E shtunë, 1 Tetor, 2022

DISKURSET UTOPIKE DHE ZYMTËSIA QYTETARE

Diskurset utopike mund të ushqejnë partizaninë partiake, por nuk prodhojnë pragmatizëm kreativ për t’u përballur me hallet e grumbullluara të njerëzve që në kohë pandemie janë shumëfishuar. Diskurset utopike janë shmangie nga realiteti i rëndë, nga zymtësia sociale që dita-ditës po e shtrin hijen e vetë mbi jetët e njerëzve. Dhe njerëzit nuk kërkojnë ” parajsë” diskurzive, por politika konkrete që gradualisht do t’i nxjerrin nga ferri i përditshëm i dëshpërimit.

Autor: Bardhyl Zaimi

Justifikimet nuk mund të jenë logjikë e përhershme qeverisjeje. As premtimet e ripëpsëritura që shpalohen për të krijuar ngjarje të paqenë gjithnjë në stilin ” do bëjmë”. Edhe pse mediat mund ta transmetojnë si lajm, një premtim i paketuar për një të ardhme të papërcaktuar nuk përbën lajm. Jemi në fillim të punës së qeverisë së re dhe po përsëritet i njëjti avaz, i njëjti diskurs i premtimeve pompoze për ngritje pagash i përzier me mëlmesa leksionesh mbi ” produktivitetin në punë”. Duken si leksione nga lënda e organizimit e ish sistemit.

Kryeminstri Zaev ka deklaruar ndërkohë se paga minimale do të jetë 20 mijë denarë, ndërsa paga mesatare do të jetë 34 mijë denarë. Janë paralajmëruar ndryshime edhe në sistemin pensional, gjegjësisht dalje më e hershme në pension. Bashkë me kartelat për prodhimet vendore gjithçka duket si një parahyrje për në parajsë. Mjafton që vetëm të punohet si në Zvivër se Zvicrën këtu e kemi. Gjithçka tingëllon bukur dhe njëtrajtshëm në vendin e improvizimeve të pafundme.

Por, këtë idilë të jashtëzakonshme që në sfond ka një muzikë triumfaliste propagande tashmë të njohur duket se e prishin pamjet e trishta të radhëve të pafundme të njerëzve të dëshpëruar para bankave, të cilët dekompozimin e sistemit e matin me orë pritjesh arrogante të mungesës totale të shërbimeve. Ka raste që për një faturë që duhet të paguhet një bankë që ofron pagesa të ” privilegjuara” zhvat provizion 300 denarë. Po mbi këtë pamje trishtuese kohërash pandemie rëndon edhe rritja prej mbi 7 përqind e energjisë elektrike.

Tash disa javë po protestohet në qytete të ndryshme pēr këtë ngarkesë shtesë mbi kurrizin e qytetarëve, por qeveria është treguar e heshtur në paktin për të dëgjuar vetëm ambiciet e kompanive dhe arsyetimit të tyre për ngritje çmimi.

Pikërisht për këtë çështje protesta ka paralajmëruar edhe partia opozitare VMRO-DPMNE për të mërkurën, ndērkohë që lideri i kësaj partie Hristian Mickovski më herët kishte paralajmëruar vjeshtë të nxehtë. Kjo tingëllon si ” një udhë e dy punë”, në njërën anë solidarizohet me një kauzë të qytetarëve, në anën tjetër e përforcon pozicionin e tij si lider brenda vetë partisë. Vala e parë e kundërvënies tashmë duket se po fillon, ndërkohë që para qeverisë së re ndodhet një mal me probleme që kërkojnë zgjidhje urgjente.

Politika nuk pērfaqēson deklarime ngjarjesh që do të ndodhin në të atdhmen si utopi për të lëvizur përsëri në improvizimet e vazhdueshme.

Njē qeverisje e mirë kërkon politika publike mirë të menduara të cilat prodhohen në procesin e konceptit për reforma dhe ndryshim.

Një qeverisje e mirë kërkon pjesëmarrje të më tepër aktorëve institucionalë dhe shoqërorë që punojnë për interesin publik, për mirëqenien e qytetarëve.

Një qeverisje e mirë krijon prioritete dhe vë në aksion kapacitetet për të intervenuar me shpejtësi dhe efektivitet mbi të gjithë ato probleme urgjente që krijonë zhgënjim dhe dorëzim te qytetarët.

Diskurset utopike mund të ushqejnë partizaninë partiake, por nuk prodhojnë pragmatizëm kreativ për t’u përballur me hallet e grumbullluara të njerëzve që në kohë pandemie janë shumëfishuar. Diskurset utopike janë shmangie nga realiteti i rëndë, nga zymtësia sociale që dita-ditès po e shtrin hijen e vetë mbi jetët e njerëzve. Dhe njerëzit nuk kërkojnë ” parajsë” diskurzive, por politika konkrete që gradualisht do t’i nxjerrin nga ferri i përditshëm i dëshpërimit.

Fushata zgjedhore ka përfunduar dhe nuk ka nevojë pēr premtime tjera, por për qeverisje konkrete që tashmë ka strukturuar prioritet dhe ka kapacitetin e plotë për të krijuar zhvillim të qëndrueshëm. Kjo qeveri ka përballë një dëshpërim qytetar të shtresuar dhe ka pak kohē për të dhënë sinjale se punët do të shkojnë mirë. Nevojiten politika kreative publike dhe jo riformulime socialiste të organizimit të punës.

Të fundit