E shtunë, 1 Tetor, 2022

HORIZONTI I NJË REALITETI TË RI POLITIK

Rezultate e zgjedhjeve të fundit janë një moment shndërrimi politik dhe demokratik. Një realitet i ri politik që vjen si pritshmëri elektorale. Mbase një sfidë për të testuar improvizimet e stërlodhura të partneriteteve. Politika dhe demokracia kërkojnë kapacitete për t’u përballur me realitetet e reja që vlimet e brendshme elektorale duket se jo rastësisht i nxjerrin në sheshin e vendimeve politike.

 

Autor: Bardhyl Zaimi

Rezultati i befasishëm zgjedhor ka krijuar një situatë të komplikuar paszgjedhore. Akoma nuk dihet kah do të anojë kandari i koalicionimeve. Ky rezultat zgjedhor mbi të gjitha nuk lejon supremaci politike siç jemi mësuar gjatë cikleve paraprake zgjedhore. Politika në Maqedoninë e Veriut po futet në një dimension tjetër të lojës demokratike që kërkon më tepër kompromise nga partitë që gjithnjë kanë qenë bartës kryesor të formimit të qeverisë.

Konfiguracioni paszgjedhor tashmë kërkon një qasje të re dhe kualitet tjetër demokratik që përparave liderëve të mësuar me superioritet vjen në formë të ngatërruar dhe me shumë pikëpyetje. Partitë politike tashmë kanë filluar bisedimet, por ende nuk ka shenja të një marrëvrshjeje mes tyre. Pas takimit të dytë me liderin e LSDM-së, Zoran Zaev, lideri i BDI-së, Ali Ahmeti ka deklaruar se ” sa jemi afër, aq jemi larg marrëveshjes”.

Edhe Zaev ka deklaruar se akoma nuk ka një marrëveshje, ndërkohë që bisedimet vazhdojnë. Më herët partia e Zaevit kishte kumtuar se kanë rënë dakord me BDI-në për çështjet kruciale, por nga deklarimet e fundit të dy liderëve mund të kuptohet se akoma ka punë për t’u bërë për arritjen e një marrëveshjeje të mundshme.

Gjersa Zaev duket se ngutet për formimin e qeverisë, Ahmeti dallohet për një durim në bisedime. Shumē analistë çështjen e bisedimeve e shohin edhe si një lojë nervash. Procesi i bisedimeve nënkupton pozicionime sa më të forta për të marrë në menaxhim pjesë nga pushteti.

Para Ahmetit ndodhet edhe premtimi parazgjedhor për kryeministrin shqiptar që i bënë realisht bisedimet me LSDM-në më të komplikuara dhe më tē paparashikurshme. Ahmetit i lejojnë numrat që të këmbëngulë në idenë e kryeministrit që tashmë shihet në formën e një rotacioni. Loja politike bëhet akoma më e konplikuar kur vetë kushtetuta në kësi rastesh lejon që ai që krijon shumicën parlamentare ta formojë edhe qeverinë.

Në ndërkohë lideri i BDI-së, Ali Ahmeti ka ftuar liderët paetive politike shqiptare në tryezën politike. Zaev këtë ftesë e ka vlerësuar si presion që i bëhet atij. Lëvizja Besa ndërkohë ka theksuar se lidhur me tryezën politike lideri i tyre Kasami do të prononcohet të mërkurën, ndërsa kryesitë e ASH-së dhe Alternativës pjesëmarrjen ose jo në takimin të ftuar nga Ahmeti ua kanë lënë në dorë liderëve, Zijadin Sela dhe Afrim Gashi.

Takimi është caktuar për me 13 gusht duhet të pritet të shihet nëse liderët e ftuar do të marrin pjesë. Me gjasë 13 gushti do të shënojë një moment të ri dhe dinamikë tjetër bisedimesh varësisht nga epulogu i këtij takimi. Më herët pëfaqësues të ASH-së dhe Alternativës kanë deklaruar se do ta përkrahin BDI-në vetëm nëse Naser Zyberi bëhet kryeministër. Pikërisht çështja e kryeministrit shqiptar mund të krijojë një noment tjetër sinergjie politike në bllokun politik shqiptar në bisedimet me LSDM-në, një shtytje që mund bisedimeve t’iu japë krejtësisht kahje dhe dinamikë tjetër.

Një unifikim i mundshëm rreth kësaj ideje ka gjasa që të hapë një horizont tjetër kalkulimesh, por edhe impenjimi politik të paparashikueshëm. Vetë fakti që këto bisedime po zhvillohen në konfidencë të plotë tregon për faktin se pozicionimet e partive mbeten në fazën fillestare por me një lloj ” mirëkuptimi” për të mos e rrezikuar procesin e bisedimeve. Fjala më e përtatshme që i shkon situatës paszgjedhore është e ” paparashikueshme”. Njësoj siç ishte rezultati zgjedhor.

Pikërisht në këtë paparashikueshmëri tashmë duhet të performohet politika në Maqedoninë e Veriut. Rezultate e zgjedhjeve të fundit janë një moment shndërrimi politik dhe demokratik që kërkojnë kapacitete tjera për një realitet të ri politik që vjen si pritshmëri elektorale. Mbase një sfidë për të testuar improvizimet e stërlodhura të partneriteteve. Politika dhe demokracia kërkojnë kapacitete për t’u përballur me realitetet e reja që vlimet e brendshme elektorale duket se jo rastësisht i nxjerrin në sheshin e vendimeve politike.

 

 

Të fundit