E mërkurë, 5 Tetor, 2022

Kurti thotë se negociatat në Uashington nuk kanë transparencë

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, në një konferencë për media nga selia e partisë tha se delegacioni i Kosovës në Uashington nuk ka platformë për bisedime.

“Nuk dihet agjenda e formati, përmbajtja e qëllimi”, tha Kurti.

Ai theksoi se pala kosovare nuk ka legjitimitet e as kredibilitet për të zhvilluar takime në Uashington.

Në Shtëpinë e Bardhë sot (e enjte) pritet të takohen kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

“Delegacioni nga Kosova nuk ka platformë të diskutuar e të aprovuar në Kuvendin e Republikës. Nuk mund të ketë marrëveshje ekonomike pa atë politike. Karakteri politik është i pashmangshme. Këto negociata të paralajmëruar nuk kanë transparence e nuk dihet formati edhe qëllimi”, tha Kurti.

Kurti, ka kritikuar delegacionin e Kosovës po ashtu duke thënë se “kanë shkuar të flasin për çështje ekonomike e nuk e kanë me vete ministrin e Ekonomisë”.

Nikoqirë të takimit do të jenë këshilltari amerikan për Siguri Kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, Robert O’Brien, si dhe i dërguari i posaçëm i presidentit amerikan për bisedimet Kosovë-Serbi, Richard Grenell.

Kurti më herët kishte thënë se në prani të Grenellit ishte diskutuar për shkëmbimin e territoreve mes Kosovës dhe Serbisë – që sipas tij, ky shkëmbim do të hynte në kuadër të marrëveshjes finale.

Por, më 20 prill, Grenell kishte reaguar ndaj këtyre pretendimeve të Kurtit duke i hedhur poshtë ato.

“Nuk ka pasur absolutisht diskutim për shkëmbim territoresh prej meje – dhe nuk është diskutuar prej askujt tjetër në praninë time. Këtë e kemi thënë shumë herë”, kishte shkruar Grenell në rrjetin social Twitter.

Delegacionet e Kosovës dhe Serbisë që po qëndrojnë në Uashington nuk e kanë mohuar mundësinë që në bisedime, përveç ekonomisë, të diskutohet edhe për çështje tjera politike.

Të fundit