E shtunë, 28 Janar, 2023

Reduktimi i linjave të autobusëve, shqetësim për qytetarët

Autor: Fisnik Xhelili

 

Reduktimi i linjave të transportit publik brenda vendit si dhe kufizimi i kapaciteteve të autobusëve vazhdon të prekë qytetarët. Me fillimin e pandemisë së Kovid-19 në vend, shumë kompani u detyruan që t’i reduktojnë linjat e tyre, si shkak i protokolleve dhe masave anti-covid në fuqi, ku nuk munden të funksionojnë me kapacitet të plotë si dhe si pasojë e uljes së numrit të qytetarëve që i shfrytëzonin ato.

Përveç frikës së infektimit nga virusi Kovid-19, qytetarët shpesh përballen me frikën se a do të ketë transport në kohën kur do t’ju duhet të udhëtojnë dhe nëse ka, a do të ketë mjaftueshëm vende të lira. Ata thonë se kjo mungesë e linjave ju merr shumë kohë, sepse për të arritur në një vend dhe në një orë të caktuar, ata duhet të humbin disa orë të tjera duke u përpjekur të kapin oraret dhe të sigurojnë një vend në autobus apo furgon.

Studentët dhe punëtorët, që udhëtojnë me këto mjete transporti shpesh janë përballur me vonesa për në ligjerata dhe për në punë. Të njejtit kërkojnë që shumica e linjave, kur është fluksi më i madh i udhëtarëve të dyfishohen.

“Unë jetoj në Tetovë por studjoj në Shkup, më ka ndodhur disa herë të vonohem për në ligjeratë sepse nuk ka pasur autobus në kohën kur është dashur të udhëtoj. Duhet të ketë më shumë linja, sidomos në mëngjes” – tha një student.

Nga ana tjetër, shumë nga qytetarët që punojnë në qytete të ndryshme, si rezultat i mungesës së linjave dhe kufizimeve, në fillim të pandemisë si zgjidhje më të mirë panë të organizoheshin vetë nga katër-pesë persona me një veturë dhe të udhëtonin në një kohë të caktuar.

“Është e vërtetë, në fillim të pandemisë gjendja ishte më kritike me transportin. Kështu me një kolegun tim dhe dy persona të tjerë me të cilët jemi bërë miq, sepse udhëtonim çdo ditë në të njejtën kohë në linjën Tetovë-Shkup, e pamë më të arsyeshme të organizohemi vetë me veturë për në punë. Harxhimet e rrugës i ndanim bashkë”– tha një qytetar tjetër. I njejti theksoi se gjatë fillimit të pandemisë ka pasur edhe shumë të tjerë që e praktikonin këtë metodë.

Disa të tjerë madje ngrenë shqetësimin se shumë shpesh në mjetet e transportit publik që lidhin një qytet me tjetrin masat anti-kovid nuk zbatohen.

“Frigohem, sepse shumë udhëtarë nuk mbajnë maska. S’kam çfarë të bëj sepse nuk kam zgjidhje tjetër udhëtimi” – thotë një qytetar.

“Edhe pse gjendja në vend është duke u normalizuar, përsëri kam frikë mos të infektohem sepse në autobus kemi kontakte me njerëz të panjohur, deshëm apo nuk deshëm”- potencoi një qytetar tjetër.

Nga Stacioni i Autobusëve në Tetovë, punonjësit në sportel; të pyetur në lidhje reduktimin e linjave të transportit të udhëtarëve, dhe a po planifikohet shtimi i të njejtave, thanë së politika e institucionit të tyre është që të mos japin të dhëna në lidhje me kompanitë.

  • Ministria e Transportit: Kompanitë i kontrollon inspektorati

Të pyetur për problematikat e lartëpërmendura,nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve thonë se kjo Ministri brenda kompetencave të saj lëshon vetëm licenca dhe siguron linja për transportuesit e autobusëve.

“Ministria e Transportit dhe Lidhjeve lëshon vetëm leje pune sipas kritereve të përcaktuara të përcaktuara me ligj por nuk mbikëqyr. Në këtë drejtim, ajo nuk kryen inspektime në punën e ndërmarrjeve. Është një detyrim i Inspektoratit Shtetëror për Transportin, i cili nga ana tjetër është një organ i pavarur dhe nuk është nën Ministrinë, por nën Këshillin e Inspektimit” – thotë Kire Kocevski, zëdhënës nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve.

  • Kompanitë e udhëtimit: Ka shtim të numrit të pasagjerëve

Nga Kompania e autobusëve Durmo Turs, thonë që arsyeja kryesore e reduktimit të linjave të autobusëve gjatë periudhës së pandemisë ka qenë numri i vogël i pasagjerëve; si dhe reduktimi i numrit të administratorëve që udhëtonin për në punë.

“Gjatë lëvizjes së autobusëve plotësisht respektohen të gjitha masat anti-kovid. Sipas protokollit tani më funksionojmë me kapacitet prej 75%. Të gjitha linjat e miratuara funksionojnë ashtu siç kanë qenë; edhe pse kohëve të fundit ka shtim të numrit të pasagjerëve, kapaciteti jonë i realizon të gjitha kështu që nuk ka nevojë për linja shtesë” potencojnë nga Durmo Turs.

Në lidhje me shqetësimet e qytetarëve u kontaktuan edhe disa kompani të tjera transporti, por nuk dhanë një përgjigje.

Për momentin në vend, vazhdon masa e kufizimit të kapaciteteve prej 75% të mjeteve transportuese si dhe distanca e obligueshme. Aktualisht nuk ka ndonjë paralajmërim për ndryshimin e këtyre masave dhe funksionimin me kapacitet të plotë. Situata me pandeminë është e qëndrueshme por është e paqartë se kur transporti publik do t’i kthehet normalitetit.

 

Ky artikull është produkt i projektit “Young Journalists’ Network” I implementuar nga Democracy Lab. Ky projekt është i mbështetur me grant nga Ambasada e SHBA-ve. Mendimet, zbulimet dhe konkluzionet ose rekomandimet e paraqitura këtu janë të implementuesve/autorëve dhe nuk i reflektojnë domosdoshmërisht ato të Qeverisë së SHBA-ve.

Të fundit