E shtunë, 28 Janar, 2023

QEVERIA PRANON GJENDJEN E MJERUESHME TË BIBLIOTEKËS, PREMTON ZGJIDHJE

Qeveria e pranon gjendjen faktike në të cilën ndodhet Biblioteka Universitare Nacionale “Shën Klimenti i Ohrit” në Shkup. Objekti, thonë nga ekzekutivi, është lënë pas dore me vite dhe është sjellë në gjendje jashtëzakonisht të keqe. Nuk komentojnë përplasjen mes drejtorit të bibliotekës Frymëzim Dauti dhe Ministrisë së Kulturës dhe shmangin përgjigjen në pyetjen nëse zhvillimet kanë prapavijë politike

 Shkruan: Meriton Mani 

Disa ditë pas një sërë raportimesh mbi gjendjen e keqe në të cilën ndodhet Biblioteka Universitare Nacionale “Shën Klimenti i Ohrit” në Shkup, Qeveria e pranon gjendjen faktike. Objekti, thonë nga ekzekutivi, është lënë pas dore me vite dhe është sjellë në gjendje jashtëzakonisht të keqe. Nuk komentojnë përplasjen mes drejtorit të bibliotekës Frymëzim Dauti dhe Ministrisë së Kulturës dhe shmangin përgjigjen në pyetjen nëse zhvillimet kanë prapavijë politike.

“Higjiena është veçanërisht problem. Është i nevojshëm sanimi urgjent i çatisë. Muajin e kaluar, komisioni i dërguar nga Ministria e Kulturës ka konstatuar edhe një sërë dobësish të tjera përveç këtyre.”

Lëshimi sipas tyre është i drejtuesve të Bibliotekës të cilët nuk kanë aplikuar për mjete në Programin për investimin në kulturë. Nga Qeveria premtojnë zgjidhje por nuk sqarojnë se cila mund të ishte ajo.

“Qeveria do ta ndjekë rastin dhe jemi të bindur se konstatimet që do të dalin nga raportet e inspektimeve të jashtëzakonshme do të sjellin edhe zgjidhje për parandalimin e dëmtimit të mëtejshëm të objektit, i cili në vete është trashëgimi kulturore.”

Ditë më parë vizituam bibliotekën në fjalë dhe situata me të cilën u përballëm nuk ishte aspak e këndshme. Kushtet për mësim ose hulumim janë të këqija edhe pse ajo posedon materiale dhe një arkiv të konsiderueshëm. Takuam gjithsej gjatë vizitor të cilët nuk pranuan të prononcohen publikisht. Thanë se janë vizitorë të rregullt por se kushtet ua vështirësojnë punën.

Drejtori Frymëzim Dauti sqaroi situatën duke fajësuar Ministrinë e Kulturës se nuk miraton mjetet e nevojshme për riparim.

“Situata në Bibliotekën Kombëtare është e palakmueshme për sa i përket godinës së objektit. Godina e Bibliotekës është ndërtuar para gjysmë shekulli dhe fatkeqësisht nga qeveritë apo nga Ministrat e Kulturës është lënë pas dore. Si pasojë e mosintervenimit në përmirësimin e kushteve, sot përdoruesit e Bibliotekës janë të pakënaqur nga shërbimet tona. Për çdo vit ne bëjmë kërkesë paraprake për vitin e ardhshëm për nevojat tona që i kemi më urgjente. Fatkeqësisht nuk kemi hasur mirëkuptim në komisionet e Ministrisë së Kulturës që merren me çështje të investimeve në institucionet e kulturës”, thotë Dauti.

Ministria e Kulturës ditë më parë kundërshtoi Dautin duke thënë se aplikimet janë bërë në programin e gabuar dhe dokumentacioni nuk ka qenë i plotë. Dauti që është kuadër i PDSH-së nuk thotë se në punën joprofesionale të komisioneve të Ministrisë së Kulturës mund të ketë ndikuar edhe ndrrimi i shpeshtë i ministrave.

“Gjendja momentale mund të përmirësohet në momentin që biblioteka jonë do t’i merrte mjetet financiare për përmirësimin e leximoreve apo riparimin e çatisë. Megjithatë për një përmirësim afatgjatë do të duhej vendim nga Qeveria për riparim të tërësishëm të objektit të Bibliotekës Kombëtare”, ka thënë në fund drejtori Dauti.

Deri sa përplasja mes institucioneve vazhdon, anëtarët dhe vizitorët e bibliotekës në fjalë do të vazhdojnë të përballen me kushtet e pakëndshme.

 

Të fundit