E mërkurë, 1 Shkurt, 2023

PARLAMENTI MALAZEZ MIRATON REZOLUTË PËR SREBRENICËN

Parlamenti i Malit të Zi miratoi një rezolutë me të cilën dënohet gjenocidi në Srebrenicë dhe shkarkoi ministrin e Drejtësisë, Vladimir Leposaviç, për shkak të deklaratës së tij, se nuk ka ndodhur gjenocid, raporton DW.

Parlamenti i Malit të Zi miratoi të enjten (17.06.) me një shumicë prej dy të tretash rezolutën që njeh dhe dënon gjenocidin në Srebrenicë në vitin 1995, në të cilën u vranë më shumë se 8.000 boshnjakë. Përmes kësaj rezolute, e cila edhe ndalon mohimin publik të ekzistencës ose relativizimin e këtij gjenocidi, 11 korriku shpallet gjithashtu dita e përkujtimit të viktimave të Srebrenicës.

Për miratimin e rezolutës, të cilën e kërkoi opozita, votuan 55 deputetë, 40 nga opozita por edhe 15 nga maxhoranca, kundër ishin 19 nga Fronti Demokratik në pushtet, 7 abstenuan. Pro ishin edhe URA dhe demokratët nga maxhoranca, pas miratimit të korigjimit të tyre, se faji për krimet në luftërat e viteve 1990 nuk mund t’i atribuohet asnjë kombi, por është individual.

“Besoj se kemi dërguar një sinjal të qartë se Mali i Zi është qendra e demokracisë në rajon”, tha udhëheqësi i partisë Boshnjake Ervin Ibrahimoviç, ndërsa kreu i komunitetit islam të Malit të Zi Rifat Fejziç tha se mbështetja e dy të tretave për rezolutën e genocidit të Srebrenicës forcon besimin në një të ardhme më e ndritur dhe se një Mal i Zi i tillë ecën në rrugë të sigurt drejt Bashkimit Evropian.

Rezolutën e përshëndetën edhe politikanët drejtues në Sarajevë. Anëtari i Presidencës së Bosnjë-Herzegovinës, Zeljko Komshiç, tha se ky ishte një akt civilizimi dhe se Bosnjë-Herzegovina dhe Serbia duhet të bënin të njëjtën gjë. Në të njëjtën kohë rezoluta u dënua ashpër në Serbi.

Milan Radoviç i organizatës joqeveritare Aleanca Qytetare nga Podgorica, e cila prej vitesh merret me krimet e luftës, tha për DW se miratimi i rezolutës për Srebrenicën në Mal të Zi është i rëndësishëm para së gjithash për shkak të viktimave dhe pajtimit në vend dhe në rajon.

“Megjithatë, edhe pse e kemi miratuar këtë rezolutë, duhet akoma për të shlyer borxhin ndaj viktimave dhe për të vënë në pah dinjitetin e tyre, vuajtjet e familjeve të tyre dhe për të krijuar garanci, se mizori të ngjashme nuk do të ndodhin më.” Na duhet vullneti politik, por edhe gatishmëria e institucioneve gjyqësore, që më në fund të fillojnë me përgjegjësi e vërtetësi hetimin dhe ndjekjen penale të përgjegjësve për krimet e luftës. Në këtë kontekst, është e nevojshme të ndriçohet edhe roli i Malit të Zi për Srebrenicën dhe që faktet rreth Srebrenicës të bëhen pjesë e procesit të rregullt arsimor”, thotë Radoviç.

Të fundit