E enjte, 2 Shkurt, 2023

PAS VETOS BULLGARE

Autor: Leonidha Mërtiri 

 

Vetoja bullgare u shfaq përsëri si pengesë e pakapërcyeshme në udhën e integrimit europian të Maqedonisë së Veriut. Jo dhe… aq e papritur kjo për këtë të fundit. Paralajmërimet deri në kërcënime të Sofjes ndaj fqinjit tonë lindor kanë gjashtëmbëdhjetë vjet, nga viti 2005, qyshkur Shkupi u ftua për hapjen e bisedimeve në Bashkimin Europian, duke pritur datën për këtë qëllim. Greqia, nga ana tjetër, i vuri bllokadë të plotë hyrjes së këtij vendi në strukturat euroatlantike, pa u zgjidhur përfundimisht problemi i emrit, konflikt që do të behej gangrenë e zgjatur në marrëdhëniet Athinë-Shkup dhe ku faktori ndërkombëtar do të delegonte pa pushim të dërguarit e vet për një zgjidhje përfundimtare.

Klima antibullgare, konfliktuale përgjithësisht, e krijuar në Maqedoninë e Veriut gjatë qeverisjes, sidomos të Nikolla Gruevskit, do ta gjallëronte dhe veton e Bullgarisë në muajt dhe vitet që do të vinin. Bullgarët nga ana e tyre i shohin maqedonasit si bullgarë dhe gjuhën maqedonase si dialekt të asaj të tyre. Probleme tepër sensitive këto, që lidhen me identitetin e një populli. Çështjet e gjuhës dhe të kombit, ngritur vazhdimisht nga bullgarët, do t’u frynin kështu dhe tani kacekëve të kësaj vetoje.

Kjo situatë nuk mund të mos sjellë zhgënjim dhe humbje besimi, në veçanti te maqedonasit, por edhe te shqiptarët, të cilët pas “po-së” së Holandës ishin më me shpresë për hapjen e negociatave. Shto këtu edhe premtimet e krerëve të ndryshëm të strukturave të BE-së. Tani e tëra duket si një lojë “hapu-mbyllu” e BE-së, që më shumë e komprometon politikën e saj të zgjerimit. Për rrjedhojë, një kredibilitet në rënie i saj.

“Nuk arritëm që të miratojmë kornizën negociuese dhe të caktojmë datat për fillimin e konferencave të para ndërqeveritare”, tha Ana Paula Zacarias, Sekretare Shteti për problemet e Europës në Ministrinë e Jashtme të Portugalisë, që ka mbajtur presidencën e BE-së gjatë këtij gjashtëmujori. Si për ngushëllim, ajo inkurajonte presidencën sllovene për realizimin e hapjes së këtyre negociatave. E çuditshme. Para një viti, vendimi i BE-së ishte që kjo hapje të ndodhte me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë. Për ministrin Gjerman të Europës, Michael Roth, të dyja këto vende i kanë plotësuar kushtet dhe “ne duhet të bëjmë tonën”. Por BE-ja nuk bën asgjë. Vetoja bullgare sikur erdhi në mënyrë të papritur e si pengesë që nuk kalohet lehtë. Duke dashur që të dyja vendet të jenë së bashku, sikurse thuhet, në paketë, nuk shkëputet në këtë rrugëtim për në BE nga Maqedonia e Veriut, edhe pse Bullgaria, duke rikonfirmuar ndërkohë mbështetjen e saj ndaj Shqipërisë, ka propozuar ndarjen e saj nga vendi për të cilin ajo ka vënë veton. Megjithatë, Shqipëria ndëshkohet prej vetos së saj. Tërheqja e atyre vendeve që nuk ishin dakord më parë për Shqipërinë, sikurse Holanda, Franca, Danimarka, dalja e një kundërshtari të ri, nesër… e një tjetri, të gjitha këto krijojnë përshtypjen e një mosserioziteti të BE-së, ku rolet ndahen sipas situatës.

Bullgaria është i pari vend që e ka njohur Maqedoninë e Veriut, me emrin e saj kushtetues, në janar 1992, por duke mos njohur kombin dhe gjuhën maqedonase. Vite më vonë, në gusht të vitit 2017, të dyja vendet nënshkruan Marrëveshjen e Miqësisë, edhe pse problemet që përmendem mes tyre, përsëri rrinin ndezur. Maqedonia e Veriut është mësuar me bllokada të tilla: Së pari, me bllokimin nga Greqia, më pas nga Franca, që lidhej me çështje të zgjerimit të BE-së dhe tani – nga Bullgaria. Por kjo nuk do të thotë se ftohja e këtyre marrëdhënieve do t’i izolojë nga kontaktet dypalëshe, edhe pse çka të bëjë me identitetin maqedonas vështirë të gjejë vend në tryezën e bisedimeve. Sikurse nuk është i lehtë dhe mënjanimi apo heqja dorë nga kërkesat e njohura bullgare. Përvoja dhe e vetë Maqedonisë së Veriut flet qartë. Ftesa për anëtarësimin në NATO asaj iu bë në 2008-ën dhe Marrëveshja e Stabilizim Asocimit në BE, u nënshkrua në vitin 2004. U deshën vite që ngërçi me Greqinë të tejkalohej me arritjen në Marrëveshjen e Prespës, më 17 qershor 2018. U humb kaq shumë kohë. Ja pse nuk duhet rënë në prehrin e pengesave të tilla, siç është dhe vetoja bullgare.

Ndryshe, qëndrime si këto në gjirin e BE-së u japin krahë dhe inkurajojnë nacionalizmat. Hajde t’i shkulësh pastaj. E kështu sheh “fiku fikun”. Ndryshe nuk ka si shpjegohet, që, menjëherë pas vetos së Bullgarisë, në Greqi u ngritën zëra që duan të vënë në pikëpyetje Marrëveshjen e Prespës. Prandaj edhe krijohet përshtypja se BE-ja e ka të keqen me veten.

Kështu, me sa duket, kjo frymë nacionalizmi u intereson qarqeve bullgare. Së pari, për të treguar se nuk mbeten prapa të tjerëve, se me këtë zhurmë, qoftë kjo dhe e tillë, bëjnë diçka më shumë për vendin në krahasim me paraardhësit e tyre. Së dyti, e tërë kjo shihet ndoshta edhe si mundësi për tërheqjen e më shumë simpatizantëve në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, që do të zhvillohen pas nëntë muajve.

 

Autori ka qenë Ambasadori i parë i Shqipërisë në Shkup

Të fundit