E enjte, 2 Shkurt, 2023

Grenell i “mashtruar” nga serbët, si shqiptarët nga Albini

Autor: Mero Baze

Zemërimi i shqiptarëve me postimin e Richard Grenell rreth betejës së Fushë Kosovës, është një ilustrim tipik i fuqisë me të cilin mitet serbe rreth Kosovës janë rrënjosur në historinë dhe politikën botërore.

Richard Grenell e njeh betejën e Fushë Kosovës në mënyrën më sipërfaqësore të mundshme, siç e njeh shumica e botës. Shpjegimet tona të hollësishme rreth betejës së Fushë-Kosovës si një aleancë ballkanike kundër osmanëve, dhe akoma më tepër, shpjegimet tona për kontributin e shqiptarëve kundër osmanëve në atë betejë, ekzistojnë vetëm në literaturën e ngushtë profesionale historike rreth asaj beteje dhe në literaturën tonë.

Ata që gjykojnë shkurt e thjeshtë në botë, është që ajo ishte një betejë mes myslimanëve turq dhe të krishterëve në Fushë Kosovë, dhe tashmë meqë të krishterë kanë mbetur serbët, ata mbartin lehtësisht dhe mitin e betejës. Shqiptareve u ka mbetur Xhamia e Mehmet Fatihut.

Dhe nuk është mëkat pse Grenell e njeh kështu. Ish-shefi i tij Trump, as e dinte fare ku binte Kosova. Kujtoni pak humorin e zi që bënim me veten, kur e përzieu atë fjalinë rreth marrëveshjes së Uashingtonit me vendet arabe.

Tani eja të fajësojmë gjithë shqiptaret që mbështesnin Trump-in, si antishqiptarë. E rëndësishme është që SHBA e di ku bie Kosova, çfarë është dhe çfarë do të jetë fati i saj.

Prandaj kjo revolta ndaj Grenellit duhet kursyer, pasi ai nuk është as i vetmi dhe as fajtor pse nuk e njeh historinë e Kosovës. Ai po sulmohet me shume si alibi për dështimet e Albin Kurtit me politikën amerikane.

Richard Grenell, ish-ambasador i Trump në Gjermani dhe në fund dhe i dërguar i tij për Kosovën, sot është një njeri i lire, pa pushtet. Në këtë kuptim, gafat e tij janë më pak të rrezikshme se ato që bënte kur ishte në pushtetin e presidentit Trump.

Nëse do të gjykojmë për rolin e tij si i dërguari i presidentit Trump për Kosovën, është tjetër çështje. Marrëveshja e Uashingtonit, e nënshkruar me ndërmjetësinë e tij, është ende në fuqi dhe e konfirmuar dhe nga administrata e presidentit Biden.

SHBA nuk lejon që historinë e marrëdhënieve mes dy shteteve ta konsiderojë si histori personale ambasadorësh apo të dërguarish specialë.

Ambasadori i SHBA në Kosovë ka deklaruar se historia e Kosovës nuk fillon me Albin Kurtin dhe se ai duhet të vazhdojë punët e nisura nga të tjerët.

Kështu që cektësia e njohurive të Grenellit si njeri i papunë rreth historisë së Kosovës, nuk është kurrfarë alibie për të justifikuar problemet e Albin Kurtit me SHBA.

As gjuha homofobike ndaj tij nuk është problem i SHBA me Kurtin, por frustrime militantesh shqiptare. Këto janë të gjithë frustrime nga mungesa e kurajës për t’u përballur me dialogun dhe SHBA, për shkak të gënjeshtrave të Albin Kurtit.

Dhe gënjeshtrat e Albin Kurtit për qytetarët e vet, janë shumë herë më të këqija për shqiptaret, se gënjeshtrat e serbëve për historinë e tyre, që i beson dhe Grenelli. Ato tregojnë se serbët janë gënjeshtarë të suksesshëm në botë. Si Albin Kurti ndër shqiptarë.

Artikulli paraprak
Artikulli tjetër

Të fundit