E enjte, 2 Shkurt, 2023

Shqipëria drejt Bashkimit Europian, “peng i Ballkanit”

Autor: Ergi Picaku, A2 CNN

Me marrjen e statusit të vendit kandidat, 7 vite më parë, Shqipëria nisi edhe përpjekjen për të kaluar në stadin tjetër në rrugëtimin e integrimit, atë të hapjes së negociatave të anëtarësimit. Një seri kushtesh për t’u plotësuar, me në krye ato të Bundestagut gjerman, ishin si kalim me pengesa, vështirësuar edhe nga skepticizmi i disa prej vendeve anëtare të Bashkimit Europian, me në krye Holandën dhe Francën.

Emanuel Macron këmbënguli në ndryshimin e metodologjisë së zgjerimit, duke e bërë të kthyeshëm procesin. Vetëm pasi presidenti francez mori çfarë kërkoi, Shqipërisë iu tha “Po” në mars 2020. Në një mbledhje online, ndërsa e gjitha bota ishte e izoluar nga Covid-19, Këshilli Europian vendosi të hapë negociatat e anëtarësimit me Tiranën, duke marrë parasysh progresin e arritur në reformat dhe përmbushjen e kushteve të përcaktuara që prej vitit 2018.

Të njëjtin lajm të mirë mori edhe Maqedonia e Veriut, që më herët kishte ndryshuar emrin për të zgjidhur problemin e vetos greke. Drita jeshile për të dy vendet rezultoi të ishte e vizatuar vetëm në letër. Fatet e dy vendeve aspirante vijojnë të mbahen të lidhura me njëra-tjetrën me kuadrin negociator ende të pamiratuar, si për Tiranën ashtu edhe për Shkupin.

2021 shpresohej të ishte viti i uljes në tryezën e negociatave për dy vendet, që do të shënonte edhe hapjen faktike të bisedimeve të anëtarësimit. Për herë të parë, asnjë vend anëtar nuk shfaqi kundërshti ndaj Shqipërisë, përfshirë Holandën. Pengesa erdhi nga Bullgaria, që ngriti veton ndaj Maqedonisë së Veriut, duke pretenduar konflikte dypalëshe mbi historinë dhe gjuhën e vendit fqinj.

Pavarësisht përpjekve në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të Unionit nuk arritën të gjenin një marrëveshje për të zhbllokuar situatën. Por injorimi që Brukseli i bëri zgjerimit, duket se nuk shqetëson as kryeministrin Edi Rama. Kreu i qverisë udhëtoi drejt Shkupit ku, me në krah homologun e trishtuar Zoran Zaev, drejtoi gishtin e përgjegjësisë ndaj Bashkimit Uuropian. “Nuk është problemi tek ne, është çështje e brendshme e BE. Nuk e prish gjumin se kur do merret vendimi për ne. E rëndësishme është që ne e kemi bërë punën tonë dhe ata e konfirmuan këtë. Kur të jenë gati të na thonë, ne do vijomë punën. Sfida për ne është të ndërtojmë një shtet europian me institucione europiane, këtu në Shqipëri, Maqedoninë e Veriut dhe Ballkanin Perëndimor”.

Rama nuk nguroi të kërcënonte Europën duke lënë të nënkuptohet se në rast të një refuzimi të vazhdueshëm, Shqipëria do jetë e detyruar të ndjekë një tjetër kurs nga ai i integrimit europian. “Ne e duam BE, ata thonë se na duan ne por nuk janë gati për martesë,  kështu që ne shijojmë lirinë tonë deri sa të martohemi”.

Refuzimi ishte një goditje e fortë edhe për Maqedoninë e Veriut, që pas zgjidhjes së konfliktit me Greqinë për çështjen e emrit tashmë duhet të përballet me një tjetër pengesë që sipas gazetarit Xhelal Neziri është me e madhe se ajo me grekët. “Është një çështje më sensitive se ajo e emrit me Greqinë, pasi këtu preket pikërisht historia dhe gjuha. Problemi që vazhdon prej dekadash, mbi atë që është histori e përbashkët bullgare maqedonase ose për gjuhen, duhet të zhvillohen në baza shkencore ose në nivel bilateral, ndërkohë që mos të bllokohet integrimi i vendit”, thotë ai.

Analistët Gjergji Vurmo dhe Gledis Gjepali nuk gjejnë arsye për të justifikuar vendimin e Brukselit. Rreziku, paralajmërojnë ata, është ulja e besimit ndaj unionit. “Është një situata absurde si për ne si për Maqedoninë e Veriut. Është një situata absurde edhe për bashkimin evropian që nuk besoj se e ka luksin të mbetet peng i absurditetit”, thotë Vurmo. “Situata nga vetë vendet e BE duket që nuk është pozitive dhe kjo krijon edhe një ulje të imazhit të BE por edhe një dekurajim për vendet”, shprehet Gjepali

Çështja e integrimit ndezi edhe debatin në Parlament, ku opozitari Ralf Gjoni nuk kurseu kritikat ndaj ndërkombëtarëve. “Është e turpshme vendimi i Bashkimit Europian për të penguar vazhdimësinë e hapjes së negociatave për Maqedoninë dhe Shqipërinë. Është i turpshëm dhe nuk duhet toleruar nga ana jonë. Mbyll dyert, blloko negociatat, merri shqiptarët si larës prapanice”.

Mazhoranca socialiste duket se parashikon probleme edhe në të ardhmen me votën unanime që kërkohet për vendimmarrjet e Brukselit, ndaj sugjeron ndryshim të sistemit. “Nuk është në përgjegjësinë e qeverisë shqiptare, as të kuvendit të Shqipërisë, as të Shqipërisë në tërësi mungesa e një vendimmarrjeje. Ne nuk jemi pjesë e Bashkimit Europian dhe këshilla jonë e vetme është që BE duhet ta ndryshojë këtë sistem vendimmarrës së ndryshe nuk merr dot vendime”.

Pretendimi i mazhorancës socialiste për të mos marrë asnjë përgjegjësi mbi veten nuk bind të gjithë. Fakti se askush nuk doli kundër Shqipërisë nuk do të thotë se pritemi me krahë hapur. “Për sa kohë Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut mbahen të lidhura me njëra-tjetrën, Tirana zyrtare duhet të shpresojë te zgjidhja e problemeve të Shkupit me fqinjin bullgar. Një konflikt që jo gjithkush mendon se është i natyrës dypalëshe”, thotë Afrim Krasniqi. “Edhe kjo e Bullgarisë është e turpshme. Jo në kuptimin që ne e meritojmë integrimin sepse vendi duhet të kalojë disa etapa. Duhet thënë që Bullgaria ka mbajtur një qëndrim prej skuthi”, u shpreh Lutfi Dervishi në “Absolut 4”. Bullgaria nuk është fare pengesa e radhës, unë e shoh si një alibi që shyqyr që e gjeti Bashkimi Europian”, tha Edlira Gjoni.

Kësaj teze i vjen në ndihmë edhe mungesa e vëmendjes që prej shumë vitesh Unioni i dedikon temës së zgjerimit. “Duhet të ketë një qasje strategjike në politikën e zgjerimit. Ka 15 vjet që kjo nuk konsiderohet një qasje strategjike nga ana e BE. Qartazi Bashkimi Europian nuk ka dëshirë të shtohet me anëtarë të rinj, ndërsa përballet aktualisht me probleme të shkaktuara nga disa prej vendeve që janë brenda”, thotë Vurmo.

Një frenim që vjen në një periudhë kur vendet e Ballkanit Perëndimor besoj më shumë te institucionet e Unionit sesa te subjektet politike në vendet përkatëse, siç vëren Barometri Ballkanik i prezantuar nga Këshilli për Bashkëpunimin Rajonal. Takimi i ardhshëm në agjendën e Europës është tetori, kur shpresohet që qeveria e dalë nga zgjedhjet e verës në Bullgari, do të lejojë avancimin e dy vendeve fqinje të Ballkanit, të cilat mbajnë peng njëra-tjetrën.

Të fundit