E shtunë, 28 Janar, 2023

INTERVISTË, ZHARKO PUHOVSKI: SERBIA E KA HUMBUR KOSOVËN

Zharko Puhovski, pedagog universitar nga Zagrebi i Kroacisë është ndër njohësit më të mirë të zhvillimeve politike në hapësirat e ish-Jugosllavisë. Në një intervistë ekskluzive për TV Klan Maqedoni, Puhovski ka komentuar mosmarrëveshjet Shkup-Sofje lidhur me emrin si dhe ato Prishtinë- Beograd për mundësinë e arritjes së një marrëveshjeje për normalizimin e marrëdhënive ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për çka aktualisht kanë qëndrime katërcipërisht të kundërta.

Intervistoi: Seladin XHEZAIRI

 

–         Profesor Puhovski, duke u përgatitur për këtë intervistë me ju për çështjen e Kosovës gjeta një deklaratë Tuajën, po ua citoj, se ‘‘Nuk ka zgjidhje përderisa nuk kuptohet se cila zgjidhje nuk ka për të qenë kurrë më e mundshme, e kjo është kthimi i Kosovës në Serbi. Këtë duhet thënë qartë’! Si mund ta ‘përkthejmë’ këtë qëndrim Tuajin?

PUHOVSKI: – Kjo është çështje e realizimit ashiqare të faktit politik, diçka që tashmë në realitet është vepër. Kjo nuk është çështje e simpatisë apo antipatisë, subjektivizmit a ku ta di unë. Kjo, thjesht, është fakt. Kosova është një bashkësi e pavarur politike, shtet për një pjesë të madhe të botës dhe Evropës dhe kjo praktikisht është e pamundur të ndryshohet. Se është dashur të jetë apo jo kështu, a ka qenë kjo apo jo në përputhje me Kushtetutën e vitit 1974, këto tani për shumëçka janë çështje të parëndësishme. Është realitet që i duhet shkuar deri në fund.

–         Këto diti nisi dialogu kosovaro-serb ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Kurti dhe presidentit të Serbisë, Vuçiq. Vëzhguesit thonë se kjo ishte vetëm matje e pulsit për shkak se të dyja palët përsëritën qëndrimet diametralisht të kundërta të vendeve të tyre përsa i përket mundësisë së arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit zyrtar. Si e shikoni këtë?

PUHOVSKI: – Kjo është diçka që e kemi parë tashmë në më shumë situata në Evropë dhe në botë, në botën postkolonialiste, nga vitet e 60-ta. Unë jam aq i vjetër ndaj më kujtohet se si zhvilloheshin punët në Aviano, ndërmjet Francës e Algjerisë, fjala vjen, por realiteti është si vijon: Kur ju dhe unë bëjmë negociata, kjo domethënë se ne përfaqësojmë dy entitete. Ajo që unë them se nuk ju njoh, por vetëm negocioj, është krejtësisht e parëndësishme, për shkak se unë bëj negociata me ju dhe me këtë de facto ju njoh! De jure, kjo mund të përthekohet kështu ose ashtu, si për çështjet e organizatës botërore të meteorologjisë ose Lidhjes Botërore të Shahut a ku ta di unë. Ne këtë e kemi kaluar me Kroacinë dhe shtetet e tjera përderisa njiheshin, por në fakt këtu rrugëdalje tjetër nuk ka. Pra, Kosova ka për të qenë shtet i pavarur. Ajo që do të ishte mençuri më e madhe është marrja me çështjet e pakicës serbe në Kosovë të cilat janë shumë serioze e që tash janë në plan të dytë si probleme reale kundrejt dofarë problemeve simbolike të cilat, rëndomë kur është fjala për nacionalizmin, e këtu fjala është për nacionalizmin, shtyhen në plan të dytë.

–         Supozoj se zoti Shkëlzen Maliqi është miku i Juaj: Ai në fillim të viteve nëntëdhjetë e shkroi librin ‘Zgjidhja e nyjes kosovare’. Shtrohet pyetja – cili do të ishte ai kompromisi i dëshiruar, ajo zgjidhja kompromise e pranueshme për të dyja palët? Problemin e njihni mirë!  

PUHOVSKI: – E keqja është kjo: Nuk ka zgjidhje kompromise, për shkak se Serbia ka humbur! Dhe, me të mundurit kompromisi është i atillë sa t’ju jepet të themi diçka sa për të thënë që në realitet do lidheshin me të drejtat e minoritetit serb. U tentua të flitet pak për ndryshimin e kufirit, me Kosovën Veriore, me Luginën e Preshevës, mirëpo kjo në gjykimin tim vështirë është të pritet se mund të ndodhë. Aq më tepër për shkak se i vetmi lojtar botëror i cili mund të imponojë diçka, e këto janë SHBA-të, me sa shikoj nuk kanë interesim për këtë pjesë të botës, ndërsa Bashkimi Evropian nuk ka ndonjë autoritet të veçantë. Para së gjithash për shkak se nuk është në gjendje të flas me një gjuhë unike.

–         Ndërkohë, profesor, kemi pasur disa të ashtuquajtura ‘non paper’-a. Madje parashikohen edhe të ashtuquajturat ‘shtete të mëdha’: Serbia e Madhe, Kroacia e Madhe, Shqipëria e Madhe. Është kjo vetëm një floskulë politike apo mund të ndodhë destabilizimi i rajonit?

PUHOVSKI: – Kjo është një lloj loje e shahut që është tejet e rrezikshme para së gjithash për Bosnjë e Hercegovinën, për shkak se aktualisht Bosnjë e Hercegovina është bashkësia më e dobët politike në këtë pjesë të botës. Ajo në brendi është boshe, ajo varet nga influencat e ndër hyrjet nga jashtë. Ajo është gjysëm-protektorat, gjysëm-shtet dhe për të këto rrëfime janë tepër të rrezikshme, për shkak se atëherë paraqitet konstruksioni: Nëse Kosova mund të dalë nga Jugosllavia, përkatësisht Serbia, atëherë edhe Republika Serpska mund të dalë nga Bosnjë e Hercegovina. Natyrisht se kjo është e paqëndrueshme. Shikoni se si duket harta e të ashtuquajturës Republika Srpska, e ashtuquajtur si shtet, ajo ekziston, por si i ashtuquajtur shtet, dhe keni për të parë se kjo thjesht nuk mund të ekzistojë si njëfarë entiteti i pavarur. E keni një paradoks të atillë që keni pasur para tri-katër ditësh një lloj skandali në Samitin e NATO-s ku presidenti kroat insistoi në përmendjen e Marrëveshjes së Dejtonit, për shkak të interesave nacionaliste kroate në Bosnjë e Hercegovinë që u kundërshtua, fjala vjen nga Gjermania dhe Italia. Njëkohësisht Gjermania dhe Italia kërkojnë që Dodikut t’i vendosen sanksione për shkak se nuk respekton Marrëveshjen e Dejtonit. Kjo është ajo hutia e krijuar në botë. Do të zgjidhet ashtu që të konsolidohet doemos Bosnjë e Hercegovina që nënkupton, në njëfarë mënyre, një Dejton të ri dhe kjo është e pamundër pa një ndërhyrje substanciale amerikane, sipas mendimit tim, pastaj është Kosova e pavarur. Këtu për mua është problemi më i madh sesa pavarësia e padiskutueshme. Është fakt se ka ndodhur një lloj integrimi i qetë, në fshehtësi, gjysmë-legal, gjysmë-publik, i Kosovës dhe Shqipërisë në një lloj bashkësie unike. Ky më duket se është problem serioz.

–         Po si e shikoni të ashtuquajturin ‘Mini Shengen’, një projekt ky që u sforcua nga presidenti serb, kryeministri maqedonas e kryeministri shqiptar?

PUHOVSKI: – Këto janë zgjidhje të mira për tre deri në pesë vjet, por duhet thënë qartë nëse këto shtete në juglindje të Evropës kanë apo jo ambicie dhe shanse të bëhen anëtarë të Bashkimit Evropian. Nëse kanë, atëherë ky është një lloj testi për në Bashkimin Evropian dhe me këtë rast duhet thënë hapur se asnjëri nga këto shtete, eventualisht me përjashtim të Malit të Zi, nuk mund të hynë në BE për më pak se dhjetë vjet. Kjo është plotësisht e qartë.

–         Cila është persektiva e integrimit të Ballkanit Perendimor në Bashkimin Evropian, ndërkohë që ekziston një dëshpërim evident me tempin e integrimit. E përmendët Malin e Zi, këto ditë nga koalicioni qeverisës nuk është se nuk kërkohet shkarkimi i kryeministrit Zdravko Krivokapiq, gjithë kjo ashiqare nga influenca e Beogradit dhe Kishës Ortodokse Serbe?

PUHOVSKI: – Mali i Zi gjatë kohë ishte lënë në qetësi dhe ishte më afër integrimeve evropiane, për shkak se është një bashkësi e vogël, me  numër të vogël banorësh, me turizmin për të cilin Evropa ka nevojë dhe që tashmë disponon euron si monedhë kombëtare, por ndodhën këto ndryshime të cilat janë të natyrës identitare. Ajo që gjatë kohë dukej e paimagjinuar – sot kemi një konflikt të qartë të dy bashkësive etnike të cilat deri para do kohësh konsideroheshin si një: ajo që është malazeze dhe ajo serbe. Dhe, ky konflik që u vonua në raport me pjesët e tjera të Evropës Juglindore që sërish është prapa në raport me pjesët e tjera të Evropës, po tregohet si një barrë e madhe për Malin e Zi ku Kisha Ortodokse Serbe luan luan një rol me të vërtetë jo bash pozitiv, që të shprehem në mënyrë shumë të kulturuar. Nga ana tjetër, paraqitet një situatë në të cilën nga Evropa skandalizohen nga një sjellje e këtillë e Kishës Ortodokse Serbe, ndërkohë që anëtarja shumëvjeçare e Bashkimit Evropian – Greqia ka kishën shtetërore ortodokse që është pjesë përbërëse e Kushtetutës dhe pjesë përbërëse e identitetit të Greqisë. Nota bene – kjo vlen formalisht edhe për Britaninë e Madhe, por ajo më nuk është në Bashkimin E vropian.

–         Ndërsa nga pala e tretë, ka zyrtarë serbë të cilët flasin për të ashtuquajturën hapësirë serbe, botë serbe…

PUHOVSKI: – Natyrisht! Nacionalistët gjithmonë kanë fanatazi për atë se ‘e gjithë bota është e jona’: Nacionalistë kroatë pohojnë se ka më shumë kroatë jashtë sesa në Kroaci, se ‘gjysma e Amerikës Jugore është e jona dhe gjysma e Australisë e ku ta di unë’. Të gjitha këto janë fantazi nga të cilat nuk ka për të pasur asgjë. Të gjithjë ata njerëz janë patriotë të cilët nuk do të kthehen në Kroaci ose në Serbi, për shkak se atje ku janë e kanë më mirë sesa në Serbi ose në Kroaci. Një numër i madh i nacionalistëve kroatë, fjala vjen, ka marrë pasaportën kroate sepse me të mund të udhëtohet më lehtë, sado që të jenë nacionalistë serbë, të paktën disa prej tyre me orientim të këtillë, dhe ky ralitet pak nga pak po i brenë këto epshe nacionaliste, por fatkeqësisht kjo po shkon shumë ngadalë. Sidomos për ne më të vjetrit dhe ky është problem.

–         Si e shikoni kontestin aktual ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Bullgarisë fqinje. Për shkak të vetos bullgare Maqedonia nuk mund të çelë negociatat për anëtarësim me të drejta të plota në Bashkimin Evropian?

PUHOVSKI: – Kam qenë ndër ata të cilët publikisht kanë folur, natyrisht duke parë nga jashtë, se më dukej se ishte gabim që Maqedonia ra dakord për ndërrimin e emrit. Për shkak se mund të thoni: nëse jeni pajtuar me këtë, atëherë do të pajtoheni me gjithçka tjetër! Thjesht, me këtë u hap një rrugë që mua më duket vërtet e papranueshme – kjë është ideja që unë t’ju them: ju njoh me emrin John Smith, në të kundërtën nuk kam për t’ju njohur! Kjo është diçka që është me të vërtet një hap i imët, me të vërtetë imperialist grek, të cilin e pranoi Bashkimi Evropian. Kjo është më e keqja! Pastaj në Bullgari e panë se ky hap i imët imperialist kalon, ndaj thanë pse të mos e bëjmë edhe ne! Kjo është një pasqyrë paksa e thjeshtësuar dhe e primitivizuar e punëve, por kujtoj se nuk është krejtësisht e huqur. Ajo që është e rëndësishme për publikun më të gjerë jashtë Maqedonisë dhe Bullgarisë është faki se sërish fjala është për të kaluarën, se sërish fjala është për interpretimin e të kaluarës, nga Ilindeni, para ose më pas, dhe përherë i kthehemi rrëfimit të njëjtë se kush ka qenë këtu para 100 vjetësh e ku ta di. Përherë ndodhë e njëjta gjë. Po ua rrëfej një hollësi të vogël nga kujtimet e mia: Më 1968-tën, si i ri isha në Festivalin Botëror të Rinisë në Sofje ku shpërtheu një skandal i madh. Kjo ndodhi në verë kur në Ditën e Ilindenit u botua një artikull në gazetën ‘Rabotniçesko delo’ që ishte organ i Partisë Komuniste, gazeta kryesore në Bullgari, se ishte fjala për festë bullgare. Delegacioni jugosllav që kryesohej nga Janez Kocijançiq dhe ku bënin pjesë edhe Novak Pribiçeviq, isha unë dhe disa të tjerë, shkoi si delegacion tek Ministri i Punëve Jashtme të Bullgarisë, i cili disa muaj më vonë çuditërisht humbi jetën duke bërë ski në afërsi të Sofjes. Ambasador ishte Kiril Mijovski i cili ishte maqedonas dhe ai që dorëzoi këtë protestë. Janez Kocijançiq si slloven, Novak Pribiçeviq si serb nga Kroacia dhe unë pamë një situatë tepër të çuditshme në të cilën Kiril Mijovski paraqiti atë protestën: Përkthyesi po e përkthente atë që thoshte Kirl Mijovski dhe ne na dukej se si njëri ashtu edhe tjetri flisnin të njëjtën. Ne anash e shikonim këtë plotësisht të habitur. Përafërsisht e dinim se për çfarë është fjala, por ajo që dua të them është se madje edhe ne nga afërsia direkte nuk po e kuptonim se ku qëndron problemi, përveçse në një nacionalizëm shumë dytësor e lokal që nga më i forti i imponohet më të dobëtit. Kur ishte Jugosllavia – Bullgaria ishte më e dobët. Greqia ishte më e dobët. Tani që nuk ka Jugosllavi, tani Maqedonia është më e dobët dhe Maqedonia është njëra ndër viktimat më të mëdha të rënies së Jugosllavisë, për shkak se ajo mbeti aty ku më së shumti rrahin erërat, pa kurfarë mbështetjeje dhe kjo tani po shihet.

–         Në fakt, bullgarët thonë se Maqedonia është krijesë jugosllave!

PUHOVSKI: – Si republikë, si territor, është krijesë jugosllave. Maqedonia qoftë më e madhe qoftë më e vogël, por emri maqedonas ekziston, sikurse dihet, prej moti. Ajo që sot e dimë: të gjitha këto territore, sipas Komisionit të Badenterit, ato territore – republika janë nga Jugosllavia, prandaj secila nga këto republika, sipas këtij definicioni, është krijesë jugosllave. Nga ana tjetër, edhe Jugosllavia ishte krijesë e atyre republikave, që funksiononte sipas Kushtetutës. Pra ky është një rrëfim që po përsëritet disa herë me Bullgarinë që ka lidhje edhe me hesapet e vjetra serbo-bullgare dhe me këtë lojën e imët imperialiste të Bullgarisë ndaj Maqedonisë. Ajo që dua të them është se thjesht ju nuk mund të prisni që këtë ta kuptojë dikush në Zagreb që nuk është marrë veçmas me këtë probolem, e ku mbeti për dikë në Bruksel dhe Uashington.

–         Shtrohet pyetja përse Brukseli dhe Uashingtoni nuk po angazhohen për kapërcimin e këtij kontesti, duke marrë parasysh se kishin rol vendimtar në kontestin me Greqinë fqinje?

PUHOVSKI: – Ajo marrëveshje kornizë që është diçka si Dejtoni për Bosnjë e Hercegovinën, ishte një marrëveshje sikurse ajo e Dejtonit për ndërprerjen e konfliktit, por nuk ishte marrëveshje e paqes në plotëkuptimin e fjalës, në sensin e perspektivës. Dhe, ajo u bë thjesht për të zgjidhur problemin me aleancën e NATO-s, e kështu me radhë, ku amerikanët ishin në prapavijë. Tani amerikanët nuk janë në prapavijë dhe sërish ka për të qenë i njëjti problem, me Bullgarinë. Më nuk është fjala për NATO-n, fjala është për Bashkimin Evropian. De facto kjo është e parëndësishme për shkak se aktualisht nuk ka kurrfarë gjasash që realisht të mund të flitet për integrim në Bashkimin Evropian, por kjo është diçka që Bullgaria po e bën, sepse mundet. Këtë Sllovenia ia bënte Kroacisë – sepse mundej për shkak të shprehimisht pesë kilometrave katrorë të hapësirës detare në Gjirin e Piranit. Sllovenia pengoi Kroacinë për një vit e gjysmë që të hyjë në Bashkimin EVropian. Dhe, e bëri këtë në mënyrë tejet efikase. Unë flas vazhdimisht se shpresoj se Kroacia nuk do ta bëj këtë Me Serbinë, por gjitnjë e më pak po bëhem i pasigurt nëse kam të drejtë. Pra, kjo është ajo situata kur ai që është në klub i shfrytëzon privilegjet për penguar dikë tjetër që të hyjë në klub pa paguar ndonjë çmim të veçantë për këtë.

–         A domethënë kjo se ne ballkanasit edhe për shumë vjet kemi për të pritur të bëhemi pjesë e Bashkimit Evropian?

PUHOVSKI: – Mendoj se po, nëse ka për të ekzistuar Bashkimi Evropian! Bashkimi Evropian tani po përballet para së gjithash me vështirësi të brendshme. Imagjinoni se cilido nga këto shtete në këtë moment ësht plotësisht i gatshëm për nga të gjitha kriteret të aderojë në Bashkimin Evropian? Ai nuk do të hynte në BE për shkak se tani nuk ka mekanizëm institucional, nuk ka mundësi që të pranohen anëtarë të rinj. Edhe sikur të paraqitej, fjala vjen Zvicra, të cilën do ta merrnin brenda 15 ditësh, për shkak se ajo për shumëçka është pjesë e BE-së, vetëm se nuk e dëshiron këtë për shkak të neutralitetit, ose Norvegjia, për shembull, ama aktualisht nuk ka mundësi institucionale që të bëhet kjo. Prandaj, mbajtja në dhomën e pritjes është diçka që është tepër e papranueshme, por ka një anë shumë të mirë e kjo është: i detyron shtetet, i detyron qeveritë, që të sillen sikurse janën nën kontroll, nën vëzhgim. Po ua them edhe këtë: në Kroaci të gjitha marrëdhëniet shoqërore u ç’rregulluan radikalisht gjatë dy viteve të para të hyrjes në Bashkimin Evropian, ngase të gjithë thanë ‘eh, tash mund të marrim frymë, Vëllai i madh më nuk është këtu, askush më nuk na kontrollon, nuk na vëzhgon’… atëherë patëm incidente nacionaliste, veprime të së djathtës e të ngjashme dhe nuk u fol fare për vështirësitë ekonomike.

Të fundit