E enjte, 29 Shtator, 2022

PRINDËR

Autor: Rean Saiti
Osmani shquhej për nikoqirllëk. I pari në katund. U martua shumë i ri me Ajshen. U lindën pesë fëmijë. Tre djem e dy çika.
Një familje e mirë dhe e ndershme. E respektuar në fshat dhe gjithë nahinë. Punonin sikurse të gjithë të tjerët, në një kohë të pakohë. Shumë punë, me vështirësi, por gjithmonë me nder. Fëmijët një nga një i përcollën nëpër botë, në shkolla, fakultete. Shtëpia mbeti e zbrazët. Fëmijtë askund, kurse punët mbetën të njëjta. Përmes shpinës së tyre kalonin ngarkesa sa për pesë vetë, tamam aq për ta mbajtur gjallë vatrën familjare.
U flisnin njerëzit: “Ndalu pak o Osman, shiti arrat e bagëtinë, jetoje pakëz jetën, nuk mundesh i vetëm, edhe Ajshja tashmë nuk mundet. Jetoni këtë jetë që u ka mbetur, pa shatin, kosën dhe bagëtinë”.
Gjithmonë përgjigjej: “Ja, vetëm më i madhi ta mbarojë shkollën, i mesmi të punësohet, e i vogli të martohet, t`i martoj e t`i shkolloj çikat”
Me duart e tyre përplot plagë paguanin dhoma studentësh nëpër qytetet e mëdha, themelet e para të shtëpive të tyre, i bëri me kulm mbi kokë, i shkolloi e i martoi…
Fëmijët filluan ta jetojnë jetën e tyre…dhe i harruan. Mbetën të vetëm. U dërgonin fëmijëve përmes autobusit, djath, kos e kajmak. Secila kanaçe dhe copë e djathit e mbuluar me lotët e tyre. Pikërisht secila, duhej t`i rikujtonte se diku atje janë ende gjallë…Se janë mirë, se nuk u duhet asgjë, përveç tyre. .. Buzëqeshja e tyre, dashuria, ndonjë thirrje e letër…Asnjëri nga të pestit nuk e hetoi shijen e çuditshme të njelmët të djathit të nënës dhe babasë. .. Secila copë e vajtuar dhe e “njelmëzuar” me pikëllimin, mungesën dhe vetminë.
Ajsheja vdiq në një mëngjes të shtatorit. Mu në mes të shtëpisë, i kishte plasur zemra. Shpirtin e dha pikërisht aty ku kishte lënë jetën.
Osmani mbeti i vetëm. Shikonte muret duke u bërë thirrje zhurmës dhe gëzimit të fëmijëve, aromës së bukës së Ajshes dhe sytë e saj të ngrohtë. Heshtja ia trazonte shpirtin. Netëve, do të qëndronte gjatë në shkallët e shtëpisë së zbrazët…Shikonte në qiell…Fotografitë e jetës kalonin para syve të tij… Vetëm me to thente heshtjen që ia kishte kapluar zemrën dhe shpirtin.
U sëmur… Tre djem e dy çika. Filluan ta shëtisin nga njëri tek tjetri. Gjithkujt i pengonte. Ziheshin rejat me bijtë e tij për shkak të tij… Tek çikat gjithashtu nuk mund të shkonte….E “thyenin” për së gjalli, ashtu të sëmurë…Çdoherë kur ia bënin gati valixhet, shpirtin ia digjnin…Ia “thyenin” gishtërinjtë me të cilët i ngriti, shpinën me të cilën i shkolloi e u ndërtoi shtëpi… Nga sytë qëmoti ishte i verbuar, duke shikuar përtej kodrës, se mos shikonte të paktën njërin prej pesë fëmijëve.
Kur e bënin gati të largohej nga shtëpia e së bijës, me atë valixhe të mallkuar, mbesa vrapoi për ta përqafuar. E shtrëngoi fortë dhe filloi të qajë…
-Mos shpirt…mos bija e gjyshit – belbëzoi me pak fuqi.
-Do të shihemi së shpejti, apo jo? Sërish do të vish tek ne, apo mami? – qante mbesa.
Sa rrudha kishte në fytyrë, nëpër secilën derdhej loti…Mjekrra duke u dridhur i largonte lotët, kurse sytë…të kaltër…të mjegulluar…E përqafoi fortë mbesën:
“Nuk do të shihemi më, shpirti im. Bëhu e mirë …dhe mos e harro gjyshin tënd”
Mbesa mbeti duke shikuar shpinën e tij të kërrusur… Hapi që ndalet…I rëndë … shumë I rëndë.
Ai e dinte se së shpejti do të shkojë…Jo tek ndonjëri nga pesë fëmijët, por në një botë më të mirë, atje ku ka vend për të.
E dërguan në azil pleqësh…Vdiq i vetmuar, i sëmurë, i braktisur… Të gjithë duart e shpinët mbijetojnë për fëmijët…por zemra…zemra nuk mbijetoi…Plasi një natë në një dhomë të errët i braktisur nga të gjithë. Fjalët e fundit:
“Vetëm fëmijët le të jenë mirë” … Mbante dorën e infermieres dhe derisa lëshoi shpirtin , loti i fundit u rrokullis në këtë botë. Dhjetë duar kurse asnjëra në duart e tij…
Ekzistojnë mëkate, të cilët Zoti nuk do dhe nuk mund t`i falë…

Të fundit