E enjte, 29 Shtator, 2022

ZIGZAG – NIKOLAIDIS: ABAZOVIQI DHE THUNDRAT E KALIT TË NACIONALIZMIT SERB

Andrej Nikolaidis, shkrimtar dhe kolumnist, është i lindur në Sarajevë (1974) dhe prej vitesh jeton në Ulqin. Me të, bisedova fundjavën e kaluar për zgjedhjet e sapombajtura të cilat nxorën koalicionin ‘Ura’ të Dritan Abazoviqit përcaktues për krijimin e mazhorancës qeverisëse, me më shumë gjasë që këtë ta bëj opozita pro-serbe. ‘Ajo që mua më brengos por edhe shumë të tjerë në Mal të Zi dhe në rajon është se si Abazoviqi, i cili ka katër deputetë dhe në zgjedhje fitoi 5.3 për qind të votave, planifikon që në koalicionin e ardhshëm të kontrollojë nacionalizmin e zgjuar serbomadh, si planifikon ai të kontrollojë gati dhjetë herë më të fuqishme partitë proserbe me të cilat ai ka vendosur të bëjë koalicion,’- tha Nikolaidis për Tv Klan Maqedoni duke i dërguar edhe këtë mesazh: ‘Mos e bëj këtë, nëse mendosh të kalërosh dhe ta zbusësh kalin e egër të nacionalizmit serbomadh – gabon. Do të përfundosh nën thundrrat e tij!’.

 

Autor: Seladin Xhezairi  

 

I kemi rezultatet e zgjedhjeve parlamentare. Në njëfarë mënyre Mali i Zi është bërë lajm dite për shkak të diferencës së ngushtë dhe drejtimit që do të marrë vendi. Cili është vlerësimi juaj për këtë situatë të ndezur?

Andrej Nikolaidis: Rezultati i Zgjedhjeve është si vijon: Partia e Milo Gjukanoviqit, presidentit aktual të Malit të Zi, si subjekt, është partia më e fuqishme. Ka fituar 35 për qind të mandateve, mirëpo ajo me partnerët e vet tradicional të koalicionit, socialdemokratët, Partinë Liberale dhe partitë e popujve pakicë, pra, para së gjithash me partitë shqiptare, atë boshnjake, kurse kroatët kësaj radhe, për shkak të shkapërderdhjes, nuk ia dolën të sigurojnë mandat, nuk ka shumicën për formimin e Qeverisë. Nga ana tjetër është opozita pro-serbe e cila doli në zgjedhje në dy kolona: Në njërën ishte ‘Mali i Zi i moderuar centrist’, pra kjo është ajo partia lideri i së cilës Aleksa Beçiq i printe njërës kolonë, kurse kolona e dytë e cila është më e fiqishmja dhe që mori plotë 33 për qind është Lista ultranacionaliste, kleronacionaliste, lider i vërtetë i së cilës është mitropoliti Amfilofije Radoviq i njohur për nga deklaratat e veta luftënxitëse, ndër të tjera edhe për nga ajo sipas së cilës, sipas tij, sikurse është shprehur ai, po e citoj këtu, ‘myslimanët janë njerëz të rrejshëm të një feje të rrejshme’. Shtyllë e kokë e këtij koalicioni është Milorad Daka-Davidoviq, njeri i cili ishte ministër lufte i Karaxhiqit në qeverinë e të ashtuquajturës Zonë Autonome Serbe të Hercegovinës gjatë luftës në Bosnjë. Me këto dy lista ka vendosur të formojë qeverinë koalicioni ‘E zeza mbi të bardhën’ të cilit i prinë politikani i talentuar dhe agjil nga Ulqini, Dritan Abazoviq. Ajo që mua më brengos, por edhe shumë të tjerë në Mal të Zi dhe në rajon, është se si Abazoviqi, i cili ka katër deputetë dhe në zgjedhje fitoi 5.3 për qind të votave, planifikon që në koalicionin e ardhshëm të kontrollojë nacionalizmin e zgjuar serbomadh, si planifikon ai të kontrollojë partitë proserbe gati dhjetë herë më të fuqishme me të cilat ai ka vendosur të bëjë koalicion. Është larg çdo dyshimi… Urdhëroni, po shikoj se  dëshironi të pyesni!

 

Aleksa Beçiq, duke folur për zgjedhjet, ka deklaruar se kundërshtar më i madh i paqes në Mal të Zi është struktura në largim e socialistëve demokratë, parti kjo, sikurse thatë e presidentit Milo Gjukanoviq, kurse nga ana tjetër, Dritan Abazoviqi, apo sikurse prezantohet vet kur flet shqip, Dritan Abazi, këto ditë ka folur se Mali i Zi nuk do të bëhet as ‘Spartë serbe as Shqipëri e madhe’!

Andrej Nikolaidis

Andrej Nikolaidis: ‘Shqipëria e Madhe’ sigurisht se nuk ka për t’u bërë, ndërsa unë druaj se jemi një ose dy hapa larg asaj që megjithatë të bëhet ‘Spartë serbe’. Është larg çdo dyshimi se regjimi i Milo Gjukanoviqit ka qenë i gatshëm për t’u çmontuar, jashtë çdo dyshimi është se është e pandershme të sundosh 30 vjet. Madje edhe nëse jeni më i miri 30 vjet e edhe shumë para kësaj, është koha që nëse jemi demokraci e vërtetë, punët të ndryshojnë. Mirëpo, gjithmonë problem është që kur diçka ndryshoni, unë nuk shikoj ndonjë benefit në atë që ta ndryshoni, ta zëvendësoni me diçka që është shumë më e keqe. Pra, Milo Gjukanoviqi i ka prirë Malit të Zi, drejt Bashkimit Evropian, e futi në NATO dhe kishte edhe besimin e pakicave. Për këtë rasye partitë e pakicave ishin në koalicion me të. Natyrisht se ky ishte një hap i jashtëzakonshëm dhe që në fakt edhe duhej ta bënte. Pra, një Mal i Zi i këtillë ishte, si të shprehem, garant dhe faktor i stabilitetit rajonal. Ky Mali i Zi i ri në të cilin forca dominuese politike do të jetë koalicioni kleronacionalist i prirë nga ministri i luftës i Karaxhiqit dhe mitropoliti Amfilofije Radoviqi, vështirë se mund të jetë garantues i stabilitetit. Duhet këtë ta kuptoni: Retorika e tyre është ‘na nevojiten ndryshime demokratike, dëshirojmë të përmbysimin diktatorin Milo Gjukanoviq’. Shkëlqyeshëm! Tamam! Mirëpo, në të njëjtën kohë ata mbështesin diktatorin Vuçiq, diktatorin Lukashenko, diktatorin Putin dhe diktorin Asad! Pra, i vetmi diktator që atyre iu pengon është Milo Gjukanoviq i cili  është me orientim properendimor dhe ndaj fqinjëve është një politikan tejet paqedashës. Dua të them se problem bosht është ky: Si ka për ta kontrolluar Abazoviqi nacionalizmin serbomadh? Unë në një artikull timin i drejtova një mesazh direct: ‘Mos e bëj këtë, nëse mendosh të kalërosh dhe ta zbusësh kalin e egër të nacionalizmit serbomadh – gabon. Do të përfundosh nën thundrrat e tij’! Domethënë, këtu në është fjala për Partinë Demokratike të Socialistëve dhe Milo Gjukanoviqin. Fundja, ‘URA’ dhe Dritan Abazoviqi mund të kërkojnë mbështetje për një qeveri të pakicës që ata do ta formonin dhe një mbështetje të tillë mund ta kenë në parlament. Kjo është përtej çfarëdo dyshimi, për shkak se ata janë faktori që vendos. Unë s’kam asgjë kundër që Dritan Abazoviqi të jetë kryeministër i Malit të Zi. Përkundrazi, ai është politikan i ri, i talentuar, dhe unë çmoj se për Malin e Zi do të ishte kuruese që një shqiptar të jetë kryeministër, sepse do të thente shumë mite tradicionale dhe me të vërtetë do ta modernizonte këtë vend. Mirëpo, pyetja e vërtetë është se a thua ai shqiptar që është në ballë të vendit është autonom ose është nën kontrollin e koalicionit ultranacionalist? Na mbetet të shohim se çfarë ka për të ndodhur. Unë kujtoj se ka arsye për brengosje. Abazoviqi po na siguron se gjithçka ka për të qenë në rregull dhe se ai do t’ia dalë të kontrollojë partnerët e tij të koalicionit. Prapëseprapë, paraqiten probleme serioze: Sikurse e dini, Mali i Zi është anëtar i NATO-s. Shtrohet pyetja: Nëse koalicioni pro-rus, pro-serb, do të marrë në dorë sektorin e sigurisë? Nëse ata marrin sektorin e sigurisë, është e qartë se rrezikohen të gjitha të dhënat e NATO-s të cilat mbërrijnë në Mal të Zi dhe bëhet plotësisht e kuptueshme se përmes tyre Rusia do të depërtonte në sistemin e NATO-s. Ky është një skenar apokaliptik. Vështirë të paramendosh të ndodhë diçka e tillë, por pikërisht Abazoviqi ka përgjegjësinë që kjo të mos ndodhë. Partnerët e tij politik na sigurojnë se ata nuk do të heqin dorë nga rruga pro-evropiane dhe nuk kanë për të kërkuar daljen e vendit nga aleanca e NATO-s. Personalisht mendoj se skenari të cilin do ta ndjekin nacionalistët proserbë do të zhvillohet si vijon: Kjo qeveri që do të formojnë me Abazoviqin do të zgjasë një deri në dy vjet e pastaj do të shkohet në zgjedhje në të cilat ata do të tentojnë të fitojnë vet shumicën. Para kësaj do të bëjnë atë inxhinieringun identitar, duke tentuar të rrisin numrin e serbëve në Mal të Zi. Do të bëjnë regjistrimin e popullsisë vitin e ardhshëm. Do të bëjnë arrestime, frikësime dhe detyrimisht do të fusin kuadrot e veta në të gjitha institucionet që do të shoqërohet me punësime mbi baza partiake. Në këtë mënyrë, është shumë kollaj të rritet numri i votave në zgjedhjet e ardshme dhe në një situatë të këtillë, koalcioni i ultranacionalistëve të tubuar përreth ministrit të luftës të Karaxhiqit dhe mitropolitit, në zgjedhjet e ardhshme do të ishte favorit absolut.

 

Më duket se Latinka Peroviq, historiania dhe politikania e njohur serbe, ka deklaruar këto ditë se në skenën politike të Malit të Zi sikur po rishfaqen elemente të ‘revolucionit antiburokratik’, përkatësisht të ‘revolucionit të jogurtit’ në vitet e tetëdhjeta. Çfarë mendoni ju?

Andrej Nikolaidis: Absolutisht! Këto zgjedhje ishin fundi i operacionit tetëmujor të presionit mbi Malit të Zi, të dirigjuar nga Beogradi. Në vitin 1989 kjo bëhej nën parrullën ‘Ndodhja e popullit’, kësaj here parrulla ishte ‘Ndodhja e Zotit’. Kisha Ortodkse Serbe u përfshi drejtpërdrejti në fushatë, klerikët e saj agjituan në terren, u përbetoheshin njerëzve, i kërcënonin me përjashtim nga kisha ata të cilët do të votonin për pushtetin. Ata porositnin shprehimisht se ai që do të votojë për Milo Gjukanoviqin ka për t’u mallkuar. Kjo nuk është energji me të cilën ndërtohet një Mali i Zi më i mirë, pro-evropian dhe demokratik. Evropeizimi i Malit të Zi nuk është prioritet i nacionalistëve serbë. Prioriteti i tyre është kthimi i Malit të Zi në prehrin e Serbisë dhe kthimi kah Rusia. Të mendosh diçka tjetër është të jeshë pa shpresë, naiv.

 

Zoti Nikolaidis, çfarë mendoni, me mbështetjen publike që ia dha kryeministri shqiptar Edi Rama, e ndihmoi apo i prishi punë  Partisë Demokratike të Socialistëve të zotit Gjukanoviq?

Andrej Nikolaidis: Ai kishte qëllim të mirë, por në praktikë pengoi për shkak se ndihmoi homogjenizimin e të ashtuquajturit trup ortodoks elektoral, sepse qarqe përreth Kishës e interpretuan atë menjëherë si marrëveshje të Gjukanoviqit dhe Ramës për krijimin e të ashtuquajturës ‘Shqipëri e Madhe’. Natyrisht se ky nuk është problem. Problem është shkalla e skajshme korrupsionit dhe shtetit të kapur për çka përgjegjëse është garnitura e deritashme në pushtet. Problem i gjithë shoqërisë malazeze është se ajo nuk ia doli të modernizohet dhe emancipohet të bëjë një lloj tjetër të ndryshimit politik. Duhej të ndodhte ndryshimi politik në valët e nacionalizmit serbomadh dhe nën ndikimin e Kishës Ortodokse Serbe e cila u paraqit këtu shprehimisht nga pozicioni i ortodoksizmit politik që me asgjë nuk ndryshon nga pozicionet e islamit politik, mendoj teknikisht dhe jo si dogmë dhe thjesht gjithçka çonte në këtë drejtim. Koalicioni i shumicës, për të cilin folëm, ka për t’u formuar. Mbetet për të parë çfarë ka për të qenë durimi i partive pro-serbe me Abazoviqin. Nuk do të habitesha që pa kaluar shumë kohë ato të kthehen kundër tij. Shumëçka do të varet nga rezistenca dhe vendosmëria e tij për t’ju kundërvënë kërkesave që padyshim se do të mbërrijnë – si nga partnerët e koalicionit ashtu, po ashtu edhe nga Beogradi dhe nga Moska.

 

Ditët e fundit në hapësirën shqiptare të informimit ka pasur reagime goxha të ashpra, negative, kundër paraqitjeve të zotit Abazoviq. E përjashtoni mundësinë që bashkëqytetari juaj, këto ditë, të rishikojë përcaktimin e vet?

Andrej Nikolaidis: E dini, ai nuk e ka lehtë në gjithë këtë situatë. Ai ndodhet mes dy zjarreve tejet të fuqishme. Jam i sigurt se ai ia dëshiron më të mirën Malit të Zi, mirëpo nga qëllimet më të mira është e mundshme të merret edhe vendim katastrofik! Absolutisht, Malit të Zi i duhen ndryshime. Unë absolutisht e kuptoj vendimin e Dritan Abazoviqit që në Qeveri të mos lejojë Partinë Demokratike të Socialistëve të Milo Gjukanoviqit, por mendoj se nuk është më pak e rëndësishme që të mos sjellë në pushtet nacionalistët serbomëdhenj për shkak se nacionalizmi serbomadh nuk është forcë politike me të cilën mund të bëhet demokratizimi dhe evropizimi i Malit të Zi.

 

Krejtësisht në fund, çfarë zhvillim ngjarjesh prisni, duke marrë parasysh se këto ditë tek ju ka shumë tensione?

Andrej Nikolaidis: Jo, ka për të shkuar drejt qetësimit. Mendoj se puna ka përfunduar. Ajo Qeveri e Abazoviqit, partive centriste pro-serbe dhe koalicionit më të fuqishëm të nacionalistëve serbomëdhenj ka për t’u formuar. Mbetet për të parë se çfarë ka për të ndodhur pastaj. Është e madhe përgjegjësia e tyre, është e madhe përgjegjësia e Abazoviqit.

 

Të fundit