E shtunë, 28 Janar, 2023

DEKRETI I BIDEN, REAGOJNË PARTITË

Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Ljupço Nikollovski, tha se dekreti i presidentit amerikan Joe Biden është porosi për ata që bllokojnë proceset integruese të Maqedonisë së Veriut, raporton DW, përcjell KDP.

“Qytetarët kanë vendosur t’i mbështesin Marrëveshjet e Ohrit dhe Prespës dhe ato janë themelet e kësaj rruge të re, e kësaj shoqërie të re të transformuar,me marrëdhënie ndëretnike të qëndrueshme, e orientuar drejt përparimit, integrimit dhe mendoj se kjo është porosi për të gjithë ata që i bllokojnë dhe duan t’i bllokojnë të gjitha proceset në shtet”, deklaroi Nikollovski.

Ai tha se SHBA-ja i ka mbështetur fort këto dy marrëveshje, dhe shtoi se ky vendim i Biden-it nuk vjen rastësisht.

Kryetari i komisionit për politik të jashtme në Parlamentin e Maqedonisë së Veriut nga radhët e partisë opozitare VMRO-DPMNE Antonio Milloshovski tha se ata do ta respektojnë vullnetin e qytetarëve sa i përket respektimit të Marrëveshjes së Prespës.

“Ne jemi legalistë. Kemi pasur përvoja edhe nga sanksionet e paralajmëruara në të kaluarën. Nëse janë paraparë sanksione edhe për korrupsionin do të ishte mirë që SHBA-ja të merret më seriozisht me “familjen” në pushtet që aktualisht ndodhet në Maqedoninë e Veriut”, u shpreh Milloshovski.

Timço Mucunski, Sekretar i Përgjithshëm për Politikën e Jashtme në VMRO-DPMNE tha se e drejtë e çdo shteti sovran është mbrojtja e sigurisë kombëtare dhe demokracisë në mënyrën siç vlerëson vetë shteti.

“Prioritet strategjik i VMRO-DPMNE-së ishte anëtarësimi i vendit në NATO duke mbrojtur identitetin kombëtar. Ndërsa tani prioritet është anëtarësimi në BE. Ne e respektojmë dhe do ta respektojmë vullnetin e qytetarëve” – deklaroi Mucinski.

Ndryshe, Presidenti Joe Biden nënshkroi një urdhër ekzekutiv që parashikon ngrirjen e pasurive dhe ndalimin e hyrjes në SHBA për ata që destabilizojnë Ballkanin Perëndimor, kryejnë korrupsion e minojnë institucionet demokratike.

Ndër ata që kërcënojnë stabilitetin e Ballkanit Perëndimor përfshihen edhe ata që punojnë kundër Marrëveshjes së Prespës dhe Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. Urdhëri është vazhdim i një urdhëri fillestar të vitit 2001, që parashikon sanksione për individë nga Ballkani Perëndimor që shihen si rrezik për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara. Tani ai është zgjeruar duket përfshirë edhe sanksione ndaj personave që kryejnë korrupsion dhe minojnë institucionet demokratike.

Të fundit