E enjte, 29 Shtator, 2022

Ministria e punëve të jashtme

Autor: Sefer Selimi Jr. 

Marrëveshja e qeveritare që mori bekimin e shumicës në parlament, në hisen e pushtetit Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) i dha edhe Ministrinë e Punëve të Jashtme. Për herë të parë që nga pavarësimi prej Jugosllavisë, Maqedonia e Veriut do të ketë një shef diplomacie që është shqiptar. Bujar Osmani vjen nga pozita të tjera të larta qeverisëse, përfshirë këtu edhe postin paraprak si Zëvendës  Kryeministër për Çështje Evropiane e që ndan ngusht përgjegjësitë me Ministrinë e Punëve të Jashtme (MPJ). Mandati i kaluar qeveritar u shënua me vendime të rëndësishme për të ardhmen e shtetit në plan të jashtëm dhe përfundimisht Maqedonia e Veriut përcaktoi orientimin e vet euro-atlantik me anëtarësimin në NATO dhe datën për fillimin e negociatave me Bashkimin Evropian. Këto suksese në përcaktimet strategjike erdhën si rezultat i marrëveshjeve të guximshme të Maqedonisë së Veriut me Bullgarinë dhe Greqinë, por edhe një sërë reformash legjislative dhe sistemore që ishin nën koordinimin e Sekretariatit për Çështje Evropiane (SÇE), të cilat ndonëse lënë shumë për të dëshiruar në implementimin e tyre, u vlerësuan pozitivisht nga Komisioni Evropian. Në periudhën që lamë pas, si zëvendëskryeministër arriti të imponohet si faktor në politikën e jashtme dhe të bëhet protagonist i BDI-së në ato procese.

Sfidat si Ministër i Jashtëm do të jenë të ndryshme me ato të Zv. Kryeministrit për Çështje Evropiane në më tepër dimensione. Në plan të parë, do të duhet të gjej bashkëpunëtor të brendshëm në ministrinë që drejton të cilët kurë më parë nuk kanë pasur një shef që nuk vjen nga partitë më të mëdha qeverisëse, e aq më pak që është shqiptar – siç është pothuajse tradicionalisht me SÇE-në. Si çdo institucion edhe aty ka taborë oportunist dhe shantazhues që mbrojnë interesa partiake dhe personale. Navigimi përmes stafit diplomatik në ministri për të krijuar ekipin mbështetës do të përcaktoj suksesin e tij si ministër. Këtu, rol dhe rëndësi të veçantë do të kenë këshilltarët personal të cilët duhet t’i zgjedh pa asnjë ngarkesë tjetër përveç fokusimit në profesionalizmin e tyre dhe njohjen e dinamikës brenda dhe përreth ministrisë. Gjithashtu, shumë i rëndësishëm do të jetë procesi i avancimit dhe krijimit të mundësive për administratën duke u nisur nga parimi i meritokracisë profesionale.  

Marrëveshjet me Bullgarinë dhe Greqinë do të jenë sfidë e jashtëzakonshme për të ruajtur kredibilitetin e implementimit të përgjegjësive që burojnë nga to. Këto marrëveshje janë komplekse dhe ngërthejnë edhe një sërë çështjesh të cilat mund të prodhojnë eurupcion emocional dhe ndjenja të pakëndshme posaçërisht për bashkëqytetarët maqedonas. Roli i tij duhet të ngelet vetëm teknik dhe të shmanget plotësisht nga protagonizmi për vendimet politike, të cilat duhet t’ia lë në barë kryeministrit. Kjo për arsyen se në të ardhmen ato vendime mund të shëndërrohen edhe në një burim përplasjesh ndëretnike dhe të jenë burim i pakënaqësive historike. 

Gadishulli Ballkanik është tradicionalisht kompleks dhe sfidues për çdo diplomaci, e aq më shumë është tejet i ndjeshëm brenda dinamikave të relacioneve mes fqinjëve. Edhe dëshira më sinqertë për të ndërtuar relacione të mira ndërfqinjësore, mund të kthehet si bumerang me plot tension. Aktualisht, jemi në një situatë të nxehtë në shumë dimensione dhe paqartësi duke filluar nga situata në Bullgari, ajo në Mal të Zi, buzëkonflikti mes Turqisë dhe Greqisë në Mesdhe dhe më kryesorja rikthimi i vëmendjes amerikane për të zgjedhur përgjithmonë ngërçin mes Serbisë dhe Kosovës. Kjo situatë aktuale është një kokëdhimbje për çdo qytetar, e për një ministër të jashtëm është një sfidë që mund të përcaktoj përjetësisht trashëgiminë e tij në politik. Prandaj, tejkalimi i vetes dhe politikës partiake që shpeshherë merr tone folklorike duke u lëshuar në deklarata pompoze dhe të pamatura që i shërbejnë ushqimit të egos personale, të militantëve partiak apo liderit të partisë mund ta nxjerrë si të papjekur përballë përgjegjësisë që e ngarkon kjo pozitë delikate. 

Në fund, Ministria e Jashtme është pasqyra e qytetarëve në botën e jashtme dhe refleksion i shtetësisë, seriozitetit dhe funksionalitetit prandaj me shumë rëndësi do të jetë koordinimi dhe strategjia e përfaqësimit diplomatik, me njerëz të kualifikuar për të na përfaqësuar denjësisht dhe profesionalisht dhe jo për ti rehatuar si pensionim politik. 

Të fundit