E mërkurë, 5 Tetor, 2022

ZOTIMET ANTIKORRUPSION QË DESHI T’I HARROJË QEVERIA

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do të jenë dy vendet e para që do të zhvillojnë negociatat e anëtarësimit në BE me metodologjinë e re. Kjo metodologji i mundëson Brukselit qasje dhe kontroll të plotë në procesin e miratimit dhe zbatimit të reformave. Kjo ngjall optimizëm te qytetarët e të dyja vendeve se përfundimisht zotimet për reforma dhe antikorrupsion nuk do të fshihet në sirtarët e harresës, por do të zbatohen në tërësi për të bërë realitet ëndrrën evropiane.

 

Autor: Xhelal NEZIRI

 

Lideri i Lidhjes Social-demokrate të Maqedonisë (LSDM), Zoran Zaev, është sërish në krye të qeverisë, e cila pretendon ta çojë mandatin katërvjeçar deri në fund. Në vitin 2017 erdhi në pushtet me agjendë për luftë kundër korrupsionit, por nuk tregoi rezultatet e pritura. Kur në vitin 2015 filloi me publikimin e aferave korruptive ose të ashtuquajturave “bomba”, nga pjesa më e madhe e qytetarëve u pa si një luftëtar i vërtetë kundër korrupsionit. Opinioni ishte i bindur se kjo dukuri negative është burimi i të gjitha që këqijave, të cilat e vështirësonin jetën e qytetarit dhe bënin që të rinjtë ta braktisin vendin. Por, tre vite më pas, vetë Zaevi ishte protagonist i “bombave” të publikuara, kësaj here nga njerëz e oligarkë të afërt me opozitën.

Përkrahjen që e gëzoi nga faktori ndërkombëtar për shkak të demokratizimit të vendit dhe marrëveshjeve historike me fqinjët, Zaevi e kuptoi si një dritë jeshile që të vazhdojë të qeverisë me të njëjtin stil si pararendësi i tij, Nikolla Gruevski. Një grup i oligarkëve të rinj i zëvendësuan të vjetrit, ndërkohë që një pjesë nga ata që ishin të afërt me kabinetin e Gruevskit brenda natës u bënë të favorizuarit e qeverisë Zaev. Reformat në gjyqësor nuk i zbatoi me pretekstin se i ka prioritet çështjet e politikës jashtme, si integrimi në NATO dhe BE, ndërkohë që reformat urgjente për të luftuar me efikasitet korrupsionin ose u zbatuan sa për sy e faqe ose nuk u filluan fare.

Deklarata e Londrës

Më 5 korrik të vitit 2018 në Londër Zaevi nënshkroi një listë të detyrave, për të cilat iu zotua kryeministres së atëhershme të Mbretërisë së Bashkuar, Theresa May, se do t’i përmbushë ato.

LINK NGA DOKUMENTI I PLOTË

Samiti i Londrës, ku morën pjesë të gjithë liderët e vendeve të Ballkanit Perëndimor, ishte pjesë e Procesit të Berlinit, një iniciativë diplomatike për zgjerimin e BE-së me vendet e Ballkanit Perëndimor, që filloi në Berlin në vitin 2014, me një takim të krerëve të qeverive të gjashtë vendeve të Ballkanit me kancelaren gjermane Angela Merkel. Takime të ngjashme u organizuan pastaj çdo vit (në Vjenë, Trieste, Paris dhe Londër, Poloni), ndërsa këtë vit nikoqirë do të jenë Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria.

Për të përshpejtuar reformat thelbësore për ta luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar, të gjithë kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor kanë nënshkruar listat e detyrave që ata janë zotuar t’i kryejnë sa më shpejt që të jetë e mundur. Ky dokument, me detyrat specifike për Maqedoninë e Veriut, është nënshkruar edhe nga kryeministri Zaev. Në një letër drejtuar kryeministres britanike May, ai e falënderon atë për organizimin e Procesit të Berlinit dhe e informon se i kishte nënshkruar detyrat që duhet t’i përmbushë, të cilat janë të rëndësishme për anëtarësimin e vendit në BE.

Dokumenti përbëhet nga disa pika dhe u referohet reformave në sistemin gjyqësor, institucioneve të inteligjencës dhe përmirësimit të aftësisë së institucioneve dhe mediave për ta luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin. Sidoqoftë, ky dokument as nuk është përkthyer e as nuk është publikuar në ndonjë nga ueb-faqet zyrtare të qeverisë.

Qeveria ka preferuar të heshtë lidhur me përmbushjen e zotimeve të marra, me të cilat vendi detyrohet të përmbushë shtatë pika. Megjithatë, ato nuk janë përmbushur plotësisht.

 

Në dokument kryeministri Zaev ishte zotuar se do të ndërmarrë hapat e mëposhtëm:

  1. Përmirësimi i shkëmbimit të informacionit ndërmjet sektorit financiar dhe inteligjencës financiare për të zbatuar ligjin përmes inteligjencës së nevojshme për të zbuluar dhe parandaluar pastrimin e parave të lidhura me korrupsionin.
  2. Zgjedhjen e një përbërje të re të Komisionit Shtetëror të Antikorrupsionit që do të ishte plotësisht e pavarur, e aftë, e përshtatshme, me mbështetje dhe bashkëpunim të plotë me të gjitha dikasteret e qeverisë.
  3. Komisioni antikorrupsion më pas të tregojë një qasje proaktive dhe të ekuilibruar në fusha të tilla si konflikti i interesit, lobimi dhe keqpërdorimi i fondeve.
  4. Bashkëpunimi me partnerë të huaj për të forcuar zgjidhjet ligjore për luftën kundër korrupsionit, në mënyrë që të sigurohet që çdo përpjekje të bëhet për të privuar kriminelët që kanë fituar fonde të paligjshme.
  5. Sigurimi që media të ketë lirinë të raportojnë korrupsionin në mënyrë objektive dhe të pavarur, duke shpalosur publikisht informacione për pasuritë e zyrtarëve gjatë viteve.
  6. Mbështetje për organet ndërkombëtare, si Kombet e Bashkuara, Komisioni Evropian, G20, Banka Botërore, etj. dhe zbatimi i rekomandimeve të tyre në periudhën e caktuar kohore. Ne jemi të përkushtuar për zbatimin e plotë të rekomandimeve të Këshillit Evropian në kohën e duhur, të cilat përfshijnë:
  • Harmonizimi i “Kodit të Etikës së deputetëve” dhe respektimi i tij;
  • Forcimi i pavarësisë gjyqësore nga ndikimet politike;
  • Rishikimi i Këshillit Gjyqësor në mënyrë që të mund të shërbejë për të siguruar një gjyqësor të pavarur dhe profesional;
  • Forcimi i burimeve financiare dhe njerëzore të Komisionit Antikorrupsion në fushat: konflikt interesi, lobim dhe fshehje të fondeve;
  • Përshpejtimi i procesit të dhënies së deklaratave të interesave, pasurisë dhe fondeve nga deputetët, gjyqtarët dhe prokurorët;
  1. Forcimi i kapacitetit të sektorëve të mbrojtjes dhe sigurisë që janë të prekshëm dhe nën kërcënimin e korrupsionit, përmes pjesëmarrjes në procesin e ndërtimit të integritetit të mbështetur nga Mbretëria e Bashkuar.

Pjesa më e madhe e këtyre zotimeve kanë mbetur në letër. Zotimi për një komision të pavarur kundër korrupsionit në shikim të parë u përmbush, por duket se nuk ka kapacitet ose edhe pavarësi të sjellë rezultatet që priten në fushat e konfliktit të interesit, lobimit dhe keqpërdorimit të fondeve. Transparenca e institucioneve u rrit, por në të njëjtën kohë gati nuk funksionon Ligji për qasje deri te informacioni i karakterit publik, kjo për shkak të Komisionit që e mbron këtë të drejtë në dy vitet e fundit, ndërsa ai ka ngelur me përbërje të pakompletuar. Ligji i Prokurorisë Publike u soll në kulmin e aferës “Zhvatja”, ku u përfshinë prokurorë të Prokurorisë Speciale, fati i së cilës duhej të definohej aty. Gjykatat vazhdojnë të jenë të prekshme nga ndikimi politik, kurse reformat në Këshillin e Prokurorëve dhe Këshillin e Gjyqtarëve thuajse nuk kanë filluar.

Duket se qeveria më shumë tentoi t’i harrojë sesa t’i zbatojë këto pika që eafrojnë Maqedoninë e Veriut drejt BE-së.

Takimi i parë ndërqeveritar me BE

Sidoqoftë, gjatë këtij mandati qeveria LSDM-BDI, si duket, nuk do të ketë alternativë tjetër, përveç reformave rrënjësore, që do ta ndryshojnë në tërësi realitetin sistemor të vendit. Bashkimi Evropian (BE) tanimë i ka gati pozicionet e veta për takimin e parë ndërqeveritar me Republikën e Maqedonisë së Veriut, një draft-dokument i miratuar dhe dërguar te Këshilli Evropian që nga 1 korriku i këtij viti. Ky takim, i cili pritet të ndodhë gjatë muajve të ardhshëm, kur me BE-në të kryesojë Gjermania, do të jetë në fakt edhe fillimi i negociatave për anëtarësim.

Në dokumentin që i definon pozicionet e BE-së në këto negociata në fillim qëndrojnë parimet që bazohen në nenin 49 të Traktatit të BE-së (TEU) dhe në të gjitha konkluzionet e tjera të Këshillit Evropian. Këto parime nënkuptojnë se negociatat dhe përparimi i tyre do të përcaktohet nga meritat e Maqedonisë së Veriut në miratimin dhe zbatimin real të reformave të kërkuara, në përqafimin dhe promovimin e vlerave themelore të BE-së (respektim e dinjitetit njerëzor, lirisë, demokracisë, barabarësisë, sundimit të ligjit dhe të drejtave të njeriut, përfshirë edhe atë të personave që u përkasin grupeve të pakicave), në Kriteret e Kopenhagës (stabiliteti i institucioneve që garantojnë demokracinë, sundimin e ligjit, të drejtat e njeriut dhe respektimin dhe mbrojtjen e pakicave; ekzistimi i ekonomisë funksionale të tregut e aftë për t’u përballur me presionin e konkurrencës dhe të fuqisë së tregut në kuadër të BE-së; aftësia për të marrë detyrime nga anëtarësimi, përfshirë qëllimin e aderimit në unionin politik, ekonomik dhe monetar dhe për të ndërtuar kapacitete për zbatim efektiv të institucioneve legale, politike dhe gjyqësore të BE-së, të njohura si asquis, në Procesin e Stabilizim Asocimit (marrëdhënie të mira dhe bashkëpunim me fqinjët, zbatimi i Marrëveshjes së Prespës me Greqinë, i Traktatit të Fqinjësisë së Mirë me Bullgarinë), në të drejtën e vendeve aspirante për zgjedhjen e klastereve që do të hapen ose mbyllen, në dinamizmin hapje-mbylljes së gjashtë klastereve, në të cilat tematikisht do të grumbullohen 35 kapitujt e deritashëm, në zbatimin e reformave urgjente në gjyqësor dhe administratë, në luftimin e krimit të organizuar e korrupsionit e kështu me radhë.

Klasteri i kapitujve të reformave në administratë dhe gjyqësor do të hapet i pari, por do të mbyllet i fundit. Këto quhen klastere fondamentale, për të cilat Maqedonia e Veriut detyrohet të miratojë një “udhërrëfyes”, që do të jetë një agjendë e qartë e zbatimit të reformave rrënjësore në gjyqësor dhe në institucionet që garantojnë të drejtat bazike, lirinë dhe sigurinë e qytetarit. Udhërrëfyesi, po ashtu, do të tregojë kur dhe si do të zbatohen reformat në administratën publike, për të cilin proces Komisioni Evropian (KE) do të ofrojë udhëzime.

Në dokumentin që e formëson pozicionin e BE-së në negociatat anëtarësuese me Maqedoninë e Veriut një theks i veçantë u kushtohet edhe klastereve ku kërkohet përmirësimi i kapaciteteve të administratës në luftimin e korrupsionit. Nuk do të shkohet në hapjen e klasterit tjetër përderisa vendi të mos e fillojë zbatimin kualitativ në praktikë të politikave antikorrupsion të dakorduara në klasterin paraprak.

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria do të jenë dy vendet e para që do të zhvillojnë negociata për anëtarësim në BE me metodologjinë e re. Kjo metodologji i mundëson Brukselit qasje dhe kontroll të plotë në procesin e miratimit dhe zbatimit të reformave. Kjo ngjall optimizëm te qytetarët e të dyja vendeve se zotimet për reforma dhe antikorrupsion përfundimisht nuk do të fshihet në sirtarët e harresës, por do të zbatohen në tërësi për ta bërë realitet ëndrrën evropiane.

 

Ky tekst është shkruar për Revistën SHENJA

Të fundit