E shtunë, 1 Tetor, 2022

BIZNESMENËT E PËRDALË DHE JETA NË VERESI

  • Moshpërndarja e rrogave për punëtorët nga 120 kompani që morën ndihmë shtetërore, rritja e energjisë elektrike për 7.4%, mungesa e tatimit progresiv dhe forcimi i oligarkisë hapin dilemën nëse në vend respektohet kushtetuta që garanton “drejtësi sociale”.
  • Drejtësia sociale është definuar si një koncept i marrëdhënieve të drejta midis individit dhe shoqërisë, i matur nga shpërndarja e pasurisë, mundësive për veprimtari personale dhe privilegjeve shoqërore. 
  • Prioritet i partive politike padyshim se duhet të jetë drejtësia sociale, nëse nuk dëshirojnë që terrenin e tyre në të ardhmen t’ua marrin parti popullsitë të ekstremit të majtë (si Levica) apo të djathtë (si Integra).

 

Autor: Xhelal Neziri

 

Se Maqedonia e Veriut është e definuar si shtet social, kjo mund të vërehet nëse lexohet Kushtetuta e saj. Aty në 15 pjesë dhe nene thuhet se shteti ka për obligim të sigurojë jetën dhe mirëqenien e qytetarit. Në preambulë, ndërkaq, thuhet se Maqedonia e Veriut themelohet, midis tjerash, edhe “për të siguruar drejtësi sociale, mirëqenie ekonomike dhe zhvillim personal duke jetuar së bashku.”

Që nga Politika e Aristotelit e deri te politologët modern, drejtësia sociale është definuar si një koncept i marrëdhënieve të drejta midis individit dhe shoqërisë, i matur nga shpërndarja e pasurisë, mundësive për veprimtari personale dhe privilegjeve shoqërore.

Asnjëherë që nga themelimi i shtetit nuk ka qenë kështu. Shpërndarja e pasurisë ka qenë dhe është duke u bërë mbi baza korruptive dhe kriminale. Privatizimi në vitet e 90-ta krijoji oligarkët e parë – trashëgimtarët e komunizmit, që pushtuan pjesën më të madhe të institucioneve shtetërore. Nga viti 1998 kemi oligarkët e demokracisë, kurse nga viti 2006 u krijuan ato që edhe sot e kësaj dite kontrollojnë industritë vitale të shtetit – energjia, ushqimi, shëndetësia dhe ndërtimi.

Në vitin 2016 në Maqedonia e Veriut fitoi një qeveri të udhëhequr nga një parti që thirret në vlerat e barazisë sociale – Lidhja Social-demokrate e Maqedonisë (LSDM). Në programin e saj, midis tjerash, thuhej se do të zvogëlohet hendeku midis të pasurve dhe të varfërve si dhe do të forcohej shtresa e mesme – ajo punëtore. Por, pas një mandati gjendja është kësisoj:

  1. Tatimi progresiv u vendos, por pastaj u tërhoq shkaku i presionit të kapitalistëve egoistë. Ky lloj sistemi parasheh lartësi të tatimit varësisht lartësisë së të hyrave. Ai që fiton më shumë paguan më shumë, ai që fiton më pak paguan më pak. Një sistem i përdorur në shumë vende evropiane për të garantuar drejtësi sociale, edhe pse pjesa më e madhe e tyre drejtohen nga parti të djathta.
  2. Vetëm në muajin prill dhe maj pronarë të 120 kompanive kanë marrë afër 400 mijë euro ndihmë shtetërore për të ndarë rroga për punëtorët, por ato mjete nuk kanë dalë nga llogaria e pronarëve. Pra, nga tatimet e të gjithë qytetarëve kanë marrë mjete buxhetore që mos të lënë keq punëtorët, por në fakt i kanë lënë në mëshirën e fatit.
  3. Në kohë krize nga COVID-19, kur kompanitë shtetërore dhe private të energjisë numërojnë miliona si fitim, qytetarët befasohen me rritje të çmimit të energjisë prej 7.4%. Në bazë të të dhënave zyrtare, në vitin 2019 kompanitë shtetërore të energjisë kanë paraqitur fitim të pastër (neto) prej 10 milionë eurosh, prej të cilave ELEM 7 milionë, kurse MEPSO 3 milionë euro. EVN austriake, ndërkaq, ka lajmëruar fitim neto prej 33 milionë eurosh.

Biznesmenët natyrisht janë të rëndësishëm për shtetin sepse sigurojnë vende pune për pjesën më të madhe të shoqërisë, mbushin arkën shtetërore me tatimet që paguajnë dhe sigurojnë zhvillim për shoqërinë dhe shtetin. Por, ato nuk duhet të jenë mbi ligjin dhe Kushtetutën, siç ka qenë deri më tani.

Procesi i integrimit në BE, nëpërmjet mbylljes së gjashtë kllastereve të kapitujve në bisedimet anëtarësuese, gjithsesi se do të sjellin përmirësim të gjendjes së punëtorëve. Megjithatë, nevojitet një reagim më i drejtpërdrejtë i punëtorëve ndaj çdo shkelje të të drejtave të garantuara me ligje dhe kushtetutë, që gjërat të shkojnë si duhet.

Prioritet i partive politike padyshim se duhet të jetë drejtësia sociale, nëse nuk dëshirojnë që terrenin e tyre në të ardhmen t’ua marrin parti popullsitë të ekstremit të majtë (si Levica) apo të djathtë (si Integra).

Të fundit