E enjte, 29 Shtator, 2022

NEZIRI PËR KLANKOSOVA: JETËGJATËSIA E KOALICIONIT LSDM-BDI DO TË VARET NGA RESPEKTIMI I VLERAVE EUROATLANTIKE

Xhelal Neziri, analist politik në Maqedoni të Veriut, ka thënë se marrëveshja për krijimin e qeverisë në mes të LSDM-së dhe BDI-së ka të bëjë kryekëput me tema joetnike, por të rëndësishme për të gjithë qytetarët e vendit.

“Transparenca, sundimi i ligjit, drejtësia, zhvillimi dhe integrimi në Bashkimin Evropian janë synimet e qeverisë së re. Edhe pse kishin një fushatë parazgjedhore të tensionuar, me doza etno-nacionalizmi, programi megjithatë është një sublimim i të gjitha reformave urgjente që priten nga të gjithë qytetarët e që do të hapen si klastere gjatë negociatave anëtarësuese me BE”.

“Sa do t’i realizojnë këto synime, apo sa jetëgjatë do të jetë kjo qeveri – mbetet të shihet. Raporti i deritashëm Zaev-Ahmeti ka qenë jo i mirë, pa besimin e nevojshëm dhe me një mosdurim të shprehur publikisht. Nëse do t’u përmbahen parimeve të marrëveshura për një qeverisje të bazuar mbi vlerat euroatlantike, atëherë do të arrijnë ta çojnë mandatin katërvjeçar deri në fund. Në të kundërtën, mund të kemi sërish zgjedhje të parakohshme, të cilat do të ishin të gjashtat me radhë”, ka thënë Neziri për klankosova.tv.

Sipas tij kjo ujdi është në interes  të të gjithë qytetarëve dhe se edhe shqiptarët do të përfitojnë nëse e njëjta zbatohet.

“Që në përzgjedhjen e kandidatëve për postet qeveritare Zaev dhe Ahmeti obligohen të emërojnë njerëz profesionistë, të pakorruptuar dhe të përgatitur për institucionin që do të drejtojnë. Pastaj Vettingu i politikanëve, rizgjedhjeje e prokurorëve dhe gjykatësve, përmbushjen e zotimeve për luftë kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar të marra në kuadër të Procesit të Berlinit…janë hapa që do ta evropianizojnë Maqedoninë e Veriut”.

“Për dallim nga koalicionet e mëparshme, në qeverinë e ardhshme shqiptarët kanë resorët më të fuqishëm që kanë të bëjnë me zhvillimin ekonomik dhe integrimin në BE. Kjo njëkohësisht i bën të përgjegjshëm për rezultatet në sferën e ekonomisë dhe politikës së jashtme. Çdo sukses apo dështim në këto rrafshe do të ketë për adresë partnerin shqiptar në qeveri”.

Kjo marrëveshje për bashkëqeverisje përfshin edhe atë që Maqedonia e Veriut të ketë kryeministrin e parë shqiptar.

“Kryeministri shqiptar është  më tepër një ide që simbolizon gatishmërinë e shqiptarëve etnikë për të marrë përgjegjësi për të drejtuar atdheun e tyre, pra Maqedoninë e Veriut. Simbolika e kryeministrit shqiptar është barabarësia e të gjithë qytetarëve në të drejtën për të zgjedhur e për t’u zgjedhur, thyerja e paragjykimeve se një jomaqedonas etnik mund të drejtojë shtetin dhe ndryshimin e mentalitetit politik të “funksioneve të rezervuara” për etninë shumicë, apo të ndaluara për etninë joshumicë”.

Këtë akord e bën historik, ashtu siç u cilësua edhe dje, sipas Nezirit fakti që ajo u jep shqiptarëve pushtet si asnjëherë tjetër.

“Për herë të parë kanë Ministrinë e Financave, të Punëve të Jashtme dhe për herë të parë do të kenë kryeministër, qoftë edhe për 100 ditë. Nëse kësaj i shtohet edhe marrëveshja që Parlamenti të vazhdojë të udhëhiqet nga një deputet shqiptar etnik, atëherë kjo përbën vërtet një pushtet të madh. Në këtë drejtim, duhet të kihet parasysh se këto funksionarë do të duhet të jenë në shërbim të interesave shtetërore të Maqedonisë së Veriut, të gjithë qytetarëve të saj pa marrë parasysh identitetet etnike apo politike të tyre”.

“Kështu që, tash i marrin funksionet si shqiptarë për gjatë  drejtimit të institucioneve duhet të tregojnë rezultate konkrete në zotimet nga marrëveshja për qeverinë. Pa rezultate, nuk do të mund të gëzojnë përkrahjen e shqiptarëve etnik vetëm se i përkasin të njëjtës etni”.

“Pra, kryeministri shqiptar njëjtë si kryeministrat tjerë vetëm se do të zbatojë Kushtetutën dhe ligjet aktuale të miratuara nga Parlamenti, si dhe do të punojë në realizimin e platformës qeveritare të legjitimuar në zgjedhje. Marrëveshja LSDM-BDI parasheh kryeministër shqiptar, gjithsesi. Këtë e konfirmuan Zaev dhe Ahmeti. Kompromisi i bërë në këtë kontekst është kohëzgjatja e drejtimit të qeverisë nga një shqiptar etnik dhe periudha e mandatit katërvjeçar”.

“BDI insistonte në variantin për një kryeministër shqiptar në dy vitet e para, por kjo si duket nuk hasi në mirëkuptim as te diplomatët perëndimorë për shkak të periudhës së ardhshme kur Maqedonia e Veriut duhet të bëjë edhe një marrëveshje kompromisi me Bullgarinë”.

“Kjo marrëveshje prek drejtpërdrejt në identitetin etnik të maqedonasve, pra përfshinë definimin e gjuhës, historisë dhe  heronjve maqedonas. Një nënshkrim i një kryeministri etnik shqiptar në një marrëveshje të tillë, të ndjeshme  dhe historike, do të shkaktonte tensione ndëretnike që do të nxiteshin nga qarqe nacionaliste. Andaj, si kompromis është dakorduar që një kryeministër shqiptar të drejtojë qeverinë në 100 ditët e fundit të mandatit apo para mbajtjes së zgjedhjeve”.

Të fundit