ZIGZAG KOSOVË: TË PANJOHURAT E DITËS D

Të merremi vesh: Jo që jam nga ata të cilët presin ndonjë përmbysje të thellë të verdiktit të nesërm, të së dielës, të votuesve në Kosovë, por e shtroj çështjen – sa ka për të qenë thellësia e rezultatit?!
Shkruan: Seladin XHEZAIRI
Nesër, të dielën, në Kosovë mbahen zgjedhjet e parakohshme për legjislaturën e tetë parlamentare. Sondazhet e deritashme nxjerrin fituese Lëvizjen Vetëvendosje të Albin Kurtit, por vëzhguesit, varësisht nga rezultati, nuk përjashtojnë mundësinë që shteti më i ri në Evropë, të hyjë një një krizë të re politike: Për shkak të zgjedhjes së Presidentit të vendit, post ky që është vakant pas shkuarjes në Hagë të Presidentit Hashim Thaçi.
Në këtë garë për përbërjen e re parlamentere prej 120 deputetësh marrin pjesë 28 subjekte politike, nga të cilat 21 parti, dy koalicione dhe pesë nisma qytetare. Sipas Kushtetutës së Kosovës, 20 vende janë të garnatuara për përfaqësimin e komuniteteve: dhjetë për serbët dhe po kaq për komunitetet e tjera – boshnjak, turk rom, ashkali, egjiptian dhe rom. Raportet nga Prishtina flasin se fushata ishte goxha agresive dhe asaj I dha ton sidomos Lëvizja Vetëvendosje që nga të gjitha sondazhet rezulton se ka për të qenë partia fituese, domethënë para LDK-së e PDK-së që pritet të pasohen nga AAK-ja. Ndonëse problemet e vendit më të ri në kontinentin e vjetër dihen: nga vendosja e shtetit ligjor, këndellja ekonomike, luftimi i korrupsionit e krimit të organizuar e deri tek dialogu me Serbinë për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe, partia që pritet të dalë fituese nuk është se shpalosi para zgjedhësve ndonjë zgjidhje alternative, veç ndarjes në ‘ne’ dhe ‘ata’, në të ‘rinj’ e të ‘vjetër’ dhe duke ia lënë në dorë të gjitha zgjidhjet kreut karizmatik të Vetëvendosjes, Albin Kurti i cili brenda më pak se një viti duhet të rimarrë për të dytën herë postin e Kryeministrit. Mënyra se si u zhvillua fushata dhe ajo që u tha e si u tha gjatë saj, lë të kuptohet lë të kuptohet se kryestrategët luajtën goxha mire në atë që quhet strategji e manipulimit për shkak se u pa pasiviteti i qytetarëve – votues dhe agresiviteti I politikanëve që braktisën terrenin e bindjes së tyre për lirinë e përzgjedhjes dhe të vendosjes kujt dhe për çka e përse I duhet besuar. Dhe në gjithë këtë kaos pandemik elektoral duhet parë edhe rolin e medias në pasqyrimin, pse jo, dhe analizimin e fushatës, përkatësisht të ofertave partiake për problemet dhe sfidat që në Kosovë, si dhe gjithandej në rajon, nuk është se nuk dihen.
Sidoqoftë, kur është fjala për atë se çfarë e pret Kosovën qysh nga e hëna, vëzhguesit thonë se gjithçka do të varet nga numrat që do të prodhojnë zgjedhjet e së dielës dhe, varësisht prej tyre, nuk përjashtojnë mundësinë e zgjatjes së negociatave për formimin e Qeverisë së re. Kjo edhe për shkak se zyrtarë të partisë favorite kanë nëvizuar edhe gjatë ditëve të kaluara se gjatë këtyre 21 vjetëve të pasluftës, asnjë parti politike që ka qenë në pushtet nuk ka arritur të përmbush shpresat e qytetarëve. Një retorikë e këtillë politike mbase mund të bëhet pengesë serioze për negociatat për zgjedhjen e
Presidentit të vendit e cila bëhet me dy të tretat e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit. Në të kundërtën, zgjedhja me votim të dytë, ka për të prodhuar krizë të re politike, ndërsa dështimi në votimin e tretë – do ta çonte vendin në zgjedhje të reja. Pa prekur problemet e hallet e vjetra!