lidhje vetëm me subjektin politik “Republika e Maqedonisë së Veriut”, por jo edhe me rajonin gjeografik “Maqedonia e Veriut”, një pjesë prej të cilit ndodhet në Bullgari; Republika e Maqedonisë së Veriut përfundimisht të heqë dorë nga çdo pretendim ndaj Bullgarisë, duke konfirmuar se nuk ka baza historike, etnike dhe të tjera që të kërkojë statutin e pakicës në territorin bullgar për njerëz që nuk janë nënshtetas të Maqedonisë së Veriut; në Republikën e Maqedonisë së Veriut të fillojë proces për reabilitimin e viktimave të komunizmit jugosllav, të përndjekura për shkak të vetëdijes së tyre bullgare; Republika e Maqedonisë së Veriut të përpunojë me Bullgarinë përmbajtjen e programeve mësimore me qëllim reflektimin objektiv të historisë sonë të përbashkët sipas detyrimeve në nenin 8 të Traktatit të miqësisë, si edhe tërhiqet përmbajtja mësimore që propagandon urrejtje ndaj Bullgarisë (neni 11, p. 6); identifikimi së bashku me Bullgarinë dhe heqja e tabelave dhe mbishkrimeve në territorin e Maqedonisë së Veriut që propagandojnë urrejtje ndaj Bullgarisë dhe bullgarëve. Kur autoritetet në Shkup tregojnë gatishmëri për realizimin e kërkesave bullgare me mjaft garanci, procesi i eurointegrimeve do të vazhdojë menjëherë, pa marrë parasysh çfarë qeverie kemi në Sofje.
Të gjitha vlerësimet zyrtare bullgare janë se Shqipëria ishte gati që t’i fillojë negociatat për anëtarësim në BE që në qershor dhe qeveritarët e Shqipërisë nuk duhej ta humbnin rastin. Edhe më 1 korrik ministri i Punëve të Jashtme Svetllan Stoev tha se lidhur me politikën e zgjerimit të BE-së Bullgaria është e gatshme të fillojë menjëherë procesin e negociatave me Shqipërinë. Për Maqedoninë e Veriut ai tha se Bullgaria është e hapur për dialog, por ai duhet të jetë konstruktiv, dashamirës dhe të mbështetet te besimi tashmë i humbur. Por gjithsesi, në muajt në vijim udhëheqja e lartë politike e Shqipërisë duhet ta çojë përpara procesin eurointegrues. Askund nuk ka kusht këto dy shtete të jenë së bashku në një pako – p. sh. para disa vitesh Mali i Zi kërkoi ndarjen nga Serbia në procesin e negociatave dhe kështu ndodhi. Para dy vjetësh qeveritarët në Shkup zhvilluan një fushatë agresive në institucionet e BE-së dhe para shteteve anëtare kundër Shqipërisë me “argumente” që gjoja Tirana i paska penguar në rrugëtimin europian. Tani të njëjtët politikanë kërkojnë që të dyja vendet të mos ndahen me asnjë argumentim thelbësor. Në Tiranë nuk duhet të tregojnë ndonjë “solidaritet” të keqkuptuar, por duhet të veprojnë në mënyrë aktive për realizimin e objektivave strategjike të Shqipërisë. Nuk ka pengesa nga ana e Bullgarisë për eurointegrimet e Shqipërisë dhe askush – në Tiranë ose në Bruksel, nuk duhet të fshihet pas Bullgarisë.

KDP: A mund që Propozimi Portugez të jetë shteg për gjetjen e zgjidhjes gjatë Presidencës Sllovene?

ANTON PANÇEV: Disa përfaqësues të lartë të Portugalisë në fund të Presidencës së tyre treguan se e kuptojnë thelbin e mosmarrëveshjeve midis Shkupit dhe Sofjes. Sekretarja Shtetërore për Çështjet Evropiane, Ana Paula Zakariash deklaroi më 29 qershor: “Ne duhet ta respektojmë qëndrimin bullgar dhe e bëmë këtë. Është e rëndësishme në BE të mos sillen mosmarrëveshje dhe probleme midis vendeve. Duam ato të zgjidhen para anëtarësimit të ndonjë vendi në Bashkimin Evropian. Prandaj, nuk kishte mundësi të fillonim, sepse duhej t’i jepnim kohë Bullgarisë që ta zgjedhë këtë me Maqedoninë e Veriut para thirrjes së Konferencës Ndërqeveritare”. Ajo vazhdoi se mosmarrëveshjet “janë të lidhura me gjuhën e Maqedonisë së Veriut, që dikur ka qenë pjesë nga gjuha bullgare dhe me përmasat kulturore të dy vendeve”. Në fillim të korrikut kryeministri slloven Janez Jansha deklaroi për Radion Kombëtare Bullgare se në vend të parë është interesi i Bullgarisë dhe pastaj ky i vendit kandidat. Ai plotësoi se Sllovenia e kupton qëndrimin bullgar sa i përket refuzimit për fillimin e negociatave ndërmjet BE-së dhe Maqedonisë së Veriut. “Kur jemi në një familje, interesi i saj është në vend të parë dhe pastaj vjen ky i të tjerëve”, duke shtuar se “duhet të veprojmë si një familje, në të kundërtën jemi në rrezik”. Ai e mbështeti edhe platformën portugeze për rifillimin e negociatave. Për Sofjen është me rëndësi që shumica e vendeve në BE janë gati që të mbështesin propozimin bullgar për përfshirjen e kërkesave bullgare në negociatat e Maqedonisë së Veriut për anëtarësim dhe BE-ja të bëhet garant për përmbushjen e tyre.

KDP: Në opinionin ndërkombëtar ka një paqartësi për rolin e Bullgarisë në integrimin e Ballkanit Perëndimor në BE. Krijohet përshtypja se nga një vend prijës dhe zëdhënës i aspiratave të Ballkanit u transformua në vend bllokues. Çka ndodhi?

ANTON PANÇEV: Bullgaria i njeh mirë proceset në Maqedoninë e Veriut dhe duhet t’i mbrojë parimet themelore të Bashkimit Evropian. Nuk mund të hyjë në BE një shtet që në librat mësimorë dhe në veprat e akademikëve shpesh ka fyerje dhe nënçmime raciste kundër popullit bullgar – koncepte për “racën e bardhë” (maqedonët) dhe për “racën e verdhë” (bullgarët), janë plotësisht të papranueshme. Nuk mund të hyjë në BE një shtet që falsifikon në mënyrë absurde historinë bullgare, që përndjek njerëz për shkak të vetëdijes së tyre etnike, që shkatërron monumente kuturore, që nuk i hap dosjet e shërbimeve komuniste dhe nuk i reabiliton viktimat e shumta të këtij regjimi. Diplomacia bullgare vepronte në mënyrë shumë të butë duke pasur shpresa se këto çështje do të zgjidheshin ndërmjet të dy vendeve, por refuzimi i qeveritarëve në Shkup të realizonin detyrimet që burojnë nga Traktati i miqësisë, nënshkruar në vitin 2017, si edhe fushata e tyre agresive kundër Bullgarisë në BE, aktivizuan edhe qarqet shkencore dhe diplomatike bullgare. U përgatitën dhe janë duke përgatitur shumë punime shkencore me fakte dhe argumente që njohin opinionin e gjerë evropian dhe botëror me qëndrimin bullgar në lidhje me mosmarrëveshjet me Shkupin. Falë një veprimtarie të tillë diplomatike dhe shkencore paqartësitë rreth qëndrimit bullgar do të zbehen.

KDP: A ka gjasa që Bullgaria vetëm të luajë rolin e “policit të keq” në BE kurse, në fakt, Brukseli ende nuk është i gatshëm për zgjerim drejt Ballkanit Perëndimor?

ANTON PANÇEV: Nuk besoj se në zgjerimin e BE-së luhen role të ndryshme, por dihet se shumë politikanë në disa vende perëndimore janë skeptikë në lidhje me shtimin e numrit të anëtarëve të rinj në vitet në vijim. Madje ka zëra brenda Bashkimit Evropian se shteteve të tjera që aspirojnë për anëtarësim duhet t’u propozohet “anëtarësim të asociuar” pa e marrë statutin e plotë të anëtarit. Këto janë ide të rrezikshme që nuk duhet të diskutohen fare dhe Bullgaria nuk do të pajtohet kurrë me propozime të tilla.

 

KDP: Si i shihni iniciativat e Tiranës dhe Beogradit për një Ballkan pa kufij, apo për një Shengen Ballkanik? A mund Ballkani të bëhet Evropë pa Evropën?

ANTON PANÇEV: Në përgjithësi nuk ka diçka të keqe në përafrimin ekonomik, infrastrukturor, njerëzor midis vendeve të rajonit, në lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, shërbimeve dhe kapitaleve, por nisma dhe projekte të tilla nuk mund ta zëvendësojnë projektin mbarevropian dhe mund të jenë vetëm një ndihmesë për rrugëtimin drejt BE-së. Nga ana tletër, çdo “ide” se vendet e Ballkanit Perëndimor mund të ndërtojnë një të ardhme jashtë BE-së janë të rrezikshme edhe për integrimin evropian, edhe për të gjithë qytetarët të këtyre vendeve.

Të fundit