E shtunë, 28 Janar, 2023

QERSHITË E SLLATINËS

Shkruan: Rean Saiti

Fillimi i Qershorit gjithmonë më rikthen në vitet e 80-ta të shekullit të kaluar. Në klasë kisha disa shokë nga Sllatina e Tetovës dhe kryefjalë gjatë bashkëbisedimeve në ato ditë qershori – ishin Qershitë e tyre. Si mikpritës të mirë që ishin, s`kishte Qershor që nuk na ftonin në “bahçet”, përplot me drunj qershie, buzë rrugës kryesore Tetovë-Jazhincë.

Shokë e shoqe të klasës do ta kapnim autobusin e “Poletit” dhe do të drejtoheshim për në Sllatinë, ku me nikoqirllëk do të priteshim nga shokët e klasës nga ky fshat.

Ende më kujtohet pamja e 4 – 5 drunjve përplot me qershia në livadhet përgjatë rrugës kryesore. Kisha përshtypjen se s`kishte lidhje kush ishte pronari i tyre, kryesorja ishin qershitë në ato ditë fillimqershori.

Ishte edhe koha e kositjes së barit, do t`i shihnim të zotët e qershive se si me kosa në krah vijnë teposhtë livadhit, por asnjërit prej tyre nuk iu prishej “çehrja” e fytyrës apo të vërrehej ndonjë hatërmbetje. Përkundrazi…secili bëhej më mikpritës se tjetri…Edhe ne nuk ishim pak. Paramendoni një klasë me 20 – 30 nxënës.

Ndryshe nga tani, ishte kohë kur njerëzit e donin njërit-tjetrin, ndihmonin njëri-tjetrin, ishin mikpritës dhe solidarë në të mirë e në të keqe…

Kur jemi te qershitë, më parë nuk kishte oborr shtëpie pa një Qershi, kurse tash të gjithë janë zëvendësuar me drunj dekorativ gjethmbajtës. Qershitë po e përjetojnë “fatin” e mollëve, dardhave, kumbullave, manave ….

Të fundit