E enjte, 29 Shtator, 2022

“PARAJSA” PARAZGJEDHORE PËRBALLË “FERRIT” TË PËRDITSHËM

Me dhjetëra afera viteve të fundit tregojnë se mendësia në Maqedoninë e Veriut rëndë ndryshohet. Edhe më herët u premtua zhvillim, por regjimi i dikurshëm kishte ofruar kiç projekte kulturore, të cilat vlonin nga korrupsioni. Edhe qeveria paraprake premtoi drejtësi, por në opinion u shfaqen çantat “ Louis Vuitton” që me një mijë fije mbeten të lidhura me pushtetin. Gjatë tërë kohës është premtuar “parajsa”, por në realitet është ofruar “shkretëtira” e braktisjes së madhe.

 

Autor: Bardhyl Zaimi

Konstituimi i parlamentit nënkupton edhe fillimin zyrtar të matematikave për formimin e qeverisë. Deri më tani ka pasur “spine” të shumta partiake për koalicionimet e mundshme, por ato më tepër janë liferuar nga “zëra” afër partive, ndërkohë që zyrtarisht partitë kanë heshtur dhe kanë ripërsëritur refrenin se janë të gatshme të bisedojnë mes veti dhe se do të mbeten të përkushtuara në rrugën e integrimeve euro-atlantike.

Pjesë spineve paszgjedhore ka qenë edhe një lloj triumfalizimi që kërkon “dorëzimin” e partnerit të mundshëm koalicionues. Kjo më tepër është vërejtur mes dy subjekteve fituese në këto zgjedhje LSDM-së dhe BDI-së, të cilat me fjalë të “hekurosura” kanë lënë të kuptohet se nuk do të tëhiqen nga pozicionet të proklamuara parazgjedhore. Edhe pse shumëçka mbetet e paqartë në formimin e qeverisë, tashmë pas konstituimit të parlamentit klepsidra e kohës po shënon ditët e afateve të parapara me ligj.

Maqedonia e Veriut po përballet me një situatë të komplikuar me pandeminë, por në të njëjtën kohë po përballet edhe me një komplikim tjetër për formim të vështirë të qeverisë, përkundër faktit që në kohë pandemie ishte kërkuar mbajtja e zgjedhjeve për të pasur një qeveri politike, e cila në mënyrë më efektive do të zgjidhte problemet e panumërta për qytetarët.

Pikërisht në këtë drejtim ishte edhe prononcimi i ambasadores së SHBA-ve në Shkup, Kejt Meri Bërns, e cila ka bërë thirrje që qeveria të formohet në bazë të afateve, në mënyrë që Maqedonia e Veriut të përballet me situatën e pandemisë, por edhe me problemet tjera që determinohet nga pandemia, siç është gjendja e rënduar ekonomike dhe sociale.

Gjatë fushatës zgjedhore partitë politike kanë premtuar shumë gjera në dobi të jetesës së qytetarëve, në dobi të standardit të tyre jetësore, në dobi të një perspektive që do ta lë pas gjendjen e rënduar vite me radhë ekonomike. Si zakonisht, gjatë fushatave “decibelat” e premtive ngritën në kupë të qiellit, duke iu ofruar qytetarëve “parajsën” në tokë, duke premtuar standard jetësor, liri, zhvillim, drejtësi për të gjithë, barabarësi etj. Dhe, nuk është hera e parë që premtimet bëhen me glorifikime të skajshme, pa e pasur idenë se si mund të mbahen dhe realizohen ato. Nuk është hera e parë që premtohet shumëçka, por përsëri vazhdohet me avazin e vjetër të degjenerimeve institucionale.

Me dhjetëra afera viteve të fundit tregojnë se mendësia në Maqedoninë e Veriut rëndë ndryshohet. Edhe më herët u premtua zhvillim, por regjimi i dikurshëm kishte ofruar kiç projekte kulturore, të cilat vlonin nga korrupsioni. Edhe qeveria paraprake premtoi drejtësi, por në opinion u shfaqen çantat “ Louis Vuitton” që me një mijë fije mbeten të lidhura me pushtetin.

Gjatë tërë kohës është premtuar “parajsa”, por në realitet është ofruar “shkretëtira” e braktisjes së madhe të të rinjve që kërkojnë fatin e tyre ta gjejnë në një vend ku respektohet ëndrra dhe dinjiteti i tyre.

Gjithë kjo logjikë pushteti që vetëm ndërron “fytyrë”, por në esencë mbetet e njëjtë, duket se po jep shenja degjenerimesh edhe në këtë periudhë paszgjedhore. Vetëm para do kohe u bë e ditur që shumë kompani të cilat kanë marrë ndihmë nga shteti për punëtorët e tyre, këtë ndihmë nuk ua kanë dhënë atyre, ndërkohë që kishin “vajtuar” se shteti nuk iu ofron ndihmë. Brenda kohës është bërë e ditur se çmimi i energjisë elektrike do të rritet për 7.4 për qind, ndërkohë që janë paralajmëruar edhe protesta. Sipas disa analizave, në bazë të pagës mesatare, i bie që Maqedonia e Veriut të ketë çmimin më të lartë në Europë për energjinë elektrike.

Duket se ngadalë andrallat parazgjedhore po ballafaqohen me realitetin kokëfortë. Qytetarët nga “parajsa” parazgjedhore po zbresin në “ferrin” e përditshëm, i cili ka vite që po “kultivohet” si gjendje e pashpresë nga politika.

Paralelisht me bisedimet për formimin e qeverisë, në Maqedoni e Veriut po zhvillohet edhe një dramë mbijetese që dita-ditës po prek më shumë qytetarët. Pikërisht kjo situatë shtron përpara qeverisë së re një mal me sfida të cilat kërkojnë zgjidhje urgjente. Dhe, në këtë kontekst, para se të shfaqet dilema se kush do ta formojë qeverinë, duket se dilemë hamletiane mbetet se çfarë e pret qeverinë e ardhshme, sidomos pas premtimeve parazgjedhore, por edhe një realiteti të zymtë që është në ardhje e sipër!

Të fundit