E mërkurë, 1 Shkurt, 2023

NEZIRI PËR ALBANIAN POST: NË BALLKAN KA KULTURË TË MOSRESPEKTIMIT TË MARRËVESHJEVE, KY ËSHTË BURIM I PËRHERSHËM I PROBLEMEVE

Ballkani është i njohur për mosrespektimin e marrëveshjeve. Shtetet diskutojnë, merren vesh, por pastaj nuk i respektojnë ato për të cilat janë marrë vesh. Dialogu Kosovë-Serbi ka prodhuar plot raste të tilla. Megjithëse garant i tyre është Bashkimi Evropian, Serbia ka refuzuar t’i zbatojë.

Relacionet Maqedoni e Veriut – Greqi, u tendosën së fundmi pas refuzimit për përmbushjen e obligimit që lidhej me riemërimin e Federatës së Futbollit të Maqedonisë, me qëllim që ta reflektojë emrin e ri të shtetit.

“Me Bullgarinë gjithçka filloi para një viti, kur u konstatua ngecje e madhe në zbatimin e Traktatit të Fqinjësisë së Mirë, i nënshkruar nga kryeministrat e dy vendeve”, kujton ai.

Por, për analistin nga Maqedonia e Veriut, Xhelal Neziri, në rastin e Marrëveshjes me Greqinë, moszbatimi i saj është pothuaj i pamundur, meqë garant në të janë edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Sidoqoftë, të cenosh marrëveshjen e arritur, vazhdon Neziri, do të thotë të bëhesh pjesë e sanksioneve të parlajmëruara nga presidenti amerikan, Joe Biden.

Neziri thotë për Albanian Post se vlerëson që “ngecja e negociatave me Shqipërinë dhe MV-në nga Bashkimi Evropian është një zhgënjim i madh, që mund t’i minojë shumë procese dhe të arritura në të dy vendet”.

Në vjeshtën e këtij viti bëhen dy vjet qëkur kryeministri Edi Rama vizitoi Serbinë, nga ku do fliste për idenë e një zone të lirë, të tipit të Schengen-it, për Ballkanin. Nga ajo kohë janë mbajtur disa takime, por vetëm tre shtete janë pajtuar për të: Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut. Edhe takimi i fundit mbi idenë u bë vetëm midis këtyre tre shteteve. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sikur ata paraprakë Ramush Haradinaj e Avdullah Hoti, ka refuzuar të marrë pjesë. Bosnja e Hercegovina dhe Mali i Zi kanë shprehur skepticizëm për idenë.

Për Xhelal Nezirin refuzimi i kryeministrit Kurti është pasojë e të qenit peng i diskursit anarkist të së kaluarës. “Refuzimi i një iniciative rajonale është rezultat i një politike të jashtme të papjekur. As kryeministri paraprak i Kosovës, Avdullah Hoti nuk pranoi të marrë pjesë. Është një politikë kokëfortë izoluese e Kosovës, faturën e së cilës do ta paguajnë qytetarët e saj”, thekson ai.

Sipas Nezirit, problemi kryesor i Kurtit është që “kjo nismë për autor e ka kryeministrin Edi Rama, për të cilin në Kosovë ai e ka ndërtuar rrëfimin e të qenit bashkëpunëtor i (Aleksandar) Vuçiçit”.

 

Të fundit