E shtunë, 1 Tetor, 2022

LAMENT PËR PRILLIN E PËRGJAKUR

Ngjarja e përgjakshme e 27 prillit mbetet një njollë e zezë kujtese, një atak totalitar ndaj demokracisë, një tentim për ta instaluar dhe legjitimuar dhunën në jetën institucionale dhe demokratike. Prilli i përgjakur përfundimisht duhet të shërbejë si kthjellim për të mos toleruar më në asnjë rast shtresimet ideologjike totalitare që ngjizin brenda vetes ulërima turmash të frymëzuara politikisht, të cilat brutalisht godasin hapësirën e lirisë demokratike dhe bashkë me këtë edhe qenien njerëzore si subjekt të politikës.

Autor: Bardhyl Zaimi

Pushtetet autoritare zakonisht ushqehen me totalitarizëm ideologjik. Në emër të ideologjisë çdo gjë lejohet, sepse këto pushtete pretendojnë se e posedojnë të vërtetën fundekrye pa dyshimin më të vogël. Ideologjitë totalitare përveç që synojnë ta kontrollojnë të tashmen, po aq në mënyrë brutale duan ta kontrollojnë të ardhmen dhe të kaluarën si narracione fuqie pushteti.

Zakonisht pushtet e këtilla e shenjtërojnë ideologjinë partiake, ndërkohë që kontrollojnë diskurse agresive ndaj mendimit ndryshe, ndaj gjithë asaj që përfaqëson “tjetri” si koncept në hapësirën publike dhe demokratike. “Princi” në kuptimin makiavelist është njëshi që grumbullon fuqi përmes përngjitjes totalitare. Kështu krijohet njëshi totalitar që prodhon diskurse përjashtuese dhe agresive. Kështu krijohen ideologjitë parapolitike agresive që kërkojnë, siç thotë Gjergj Konradi te “Antipolitika”, urrejtje të epshme ndaj tjetrit që është i ndryshëm si mendësi ose konstruksion ideologjik. Kulmi i diskurseve të këtilla që pretendojnë të vërtetën absolute është dhuna politike. Dhuna që ushtrohet në emër të pagabueshmërisë së njëshit që ngjizet në sentimente populliste dhe urrejtje irracionale.

I tillë ishte regjimi i ish kryeministrit Gruevski, që përshkallëzoi në dhunën e 27 prillit në parlament, ku pësuan më së shumti lideri i ASH–së Zijadin Sela dhe ai i LSDM-së, Zoran Zaev. Përgjakja e 27 prillit është ulërima çnjerëzore e një ideologjie të mbarsur për një dekadë me diskurse agresive ndaj “tjetrit” si kërcenim për të vërtetën absolute të shpallur nga njëshi ideologjik. Ngjarjet e prillit të përgjakshëm tregojnë se deri ku mund të shkojë çmenduria ideologjike gjithnjë e ushqyer me urrejtje ndaj ” tjetrit” si entitet “kërcënues” që duhet të asgjësohet. 27 prilli është zgjatimi i diskurseve fatale për asgjësimin e “tjetrit” si entitet politik, nacional dhe shoqëror. Është dehja e mbrame autoritare që “shenjtëron” të vërtetën të alternuar në dhunë muskujsh turme që në ekstazë kërkon “tjetrin” për ta asgjësuar edhe si entitet fizik.

Ngjarja e përgjakshme e 27 prillit mbetet një njollë e zezë kujtese, një atak totalitar ndaj demokracisë, një tentim për ta instaluar dhe legjitimuar dhunën në jetën institucionale dhe demokratike. Prilli i përgjakur përfundimisht duhet të shërbejë si kthjellim për të mos toleruar më në asnjë rast shtresimet ideologjike totalitare që ngjizin brenda vetes ulërima turmash të frymëzuara politikisht, të cilat brutalisht godasin hapësirën e lirisë demokratike dhe bashkë me këtë edhe qenien njerëzore si subjekt i politikës.

Në dritë-hijet e kësaj ngjarjeje, që mëpastaj nuk gjeti sanksionimin e duhur nga sistemi i drejtësisë, për arsye të njohura dhe të panjohura, tashmë bulëzon një imperativ kategorik për ta emancipuar dhe humanizuar politikën në dritën e pluralitetit, lirisë dhe normave demokratike.

Kjo ngjarje e përgjakshme e prillit, mbetet një mësim i përhershëm për ambientin e këtushëm politik, një mësim për të refuzuar marshet e ideologjive agresive që inspirohen nga majat e olimpeve politike, që vijnë valë-valë si diskurse fuqie pushteti që qenien njerëzore e konsiderojnë marionetë ose cak dhune dhe asgjësimi.

Ky shkrim është një lament pikërisht mbi këtë përgjakje të politikës, një lament për kohën e rënies së madhe që në asnjë rast më nuk duhet të përsëritet. Por edhe një mesazh human për t’ia kthyer politikës dhe demokracisë lirinë, dinjitetin njerëzor, dimensionin e normalitetit dhe vlerave siç konceptohet përhershmërisht politika në teorinë dhe praktikën europiane.

Mbase përfundimisht do të kuptojmë që politika është sheshi i ideve dhe praktikave humane, sheshi i diskurseve të humanizuara konkurruese dhe jo arenë diskursesh agresive totalitare që prodhojnë dhunë. Urojmë që kjo të mos përsëritet më dhe përfundimisht Maqedonia e Veriut, aktorët politik, por edhe gjithë shoqëria të futen në një matricë tjetër afirmimesh politike, kulturore dhe shoqërore që nënkuptojnë qenien njerëzore si epiqendër të çdo zhvillimi progresiv.

Të fundit