E enjte, 2 Shkurt, 2023

NON-PAPER-ËT E HUTISË

Përtej non-paper-ëve, Kosova duhet të krijojë një ekip profesionistësh për dialogun që zhvillohet në kuadër të Bashkimit Europian. Ky mbetet imperativ i padiskutueshëm, që vë në lëvizje një kondicion përhershmërie të pozicioneve të paracaktuara si vullnet historik dhe politik i popullit të Kosovës. Në Ballkan gjithnjë do të shfaqen zgjatime, pretendime që vijnë nga hijezimet e së kaluarës. Vetëm një orientim mirë i etabluar, që njeh principet europiane, që njeh paradigmat europiane, mund të sjellë rezultatet e pritura në dialogun Kosovë-Serbi, që në asnjë rast nuk mund të jenë më pak se realiteti tashmë i njohur në hapësirën ndërkombëtare – sovraniteti i padiskutueshëm e Kosovës.

Shkruan: Bardhyl ZAIMI

Përkundër faktit që vendet e Ballkanit Perëndimor me kohë kanë shprehur aspiratën e tyre për të qenë pjesë e Bashkimit Europian, shpeshherë manifestohen anomali dhe pretendime tjera, të cilat luhen diku në prapaskenat e ambicieve që vijnë si impulse historike. Nuk do mend se Ballkani mbetet një hapësirë tektonike, në të cilën shpesh shfaqen ide, të cilat nuk korrespondojnë me orientimin e proklamuar të vendeve të rajonit dhe që janë në kundërshtim me principet e procesit të integrimeve të promovuara nga Bashkimi Europian. Në skenën e madhe gjeopolitike, kur mendohet se mund të ketë ndryshuar raporti i forcave, provat për të imponuar një vizion tjetër mbi Ballkanin Perëndimor duket se po qarkullojnë në prapaskenë, pa u kuptuar se nga kush nxiten ide të këtilla që për më tepër krijojnë huti në opinion.

Dy non-paper-ët e kohëve të fundit, të liferuar në opinion, kanë ngjallur reagime të shumta, ndërkohë që për to kanë reaguar edhe përfaqësuesit më të lartë të BE-së, duke i hedhur poshtë si dokumente që aspak nuk kanë të bëjnë me politikat e BE-së. Non-paper-i i parë si përmbajtje nënkupton ndryshimin e kufijve, ndërkohë që non-paper-i tjetër përfshin në veçanti raportin mes Kosovës dhe Serbisë, gjegjësisht njohjen reciproke, por duke operuar me ide që mbeten thellësisht të papranueshme për palën kosovare, e cila e ka hedhur gjithashtu poshtë si një dokument të pavlefshëm.

Dokumenti “enigmatik” dhe ironia e Borellit

Dokumenti i publikuar në media është prezantuar si “non-paper gjermano-francez” dhe flet për dialogun Kosovë-Serbi, si dhe skenarin e mundshëm të përfundimit të këtij procesi. Ky dokumenti i mohuar nga dy ambasadat, gjermane dhe franceze, flet për një marrëveshje ligjërisht të obligueshme ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, ku palët duhet ta respektojnë njëra-tjetrën si shtete të pavarura, sovrane dhe të barabarta brenda kufijve të tyre ndërkombëtarë.

Megjithatë, aty parashihet edhe krijimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, kjo bazuar në marrëveshjen e Brukselit të vitit 2013.

Po ashtu, ky dokument thotë se me marrëveshjen finale palët do të pajtohen për themelimin e Distriktit Autonom të Kosovës së Veriut si një njësi e vetme administrative dhe vetëqeverisëse rajonale në Kosovë. Ky distrikt, sipas dokumentit, do të kishte të drejtë të miratojë legjislacion rajonal për ekonomi, financa, pronë, infrastrukturë, kulturë, edukim, kujdes shëndetësor, mirëqenie sociale, gjyqësi, shërbimin policor, strehim, zhvillim urban dhe bashkëpunim europian, në linjë me Kushtetutën e Kosovës dhe legjislacionin për qeverisje lokale. Ndërkohë, ambasadat e dy vendeve europiane, në reagimet e tyre thanë se e mbështesin dialogun e udhëhequr nga BE-ja dhe përfaqësuesi special Miroslav Lajçak.

Lidhur me përmbajtjen e non-paper-it, që flet për njohjen e sovranitetit territorial të Kosovës dhe Serbisë ndaj njëra-tjetrës dhe krijimin e një “distrikti autonom të Kosovës Veriore” janë shprehur edhe nga Bashkimi Europian. Ndërkohë zëdhënësi, Peter Stano, kishte theksuar se dokumenti i pretenduar nuk shpreh qëndrimet e BE-së.

“Dokumenti i pretenduar nuk shpreh pozicionet e BE-së dhe nuk është pranuar nga Përfaqësuesi Special për dialogun, Miroslav Lajçak dhe as nga Përfaqësuesi i Lartë i BE-së për Politikat e Jashtme, Josep Borell”, kishte vënë në dukje Stano. Këto ishin reagimet e para, ndërkohë që më pas ka pasur edhe reagime të tjera, të cilat më me forcë kanë vënë në dukje se prapa këtij non-paper-i nuk qëndron asnjë shtet dhe institucion zyrtar i Bashkimit Europian.

Bashkimi Europian, ndërkohë, e kishte konsideruar nonsens non-paper-in e publikuar dhe pretendimet për autorësinë e tyre. Në lidhje me non-paper-in e shpërndarë kishte ironizuar Përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Europian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell, gjatë një konference të përbashkët që kishte me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

“Nëse nuk keni non-paper, nuk jeni askush. Shikoni, unë nuk kam marrë asnjë nga këto dokumente të pretenduara; shpresoj që nesër të mos ketë një tjetër në skenë”, kishte deklaruar Borrell. Përpos disa shteteve të Bashkimit Europian, që janë apostrofuar si projektues të dokumenteve enigmatike, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kishte pretenduar se prapa krejt kësaj “qëndron Beogradi”.

Gati se të gjitha prononcimet që kanë ardhur nga përfaqësues të lartë të Bashkimit Europian i kanë hedhur poshtë këto non-paper-ë, si dokumente që në asnjë rast nuk janë në korrelacion me procesin e dialogut Kosovë-Serbi, që kërkon një premisë tjetër, një zgjidhje përfundimtare pa cenuar principin e sovranitetit dhe të vullnetit politik për një zgjidhje që nuk mund të vijë në formë non-paper-ësh enigmatikë.

Rikthimi i “fantazmave”

 Në mungesë të autorësisë, ashtu siç zakonisht janë non-paper-ët dhe siç definohen në marrëdhëniet ndërkombëtare, ato mund të vijnë nga kushdoqoftë dhe mund të gjejnë frymëzime ambiciesh që fare nuk përkojnë me realitetin. Të tillë duket se janë edhe këto non-paper-ët, që janë publikuar në media, që në bazë të një leximi diskursiv dhe përmbajtjesor, më tepër ngjallin huti dhe përfaqësojnë zgjidhje që nuk përkojnë me aspiratën e popullit të Kosovës, gjegjësisht sovranitetit territorial të etabluar me shpalljen e pavarësisë.

Gjithë përmbajtja e tyre, në fakt, kërkon rikthimin e fantazmave të ndryshimit të kufijve ose copëzimit të territorit të Kosovës, që mbetet tërësisht e papranueshme si ide, në kohën kur Kosova tashmë gëzon subjektivitet dhe sovranitet të plotë ndërkombëtar. Sidoqoftë, në rrethana të dinamikave të reja globale, të një shpërfytyrimi në dukje paradigmatik, në kohën e një ekuilibri tjetër forcash në rrafshin global dhe rajonal, duket se provat dhe pretendimet për të gjetur zgjidhje jashtë premisave fillimtare, që nënkupton një dialog mes dy vendeve të barabarta dhe sovrane, Kosovës dhe Serbisë, mbeten “ide në lëvizje”, që kërkojnë një moment dhe kërkojnë një tjetërsim përtej koordinatave të vendosura nga SHBA-ja dhe BE-ja. Pikërisht, nuhatja e këtyre lëvizjeve gjeopolitike duket se i trimëron autorët e non-paper-ëve misteriozë, për të kërkuar zgjidhje që janë jashtë paradigmës së paravendosur dhe që nënkupton një proces dialogu që respekton vullnetin e sovranitetit.

Non-paper-ët, për më tepër, duhet kuptuar si manovrime politike dhe strategjike me synime të caktuara, por që në radhë të parë krijojnë huti në procesin e dialogut Kosovë-Serbi, por edhe përgjithësisht në Ballkanin Perëndimor. Ka një dialog institucional mes Kosovës dhe Serbisë i udhëhequr nga Bashkimi Europian. Ky është një dialog që respekton premisat fillimtare të sovranitetit dhe nuk paragjykon zgjidhjen, gjegjësisht zgjidhjen e kërkon nëpërmjet procesit të dialogut mbi principet transparente të vendosura nga BE-ja. Ky duket një proces i ngadalshëm, por në fakt është një proces më i sigurt, që nuk krijon acarime shtesë dhe huti.

Padurimi dhe sinergjia e përhershmërisë

 Sigurisht se ekziston një padurim për gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare në dialogun Kosovë-Serbi. Mbase pikërisht kjo nguti mund t’i stimulojë edhe non-paper-ët, të cilët po shfaqen me përmbajtje që rikthejnë fantazmat e dikurshme ose zgjidhjet që tërësisht duken të papranueshme për palën kosovare. Mbi të gjitha, politika kosovare duhet të insistojë në procesin e dialogut të promovuar nga BE-ja, sado që ky proces mund të duket i lodhshëm. Gjithë argumentet historike dhe demokratike janë në anën e Kosovës, ndërkohë që një sinergji me Shqipërinë, gjegjësisht mes kryeministrit Rama dhe Kurti, mund të krijojë konstantat e përhershme dhe të domosdoshme në dialogun me Serbinë, gjithnjë duke nënkuptuar në këtë rast premisat fillimtare të sovranitetit. Sigurisht, një Shqipëri stabile, politikisht normale, që kultivon bashkëpunimin pushtet-opozitë mund t’i japë përkrahjen më të fuqishme të mundshme Kosovës në procesin e dialogut, në gjetjen e një zgjidhje përfundimtare, që nënkupton njohjen reciproke të dy shteteve të pavarura.

Pikërisht kjo sinergji dhe një strategji mirë e menduar mund të krijojë qëndrueshmërinë e domosdoshme për një dialog cilësor me Serbinë, për një qasje që do të ishte koherente dhe në përputhje me pritjet e Kosovës si shtet i pavarur. Kjo sinergji dhe ky vizion do të shmangte çdo pretendim të shfaqur në formë non-paper-ësh, çdo pretendim që do të shfaqet si një zgjatim eklipsesh që kërkojnë moment rivendikimesh gjeopolitike për të ofruar zgjidhje që nuk përkojnë me realitetin, nuk përkojnë me procesin historik, me trajektoren e pavarësisë së Kosovës.

Përtej non-paper-ëve, Kosova duhet të krijojë një ekip profesionistësh për dialogun që zhvillohet në kuadër të Bashkimit Europian. Ky mbetet imperativ i padiskutueshëm, që vë në lëvizje një kondicion përhershmërie të pozicioneve të paracaktuara si vullnet historik dhe politik i popullit të Kosovës. Në Ballkan gjithnjë do të shfaqen zgjatime, pretendime që vijnë nga hijezimet e së kaluarës. Vetëm një orientim mirë i etabluar, që njeh principet europiane, që njeh paradigmat europiane, mund të sjellë rezultatet e pritura në dialogun Kosovë-Serbi, që në asnjë rast nuk mund të jenë më pak se realiteti tashmë i njohur në hapësirën ndërkombëtare – sovraniteti i padiskutueshëm e Kosovës.

 

Ky tekst është shkruar për Revistën Shenja

Të fundit