E shtunë, 28 Janar, 2023

NUREDINI: BRENDA 3 MUAJSH FORMOHET NDËRMARRJA PUBLIKE DHE SHËRBIMI “RANGER” PËR MALIN SHARR

Ministri i Mjedisit Jetësor dhe Planifikimit Hapësinor, Naser Nuredini, tha sot në një konferencë shtypi në Shkup se shpallja park kombëtar i Malit Sharr është një vendim historik, përcjell KDP.

Sipas tij, kjo do të rezultojë me mbrojtje të biodiversitetit të këtij masivi malor dhe do ti bashkangjitet Mavrovës, Malit Sharr në Kosovë dhe Korabit në Shqipëri. Kështu, sipas Nuredinit, do të formohet rajoni i tretë ndërkufitar, më i madhi në Evropë, ku si veçanti llogariten rrëqebulli i Ballkanit, dhia e egër, arinjtë dhe speciet tjera lokale.

Parku kombëtar, thotë Nuredini, “do të jetë bazë e mirë për krijimin e brendeve lokale, për ushqimin lokal, objektet gastronomike dhe turistike”. “Me këtë do të rritet fuqia e shitjes në rajon dhe do të nxitet zhvillimi i turizmit në të gjitha format e tij. Priten shumë projekte me mbështetje ndërkombëtare, ndërsa me zhvillimin e turizmit edhe punësime të reja dhe gjenerim i të hyrave.”

Sipas tij, status të veçantë ligji do të mundësojë për Qendrën e Skijimit “Kodra e Diellit”, ku ndërtimet pa leje do të vazhdojnë të mbeten të jashtëligjshme, por do të mbetet mundësia për zhvillim të turizmit.

Nuredini sqaron se hidrocentralet e vogla për të cilat është dhënë leje, janë çështje e diskutimeve, duke shprehur optimizëm se disa prej tyre që kanë leje, ndërsa ende nuk kanë filluar të ndërtojnë – do të heqin dorë nga qëllimi.

Nuredini u bëri thirrje qytetarëve ta ruajnë pasurinë natyrore në Malin Sharr, duke paralajmëruar formimin e shërbimit të ranger-ëve, apo rojeve të pyllit.

Ai tha se Shërbimi Ranger do të kujdeset për Parkun Kombëtar Shar Planina, njoftoi sot Ministri i Mjedisit ndërsa brenda tre muajsh qeveria duhet të krijojë një institucion kombëtar që do të menaxhojë parkun.

“Struktura e menaxhimit do të jetë e njëjtë me parqet e tjera. Do të ngrihet një shërbim rojesh për të parë dhe ruajtur parkun kombëtar. Është thelbësore që aktivitetet specifike të ndaluara të përcaktohen në planin e menaxhimit i cili do të miratohet brenda një viti. Plani i menaxhimit do të bëhet me ekspertë të huaj, do të ketë dëgjime publike dhe do të jetë transparent,” tha Nuredini.

Sipërfaqja e përgjithshme nën mbrojtje është 62,705 hektarë, nga të cilat 26.5 përqind janë në zonën e mbrojtjes së rreptë, 49.06 përqind në zonën e menaxhimit aktiv dhe 22.2 përqind në përdorim të qëndrueshëm. Siç tha Nuredini, do të sigurohet një rrip mbrojtës i cili do të mundësojë zhvillim të qëndrueshëm të këtij parku.

Të fundit