E mërkurë, 5 Tetor, 2022

Kosovë, analistët rreth takimit në Shtëpinë e Bardhë

Analistët në Kosovë thonë se takimi në Shtëpinë e Bardhë është me peshë për shkak të përfshirjes së zyrtarëve më të lartë amerikanë në procesin e arritjes së një marrëveshjeje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Ata presin që krahas diskutimeve ekonomike të trajtohen edhe disa çështje politike.

Analisti, Agon Maliqi thotë se në këtë takim mund të ketë edhe ndonjë lloj deklarate të përbashkët që mund ta ketë një peshë politike.

“Ndoshta kjo do t’i prezantohet palëve si një farë lloj dokumenti ose teksti të cilën mund ta nënshkruajnë ose jo dhe diçka e ngjashme si ai dokumenti në mes të Izraelit dhe Emirateve, jo detyrimisht si përmbajtje ku aty zotohen Emiratet për normalizim të plotë të marrëdhënieve, mirëpo diçka me një farë boshti politik dhe peshë politike. Kjo mund të jetë edhe ndoshta një lloj nënshkrimi i këtij dokumenti dhe kësaj pako ekonomike ndoshta mund të jetë diçka që edhe sjellë edhe prezencën e presidentit amerikan në takim”, tha zoti Maliqi.

Drejtori ekzekutiv i Institutit Ballkanik për hartimin e politikave, Naim Rashiti thotë për Zërin e Amerikës se bisedimet në Washington do të jenë hapi i parë drejt një marrëveshjeje përfundimtare ndërmjet dy vendeve në muajt në vazhdim.

“Edhe për takimet e hershme në Shtëpinë e Bardhë, unë kam dy shpjegime, e para është kjo është maksimumi që SHBA-të është duke bërë dhe do të ishte shumë keq nëse dështon dhe e dyta nëse kemi marrëveshje, çfarëdo forme që merr ajo marrëveshje në Shtëpinë e Bardhë do të ndërtoj kornizën e çdo dialogu tjetër në mes të Kosovës dhe Serbisë përfshirë do të formësojw edhe dialogun e Brukselit dhe nuk mund të krijohen pastaj procese paralele mbi marrëveshje paralele dhe si e tillë domosdoshmërisht do të bëhet një nevojë e fuzionimit të këtyre dy proceseve për të arritur marrëveshjen finale”, tha zoti Rashiti.

Kosova e Serbia muajve të fundit po përballen me trysni për të arritur një marrëveshje që do të çonte drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet dy vendeve. Por, kjo trysni është parë me shqetësime shpeshherë në Kosovë për shkak të siç është thënë, mundesise per një marrëveshjeje jo të favorshme.

“Me sa kam kuptuar, SHBA-të kanë më shumë me Serbinë për të negociuar marrëveshjen sepse ajo do të duhej të pranoj implikimet politike të marrëveshjes që përfshinë bashkëpunimin drejtpërdrejt me institucionet e Kosovës dhe qeverinë e Kosovës dhe nuk pritet që qeveria e Koosvës të ketë kundërshtime ndaj një marrëveshje të formatit të tillë, e dyta i dërguari Grenell ka bërë të qartë se kush del nga kjo marrëveshje do të sanksionohet, do të dëmtojë marrëdhëniet me SHBA-në dhe kjo është bërë e qartë kohë më parë dhe nuk i besoj që Kosova do t’i hyjë atij rreziku dhe aq më shumë nuk i besoj se Kosova do të hynte të provonte të anashkalonte në proces”, tha zoti Rashiti.

“Megjithatë dialogu përmbajtjesor ai i normalizimit të plotë ku janë të gjitha dimensionet gjithëpërfshirëse është ai i Brukselit, mbetet, mirëpo ky është më shumë si një shtysë ose një nxitje politike me ca melmesa dhe shtysa tjera ekonomike kështu që nuk duhet edhe mbivlerësuar ky takim apo të rriten tepër pritjet prej tij, gjithsesi me rëndësi do të jetë ky lloj zotimi politik sepse edhe ato fjalë që palët zotohen aty sidomos nëse ka edhe ndonjë afat kohor e kanë një peshë veçanërisht si formë e presionit ndaj Serbisë sepse ky lloj angazhimi amerikan e kë rëndësinë kryesisht te presioni që i ushtrohet Serbisë për të nxituar drejt njohjes së Kosovës”, tha zoti Maliqi.

Analistët thonë se një marrëveshje përfundimtare do të jetë e vështirë të arrihet brenda këtij viti për shkak edhe të paqëndrueshmërisë politike me të cilën po përballet Kosova.

“Unë mendoj që Serbia po përpiqet ta zhagisë sa më shumë mundësinë e marrëveshjes në mënyrë që Kosova të futet edhe njëherë në krizë dhe kjo pastaj të shtyhet sërish pafundësisht, kështu që ose do të ketë diçka deri kah shkurti apo marsi do të thoja ose kjo punë pastaj mbetet prapë në një paqartësi kohore, do të thotë fillon një dinamikë krejtësisht e re.

“Megjithatë në mungesë të një kohezioni më të fuqishëm politik në Prishtinë duhet të shohim se si rrjedhin zhvillimet politike në Prishtinë pas një marrëveshje eventuale, kjo mbetet një shqetësim natyrisht sepse siç e kemi parë këto vite çështjet e dilaogut dhe temat tjera janë përdorur për kalkulime të brendshme politike, për beteja politike dhe ndoshta edhe kjo mund të përdoret”, tha zoti Rashiti.

Kryeministri Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç pas takimit në Washington pritet të vazhdojnë më 7 shtator nw Bruksel bisedimet e ndwrmjetwsuara nga Bashkimi Evropian.

Të fundit