E shtunë, 1 Tetor, 2022

Vështrim i shkurtë mbi fushatën zgjedhore 

Autor: Sefer Selimi Jr.

Ofertat politike: 

Kësaj radhe në bllokun politik shqiptar, ndonëse pamjaftueshëm fushata pati debate edhe mbi përcaktimet programore të partive politike. Ofertat politike, në formë thuajse janë të ngjashme: të përgjithshme, pa detaje, pa përcaktime kohore dhe posaçërisht pa implikime buxhetore. Mungojnë ndarjet dhe përcaktimi i institucioneve përgjegjëse për implementimin dhe zbatimin e tyre dhe më shumë ngjajnë në dëshira dhe kërkesa se sa premtime që do të gjejnë zbatim. Në shtrije kapin thuajse çdo aspekt shoqëror, ndërsa në cilësi koalicioni Aleanca për Shqiptarët dhe Alternativa (AShA) ofron qasje më analitike të gjendjes aktuale duke u munduar t’iu jap zgjidhje problemeve të identifikuara, ndërkohë që BDI përdor eksperiencën qeverisëse dhe qasjen institucionale për të fol me masa më konkrete. Lëvizja Besa (LB) është nën hijen e koalicionit ‘’Mundemi’’ të udhëhequr nga LSDM dhe kryesisht përdor strategjinë e përbashkët për të promovuar zotimet kryesore dhe përcaktimet programore që në themel kanë politikat sociale, pa mos lënë prapa kritikën selektive ndaj qeverisë të drejtuar kryekëput ndaj BDI dhe herë-herë kundër Alternativës. Partia Demokratike Shqiptare (PDSH) kësaj radhe ka vetëm një objektiv: Mbijetesën përmes zgjedhjes së Menduh Thaçi edhe në një mandat deputet. 

Narracionet kryesore: 

Në narracionin e përgjithshëm të fushatës kryefjala vazhdon të ngelet tek barazia etnike të cilës palët i qasen në forma të ndryshme. BDI atë e sheh përmes pozicionit/eve më të lartë të ekzekutivit ndërkohë që AShA përmes ndryshimeve kushtetuese. BDI me ngulm dhe në çdo formë mundohet që debatin ta mbaj rreth kryeministrit shqiptar dhe herë-herë duke u lëvduar me rolin e saj në avancimin e përgjithshëm të shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut dhe duke e neglizhuar pothuajse tërësisht programin zgjedhor. Tek AShA fokusi i fushatës vazhdon të ngelet tek dështimet e qeverisjes 18 vjeçare të BDI-së dhe nevojën për ndryshim të qeverisjes, ndërkohë që shumë pak i vë fokusin promovimit të programit zgjedhor. LB vazhdon të jetë zëri i koalicionit ‘’Mundemi’’ në hapësirat e banuara kryesisht ose plotësisht me shqiptarë, duke përçuar mesazhet e targetuara, kryesisht mbi programet sociale dhe agjendën euro-atlantike. Menduh Thaçi është në rolin e ‘’vetë kundër të gjithëve’’ duke u bërë deklarata dhe akuza që janë tipike për karakterin e tij politik. 

Çka mungoi në debatin e kësaj fushate: 

  • Decentralizimi i plotë administrativ dhe fiskal – u përmend sa për sy e faqe, pa i vënë theksin që meriton ndonëse e kanë pjesë të programeve zgjedhore. Decentralizimi është një proces që edhe pse i lënë në gjysmë të rrugës ka dhënë rezultatet më të dukshme dhe më të prekshme në përmirësimin e jetës së përditshme për qytetarët e zakonshëm, posaçërisht shqiptarët.  
  • Sistemi elektoral – Askush, askund nuk tha një fjalë të vetme për sistemin elektoral dhe ndryshimin e tij. Shumica dërmuese e qytetarëve kërkojnë ndryshimin e modelit zgjedhor dhe hapjen e listave votuese, një reformë që do të demokratizoj edhe më tej partitë politike, rrjedhimisht shoqërinë. 

Fushata është drejt përfundimit dhe qytetarët do të kenë mundësinë që më 15 Korrik të shprehin vullnetin e tyre ndërsa variabla kryesore që do të përcaktoj fituesin në këtë garë të ngushtë është numri i votuesve.  Prandaj, dil voto! 

Të fundit