E enjte, 2 Shkurt, 2023

RAPORTET BE-BALLKAN NË KRIZË, KUSH PËRFITON?

Autor: Xhelal Neziri

 

Në Ballkan ekziston një kulturë e rrezikshme e moszbatimit të marrëveshjeve. Nënshkruhen me vështirësi dhe zbatohen me vështirësi edhe më të mëdha. Kjo mbase është rezultat i zgjidhjeve të imponuara, gjë që është pasojë e papjekurisë politike të autoriteteve për të arritur vetë një kompromis.

Marrëveshja e Ohrit ishte paraparë të përfundojë me zbatimin në vitin 2004, por kjo ndodhi në vitin 2017, me sjelljen e ligjit për zyrtarizimin e shqipes. Serbia nuk ka zbatuar pjesën më të madhe të marrëveshjeve me Kosovën. Të njëjtën ka bërë edhe Kosova, sidomos me moszbatimin e Marrëveshjes së Brukselit, e cila parashikon themelimin e Asociacionit të Komunave Serbe.

Çështja që hapet këto ditë është nëse mund të rrezikohet zbatimi i Marrëveshjes së Prespës me Greqinë shkaku i pamundësisë për nisjen e bisedimeve për anëtarësim në BE.

Jo vetëm për shkak të vetos së Bullgarisë, por pikërisht shkaku i kësaj mendësie ballkanase të bishtnimit nga zbatimi, ka pasur tentime që disa pjesë nga Marrëveshja e Prespës të mos zbatohen. E fundit ishte mospëmbushja e obligimit për riemërimin e Federatës së Futbollit të Maqedonisë, me qëllim që të reflektojë emrin e ri të shtetit.

Në fakt edhe me Bullgarinë gjithçka filloi para një viti kur u konstatua ngecje e madhe në zbatimin e Traktatit të Fqinjësisë së Mirë, i nënshkruar nga kryeministrat e dy vendeve. Aty Shkupi është zotuar t’i qaset shkencërisht të kaluarës para Luftës së Dytë Botërore, të festohen disa figura si të përbashkëta dhe të ndalojë propaganda anti-bullgare në tekstet shkollore dhe historike. Komisioni i përbashkët, i përbërë nga historianë dhe shkencëtarë nga të dyja vendet, nuk e çuan përpara zbatimin e Traktatit shkaku i qëndrimit të fuqishëm të anëtarëve maqedonas. Këtu filloi përkeqësimi i raporteve që solli veton.

Për dallim nga Traktati me Bullgarinë, Marrëveshja e Prespës me Greqinë ka për garant BE, SHBA dhe OKB. Në një hapësirë të tillë është rëndë të iket nga përgjegjësia e zbatimit. Kjo e bën Marrëveshjen e Prespës një dokument të pacënueshëm, gjë që tregon edhe paralajmërimi i presidentit Joe Biden se do të futë në listën e sanksioneve çdokënd që do të kundërshtojë këtë dokument.

NGA PROCESI I BERLINIT TE SHENGENI RAJONAL 

Më 5 tetor u mbajt takimi i fundit i kancelares gjermane me krerët e Ballkanit Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit. Pas 7 vitesh lëvizje nëpër qendra të ndryshme evropiane, procesi kthehet në Berlin në një moment delikat për raportet BE-Ballkan. Qeveritë e Ballkanit ndjehen të tradhëtuar nga Brukseli shkaku i pamundësisë që procesi i zgjerimit të çlirohet nga vetot dhe bllokadat e vendeve anëtare. Edhe Procesi i Berlinit, me gjithë rezultatet e arritura, po humb tempin dhe përkrahjen shkaku i këtij ngërçi.  Në vitin 2014 u nis nga Merkel për të mbajtur Ballkanin Perëndimor afër BE-së, por tani vendet ballkanike duket se duan të shtyjnë përpara një proces më autonom që është përplotësues me atë të Berlinit. Bëhet fjalë për Shengenin Rajonal, një nismë e përbashkët e presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe kryeministrit shqiptar Edi Rama.

Kryeministri kosovar Albin Kurti vazhdon të refuzojë pjesëmarrjen në nismën për Shengenin Rajonal. Javë më parë, takimi i mbajtur online mblodhi vetëm Ramën, Vuçiqin dhe Zaevin. Rezerva ndaj nismës kanë edhe Mali i Zi dhe Bosnja e Hercegovina.

Të gjithë liderët e Ballkanit u mblodhën këto ditë edhe në Prespa Dialogue Forum. Marrëveshjet historike dhe integrimi në BE ishin tema boshte. Në margjinat e Forumit lideri i BDI-së, Ali Ahmeti, uli bashkë në një tavolinë Ramën dhe Kurtin. A arriti që Rama të bindë Kurtin që të bëjë Kosovën pjesë e Shengenit Ballkanik, nismë që duhet të marrë emër dhe formë konkrete në takimin e 29 korrikut në Shkup? Jo. Kurti duket se ende është peng i diskurseve anarkiste nga e kaluara. Këto diskurse kanë dominuar në masë të madhe opinion publik në Kosovë. Refuzimi i iniciative rajonale është rezultat i një politike të jashtme të papjekur, e pranishme që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. As kryeministrat paraprak të Kosovës, Abdullah Hoti apo Ramush Haradinaj, nuk pranuan të marrin pjesë. Është një politikë kokëforte izoluese e Kosovës, faturën e të cilës e paguajnë qytetarët e këtij shteti. Problemi i Kurtit është se ideja e Shengenit Rajonal ka për autorë edhe Ramën, për të cilin në Kosovë tashmë ka ndërtuar rrëfimin se është bashkëpunëtor i Vuçiqit. Është rëndë për një politikan të dalë jashtë rrëfimit që vetë e ka ndërtuar. Kurti thotë se është i gatshëm të marrë pjesë në nismën e Samitit të Sofjes për bashkëpunim ekonomik, por assesi në këtë. Ndërkohë, është pikërisht Marrëveshja e Washingtonit që e obligon Kosovën të marrë pjesë në Shengenin Rajonal. Kjo Marrëveshje, e arritur gjatë mandatit të ish-presidentit Trump, u riafirmua edhe nga presidenti Biden.

Shkaku i vendimeve të gabuara Kosova ngeli padrejtësisht pa liberalizim vizash vetëm pse në vitin 2019 refuzoi të heqë taksën prej 100 përqind ndaj mallrave serbe. Më vonë këtë e bëri, por e lëshoi momentin kontratës me Brukselin.

E ARDHMJA E BALLKANIT 

Ballkani ka dy rrugë: o do të ecë pa vonesa drejt integrimit në Bashkimin Evropian, o do të vazhdojë të funksionojë në konflikt të përhershëm midis popujve të ndryshëm. Vendet që janë pjesë e NATO-s, si Maqedonia e Veriut, Shqipëria dhe Mali i Zi, e kanë vulosur në masë të madhe stabilitetin dhe sigurinë e tyre. Kosova dhe BeH janë në një situatë më delikate. Në të dyja vendet kemi mungesë të funksionimit të shtetit në tërë territorin shkaku i kompaktësisë së rajoneve me shumicë etnike Serbe, të cilët në Bosnjë kanë tendencë separatiste, kurse në Kosovë irredentiste. Në Bosnjë është Republika Srpska, ndërsa në Kosovë – Veriu i vendit. Gjetja e zgjidhjeve për problemin ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe për krijimin e një shteti funksional në BeH lidhen ngushtë me perspektivën evropiane. Të gjitha opsionet janë mbi tavolinë.

Zgjidhja e problemit Prishtinë-Beograd, që do të kishte si epilog njohjen e ndërsjellë, do të paqësonte në masë të madhe Ballkanin. Serbia dhe Kosova janë dy shtetet e vetme të rajonit që ende janë në një konflikt të ngrirë. Negociatat për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse në periudhën e ardhshme do të futen në një fazë kritike. Në të dyja shtetet kemi qeveri stabile, me figura politike – si Vuçiq dhe Kurti – që kanë legjitimitet të nënshkruajnë dhe të zbatojnë marrëveshje historike. Tani Washingtoni dhe Brukseli flasin në një zë kur janë në Prishtinë apo Beograd. Ndikimi i Rusisë dhe Kinës në Ballkan nxit edhe më shumë Perëndimin të përfshijnë në strukturat euroatlantike edhe këtë pjesë të Europës. Të gjitha këto faktorë e bëjnë zgjidhjen e çështjes Prishtinë-Beograd më të besueshme.

 

Të fundit