E enjte, 1 Dhjetor, 2022

Të flasim më pak për partinë dhe politikanët dhe më shumë për politikën

Autor: Sefer Selimi Jr. 

Në një vend ku politika është kryetema e çdo bisede është simptomatike se në atë vend gjërat nuk ecin për së mbari. Në Maqedoninë e Veriut çdo qytetar është njohës i çështjeve politike, madje gjithkush e ka nga një teori konspirative dhe një mendim të prerë për ato. Po të shihet kjo përmes prizmës së idesë antike të demokracisë do të ishte arritja më e madhe sepse kjo do të nënkuptonte që çdo qytetar është i përfshirë në politikë, rrjedhimisht në qeverisjen e vendit. Megjithatë këto biseda mund të variojnë në nuanca ngjyrash, qasjesh apo tematikash, por në thelb flasin për politikanët dhe partitë e jo për politikat që janë shtyllat e sistemit qeverisës. Në fakt, tek ne e folura për politikë është jehonë e thirrjeve të dëshpëruara ndaj malit që s’bë za e jo reflektim i qytetarit të ndërgjegjshëm e me ideale të larta për demokracinë. 

Mes vorbullës së këtyre bisedave gjithmonë e gjen interesin personal që lidhet drejtpërdrejtë me partinë, por jo me politikat. Mund të dëgjosh për punësimin si premtim i partisë, por jo për politikat e punësimit që do të ofronin mundësi të barabarta për të gjithë. Mund të dëgjosh për avancimet si shpërblim për angazhim në mbledhjen e votave dhe jo për politikat kadrovike në institucionet publike për të avancuar ata që vërtetë meritojnë dhe për të përzgjedhur më të mirët. Mund të dëgjosh për shkollat e politizuara por jo për politikat strategjike për transformimin e sistemit arsimor. Të gjithë flasin për ajrin dhe ambientin e ndotur, por askush për politikat e mbrojtjes së ambientit, e aq më pak për zbatimin e tyre. Kjo e folur sipërfaqësore për politikën e ka kthyer atë në një garë mes individëve që përfaqësojnë partitë për t’i lidhur votuesit e tyre kryekëput për interesash private, shërbime individuale dhe favore me shërbimet publike për të ndërtuar një sistem të sofistikuar klientelist që flet për partitë e politikanët dhe jo për politikat qeverisëse. Rrjedhimisht, kjo krijon hapësirë që gara të zhvillohet jo përmes konkurrencës me ide, sfidimit të status qou-së dhe ekselencës së politikbërrjes zhvillimore por përmes aftësisë bindëse, manipulative dhe ofertës më të mirë për interesat individuale konkrete. Dhe kjo krijon një rreth vicioz prej të cilit nuk mund të dalin qytetarët e ndërkohë politikanët dhe partitë duan ta mbajnë me çdo kusht dhe ai që humb më shumë në këtë rast është interesi publik. Votuesit duhet të fillojnë të kuptojnë se interesat individuale në afat të shkurtër mund të duken mjaftë tunduese, por nëse ato shkojnë mbi interesin e përgjithshëm publik do të kthehen si bumerang edhe ndaj interesit individual të momentit, ndërkohë që ata vetë do të ngelin rob të partisë. 

Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut pritet që së shpejti të konfirmohet në Kuvendin e Republikës. Ajo nuk vjen me asnjë freski befasuese në aspektin e përzgjedhjes së kuadrove prandaj edhe çuditë janë pothuajse të pamundura dhe pritshmëritë duhet të jenë të kufizuara. Ajo që do të uroja që brenda kësaj përbërje qeveritare, posaçërisht tek ministrat shqiptar, të shohim një gjueti për kokat më të zgjuara brenda institucioneve që janë lënë në margjinat e korridoreve burokratike për shkak të mungesës së ambicjeve të tyre partiake, por që janë profesionist të përbetuar në integritetin dhe profesionalitetin e tyre. Nëse do arrijnë t’i gjejnë për t’i avancuar duke ju dhënë hapësirë dhe mbështetjeje për punë, dhe kjo varet kryesisht nga vullneti i tyre sepse  të tillë ka në çdo institucion, do t’i bëjnë shërbim jo vetëm qytetarëve por edhe vetes së tyre. Atëherë do të mund të flasim më pak për politikë, e aq më pak për partitë dhe politikanët.  

Të fundit