E shtunë, 28 Janar, 2023

SHENGENI RAJONAL: Gjashtë brinjë dhe një trekëndësh ballkanik

Schengen ballkanik. Mini Schengen. Schengen rajonal.

Mund të quhet në shumë mënyra, por qëllimi është i njëjtë: bashkimi i gjashtë ekonomive të atyre vendeve që kanë mbetur të quhen “ballkanike”, duke i rikonstruktuar në korniza të ngjashme me atë të Bashkimit Evropian, ku kufijtë janë imagjinarë dhe lëvizjet – qoftë njerëzore, qoftë doganore – janë të lira.

Pikërisht për këtë do të shërbejë takimi i sotëm virtual, midis tre krerëve të tre shteteve ballkanike.

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, do të jetë në një konferencë të përbashkët me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev dhe me Presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiç.

Kosova, nga ana tjetër, ka hedhur poshtë çdo ftesë të mundshme mbi diskutimet e projektit madhor, duke e lënë veten kështu jashtë foltoreve reale apo virtuale.

Në bisedime, por shumë skeptike, janë edhe Mali i Zi dhe Bosnja dhe Hercegovina. Gjashtë brinjë ballkanike, momentalisht formojnë vetëm një trekëndësh.

Por, a duhet të jetë kështu?

Për studiuesin e medias dhe politikave rajonale, Abit Hoxha, vetë ideja e Schengen-it rajonal, do të thotë që duhet të përfshihen të gjitha shtetet. “Në të kundërtën, ai nuk ka kuptim”, thotë Hoxha.

“Mbi të gjitha duhet të përfshihen Kosova dhe Maqedonia e Veriut”, argumenton ai. “Kjo, sepse janë shtete me problematika në rajon, por edhe Bosnja”.

Sipas tij, janë dy, çështjet që i afrojnë shtetet në këtë përbashkësi: bashkëpunimi i ngushtë rajonal dhe integrimi evropian.

Ndaj, një marrëveshje trekëndore Tiranë-Shkup-Beograd, ai e cilëson si “ndër më boshet në rajon, nëse ndodh”. Por, për këtë pjesë, thekson se vendimi i Kosovës për të mos u përfshirë, do të ishte një gabim i madh politik dhe strategjik.

“Pikërisht aty, do të fillonte një vetëizolimi i Kosovës. Jo vetëm rajonal, por edhe më gjerë”, sqaron Hoxha.

Megjithatë, ky përbashkim i Ballkanit, mund të ketë edhe oshilacione për mesazhet e përcjella. Këtu, Hoxha përmend euroskepticizmin, i cili, sipas tij, ekziston në Ballkan.

“Secili hap në drejtim të kundërt me integrimin evropian, çon ujë në mullirin e euroskepticizmit. Ka edhe në Ballkan, për sa i përket integrimit në BE. Vendimi për Shkupin e Tiranën së fundmi, e dëshmon këtë”.

“Po ashtu, vendimi i vizave për Kosovën, i cili po kthehet në qesharak për unionin, duke mos treguar unison për vendime të tilla”, përfundon Hoxha.

Heksagoni i (pa)mundur

“I tërë rajoni numëron 18 milionë banorë, me një GDP sa gjysma e Rumanisë dhe i copëzuar në disa shtete me ligje, kufij e dogana që pamundësojnë qarkullimin e lirë të njerëzve dhe mallrave. Ndaj, këto iniciativa të bashkëpunimit rajonal janë shumë të rëndësishme”.

Kështu mendon analisti politik Xhelal Neziri, i cili për Albanian Post, thotë se që të ketë sukses, duhet që të gjashtë vendet ballkanike të jenë pjesë e saj.

Sipas tij, ndër efektet kryesore, do të jetë ai i stabilitetit që do të sjellë në rajon. Kjo, edhe pas tre dekadave shumë të trazuara, që prej vitit 1990.

“Një efekt tjetër, do të jetë lehtësimi që do të sjellë heqja e barrierave ekonomike për lëvizjen e mallrave. Kjo do të nxisë më tej ekonominë e gjashtë shteteve”.

Aspekti i fundit ndërkaq, lidhet me integrimin evropian të rajonit, sipas projektit të Schengen-it rajonal. Ky, sipas Nezirit, është një proces në tërësi përplotësues i atij të Stabilizim-Asociimit.

Ndryshe nga Hoxha gjithsesi, Neziri mendon se ka sens që iniciatore të jenë fillimisht tre vende të rajonit. Ai këtë fakt, e lidh me krijimin e vetë BE-së, ku themeluese ishin gjashtë vende. Sot ndërkohë, unioni ka 27 anëtarë dhe është ndër ekonomitë më të fuqishme të botës.

“Ndaj, për këtë arsye, Schengen-i rajonal mund të nisë me themeluesit dhe të zgjerohet më tej. Kjo, si një paradhomë e integrimit evropian”, nënvizon ai.

Gjashtë+

E mira do të ishte që, si të thuash, jo vetëm vendet e Ballkanit, por edhe të Mesdheut tjetër, mund të ishin konsideruar, por kaq kemi arritur të bëjmë, thotë gazetari Frrok Çupi. Ai vlerëson se vendet e Ballkanit Perëndimor, janë edhe kuptim politik, jo vetëm gjeografik.

Kjo mundësi sipas tij, është fat, pasi specifikat e të gjashtë vendeve, janë përbashkuese. Por, njëkohësisht, edhe ndarëse, referuar vendeve të tjera territorialisht në Ballkan, por që nuk cilësohen si të tilla, për shkak se janë integruar në union tashmë.

Pikërisht për faktin sepse gjashtë vendet janë pezull në proces, kjo nismë e Schengen-it Ballkanik, është një pikë kulmore e iniciativave politike në Ballkan sipas Çupit.

Andaj, nuk ka pse pritet për kuorume të plota, aq më tepër kur merren vendime.

“Samiti i nesërm, është një Samit për vështirësitë që ka krijuar shtrirja e Evropës në këto zona”, nënvizon ai. “Është e tillë, sepse Evropa na ka parë si konfliktualë më parë. Ndërsa, tashmë, është hera e parë në histori, që janë tre vende bërthamë të Ballkanit, në një aleancë të tillë”.

Koncepti është i qartë për gjysmën e vendosur të Ballkanit, por i paqartë për brinjët e tjera, të cilat e lënë hexagon-in në një trekëndësh momentalisht. Një trekëndësh me gjashtë brinjë, tre prej të cilave janë të hijëzuara dhe presin çfarë do të ndodhë.

Por, mbi vendimmarrjet, nevojitet durim. Minimalisht, duhet parë rezultantja e trinomit, nëse pikat puthiten plotësisht dhe përmbyllet perimetri i parë i një gjeograme të hapur.(Albanianpost.com)

 

Të fundit