ZGJIDHET PROBLEMI I “GJEOGRAFISË”, A PO FILLON “PASTRIMI” I SHTREMBËRIMEVE NË TEKSTET SHKOLLORE?

Pas reagimeve të shumta në opinion mbi tekstin shkollor të gjeografisë, tashmë kanë reflektuar funksionarët qeveritarë. Zëvendëskryeministri Grubi dhe ministrja e Arsimit, Mila Carovska, kanë rënë dakord për largimin e këtij teksti, por edhe për shyqrtimin e të gjitha teksteve tjera për “t’iu dhënë fund shtrembërimeve”. A është ky fillimi i “pastrimit” të teksteve shkollore nga përmbajtjet që në opinionin janë cilësuar si ofenduese?
KDP
Disa herë në opinion është ngritur çështja teksteve shkollore për nxënësit shqiptarë, përmbajtja e të cilave është vlerësuar se atakon pikërisht dimensionin kulturor dhe historik të nxënësve shqiptarë. Rasti më i fundit me librin shkollor të gjeografisë për nxënësit e vitit të dytë ka ngjallur reagime të shumta në opinion për gjuhën e urrejtjes dhe të pavërtetave që përfshinë brenda ky tekst. Pikërisht ky alarm i ndezur në opinion duket s aka reflektuar edhe te partnerët e koalicionit, të cilët tashmë janë dakorduar që ky tekst dhe tekste të tjera të ngjashme të hiqen nga përdorimi dhe në të njëjtën kohë duke u dakorduar që në kuadër të konceptit për reforma në arsim dhe në kuadër të Ligjit për librat shkollor për arsim filor dhe të mesëm të shqyrtohen dhe korrigjohen të gjitha parregullsitë dhe padrejtësitë në të gjitha tekstet shkollore, duke “ u nisur menjëherë nga libri i gjeografisë për vitin e dytë të shkollave të mesme”.
Në kohën kur opinioni kishte shfaqur tashmë reagime të fuqishme mbi këtë libër shkollor, njëri ndër sinjalizuesit e parë të teksteve shkollore të mbushura me padrejtësi, profesori universitar, Izet Zeqiri, kishte theksuar se kjo problematikë mund të rregullohet nga zëvendëskryeministri i parë dhe ministër për sistem politik dhe marrëdhënie ndërmjet bashkësive, Artan Grubi.
Duket se kjo përplasje e përhershme në opinion mbi tekstet e shfytyruara shkollore për nxënsit shqiptar po fillon të gjejë një zgjidhje institucionale. Ai ndërkohë ka realizuar një takim me ish ministrin dhe deputetin Arbër Ademi dhe ministren e Arsimi dhe Shkencës, Mila Carovska, me të cilët ka diskuar për reformat në arsim dhe largimin sistematik të jo konsekuencave në librat shkollor.
“U dakorduam që në përputhje me Ligjin për librat shkollor për arsim fillor dhe të mesëm të shqyrtohen dhe korrigjohen parregullsitë dhe padrejtësitë në të gjitha tekstet shkollore duke nisur menjëherë nga libri i gjeografisë për vitin e dytë të shkollës së mesme. Gjatë periudhës në vijim do të shqyrtohen të gjitha tekstet shkollore me qëllim që njëherë e mirë tu jepet fund këtyre dukurive, përkatësisht shtrembërimeve nëpër këto libra shkollor”, ka theksuar Grubi.
Gjithashtu raportohet se tre bashkëbiseduesit janë dakorduar se në rastin konkret, me librin e gjeografisë për vitin e dytë të shkollave të mesme si dhe me librat tjerë, do të aplikohet neni 26, paragrafi 2 i Ligjit për librat shkollor.
Në këtë pjesë të ligjit thuhet se tërheqja e teksteve shkollore nga përdorimi bëhet nëse të njëjtat përmbajnë materie e cila ofendon historinë, kulturën dhe vlerat në përgjithësi të të gjithë qytetarëve të Republikës së Maqedonisë së Veriut.
Grubi dhe Carovska gjithashtu janë pajtuar se në kuadër të këtij vendimi gjatë periudhës në vijim do të shqyrtohen të gjitha tekstet e tjera shkollore me qëllim që njëherë e mirë tu jepet fund këtyre dukurive, përkatësisht shtrembërimeve nëpër këto tekste shkollore.
Përkundër faktit që çështja e teksteve shkollore disa herë ka qenë pjesë e debatit, në të shumtën e rasteve kjo ka përfunduar pa ndonjë reflektim konkret në identifikimin dhe menjanimin e teksteve problematike që prekin në dimensionin historik dhe kulturor të nxënësve shqiptar. Kjo është hera e parë që nën trysninë e opinionin reagimi është kaq i shpejtë në largimin e një teskti shkollor të mbushur me të pavërteta, ndërkohë që hapet edhe problemi me gjithë tekstet tjera që kanë brenda vetes përmbajtje të këtilla fyese.
Në opionin tashmë janë hedhur edhe ide konkrete për menjanimin e këtyre tekste që nënkupton edhe krijimin e politikave tjera arsimore që do të përputhen me konceptin për tekste shkollore që bazohen në specifikat dhe identitetin kulturor të nxënësve. Duket se ky dakordësim i sotëm për të larguar tekstet problematike hapë rrugën për një reformë më të thellë të teskteve shkollore, por edhe pëgjithësisht të sistemit arsimor tërësisht mbi një koncept tjetër që do të marr parasysh diversitetin kulturor të nxënësve.