E shtunë, 28 Janar, 2023

TETË DITË, KATËR SAMITE, TRE SHTETE: BIDEN NË TENTIM PËR UNIFIKIMIN E PERËNDIMIT KUNDREJT KINËS DHE RUSISË

Vizita në Evropë e presidentit të ri amerikan Joe Biden konsiderohet si historike nga media dhe ekspertë perëndimorë, njofton KDP. Kjo turne që zgjat tetë ditë, parasheh që Biden të jetë i pranishëm në katër samite dhe të vizitojë tre shtete.
Plani i udhëtimit të Joe Bidenit për vizitën e tij të parë në Europë si president parasheh pjesëmarrje në samitin e shtatë demokracive më të rëndësishme perëndimore në Carbis Bay në Britaninë e Madhe, në samitin e NATO-s, si edhe në samitin SHBA-Europë në Bruksel.
Të mërkurën e ardhshme zhvillohet takimi me presidentin rus, Vladimir Putin në Gjenevë. Ndërkohë janë planifikuar edhe shumë bisedime bilaterale si me kancelaren Merkel, dhe një audiencë me Mbretëreshën Elisabeth në Kështjellën Windsor.
Siç raporton DW, udhëtimi i presidentit Biden ka synim bashkimin e demokracive perëndimore kundër sistemeve autoritare si Kina dhe Rusia, bëri të ditur para udhëtimit në Uashington, këshilltari i tij për sigurinë, Jake Sullivan. Nga pikëpamja e europianëve bëhet fjalë “për luftimin e pandemisë, mbrojtjen e klimës, dhe vlerës që i sjellin botës demokracitë perëndimore”.

Sipas ekspertes për çështjet e politikës nga qendra e Berlinit e “Këshillit Europian për Marrëdhëniet e Jashtme, (European Council on Foreign Relations), Jana Puglierin, presidenti amerikan, nuk mund të presë, që menjëherë që me udhëtimin e parë të farkëtojë një aleancë të fortë kundër Kinës. “Ky do të jetë një akt barazpeshimi”, thotë Puglieri. Me Pekinin kërkohet po ashtu bashkëpunim në çështjet ekonomike dhe në mbrojtjen e klimës. BE vërtet që ka vendosur sanksione kundër qytetarëve kinezë për shkak të shtypjes së pakicës uigure, por nuk është shprehur shumë qartë në çështjen e Hongkongut si SHBA.

Për Joe Biden ka rëndësi, që në fund të samitit të ketë një përkrahje të qartë për më shumë investime të perëndimit, me qëllim që të shmanget influenca kineze në Afrikë dhe Europën Lindore.

Nga takimi i Joe Bidenit me presidentin rus, Vladimir Putin, javën e ardhshme në Gjenevë, ekspertja Jana Puglierin nuk pret shumë. Konfliktet me Rusinë për shkak të Ukrainës dhe Bjellorusisë janë çimentuar së tepërmi, sipas saj. E rëndësishme është që Joe Biden të japë sinjalin, se perëndimi flet me një zë.

Ndryshe nga paraardhësi, Donald Trump, presidenti Biden nuk i sheh europianët si kundërshtarë, por si partnerë të vlefshëm, shprehet eksperti për politikën e Jashtme i Të Gjelbërve në Parlamentin Europian, Reinhard Bütikofer. Edhe diplomatë të tjerë shprehen pozitivisht. “Sundon një atmosferë e mirë. Në tavolinë ka vullnet për t’u angazhuar. Është tërësisht ndryshe se në kohët e mëparshme”, i tha një diplomat i BE Deutsche Welles.

Në samitin e europianëve me presidentin Biden do të bëhet fjalë që të lihen mënjanë konfliktet tregtare dhe doganat ndëshkuese, që kishte inciuar presidenti Trump. Shenjat për këtë janë të mira, sipas një drafti të deklaratës së samitit, por Jana Puglierin paralajmëron nga një eufori e tepruar. Europianët janë skeptikë, nëse Joe Biden do të mund të qëndrojë në kursin e ri të bashkëpunimit ndërkombëtar.

Ka ende tema për debat, si për shembull tërheqja e trupave nga Afganistani, grindja për gazsjellësin Nord Stream 2, dhe propozimi i SHBA që të pezullohen përkohësisht patentat për vaksinat kundër Coronës, që nuk gjen miratim në BE. Kryeministri britanik, Boris Johnson kërkon të arrijë, që vendet e pasura të japin më shumë vaksina drejt vendeve më të varfra. BE e eksporton ndërkohë një pjesë të madhe të vaksinave të prodhuara.

Të fundit