E mërkurë, 5 Tetor, 2022

PRONARIT TË ORANEWS I KONFISKOHET PASURIA, DYSHOHET SE KA QENË I PËRFSHIRË NË TREGTINË ME DROGË

Në Shqipëri, Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK, njoftoi sot se Gjykata ka pranuar kërkesën e saj për vënien nën sekuestro të pasurive të sipërmarrësit dhe pronarit të Radio-Televizionit ORA, Ylli i Ndroqi, I dyshuar të jetë i përfshirë në të kaluarën në trafik droge, njofton VOA, përcjell KDP.

Sipas njoftimit zyrtar, në vitin 1998, Ylli Ndroqi rezulton të jetë arrestuar në Turqi, nën emrin Xhemal Pasmaçiu, si pjesë e një grupi të trafikut ndërkombëtar të lëndëve narkotike, dhe se nga shkëmbimi i të dhënave me autoritetet turke është vërtetuar se bëhet fjalë për të njëjtin person.

Po ashtu njoftimi bën të ditur se në vitin 2006, Prokuroria e MIlanos në Itali ka lëshuar një urdhër arresti ndaj tij, pasi dyshohej si organizator i trafikut të drogës për llogari të një grupi kriminal, i përbërë kryesisht nga shtetas shqiptarë.

Në kuadër të ligjit antimafia, Prokuoria e Posaçme ka urdhëruar sekuestrimin e një numri të madh automjetesh, pronash, dhe aksionesh të zotëruara nga Ylli Ndroqi dhe familjarët e afërt me të, duke qenë se, sipas njoftimit, ekzistojnë dyshime se pasuritë e tij nuk justifikohen me të ardhurat e ligjshme.

Avokatët e tij thanë se bëhet fjalë për një sulm politik për shkak të një procesi gjyqësor me kryebashkaikun e Tiranës, Erjon Veliaj dhe njoftuan se do të ankimojnë vendimin e gjykatës.

Të fundit