E enjte, 29 Shtator, 2022

OFERTA ZGJEDHORE: KOHA PËR KRYEMINSITRIN E PARË SHQIPTAR

Zgjedhjet përfaqësojnë një proces konkurrimi politik dhe demokratik të subjekteve politike. Ky proces demokratik konkurrimi nënkupton platformat politike të partive garuese që i ofrohen elektoratit si ofertë zgjedhore. Dinamika zgjedhore nënkupton shpalimin e kësaj oferte zgjedhore përpara qytetarëve, gjegjësisht elektoratit që pretendohet të përfaqësohet në institucionin ligjvënës, por edhe në pushtetin ekzekutiv. Në funksion të këtij pluraliteti politik, por edhe të debatit demokratik, KDP prezanton në vijim një sintezë të shkurtër të platformave politike, shtyllat kryesore të ideve politike me të cilat partitë konkurrojnë në këto zgjedhje të 15 korrikut. Kësaj radhe publikojmë sintezën e platformës politike të Bashkimit Demokratik për Integrim, e cila në këto zgjedhje doli me idenë “ koha për kryeministrin e parë shqiptar”.

 

Autor: Bardhyl Zaimi

 

Përveç dimensioneve tjera të programit politik të BDI-së, kandidati për kryeministër ka shpaluar 25 zotime politike, të cilat mendohet të jenë iniciativa konkrete në 100 ditët e para të qeverisë së ardhshme, nëse do të zgjidhej kryeministër. Këto zotime fokusohen në pesë shtylla që nënkuptojnë barazinë e plotë, rilindjen ekonomike, drejtësi për të gjithë, jetë më të mirë dhe shanse për familjet e reja.

Bashkimi Demokratik për Integrim në këto zgjedhje të parakohshme parlamentare ka dalë me idenë politike të “kryeministrit të parë shqiptar”. Oferta zgjedhore e kësaj partie ndërlidhet me këtë ide, ndërkohë që brenda fushatës zgjedhore tashmë janë shpaluar pjesë nga kjo platformë zgjedhore. Gjithë fokusi i platformës politike është përqendruar pikërisht në këtë ide, e cila dimensionohet në formën e një platforme qeverisëse për katër vitet e ardhshme. Esenca e kësaj platforme, siç thuhet, është barazi e plotë e shqiptarëve në gjithë tërësinë shtetërore të Maqedonisë së Veriut.
Përveç dimensioneve tjera të programit politik të BDI-së, kandidati për kryeministër ka shpaluar 25 zotime politike, të cilat mendohet të jenë iniciativa konkrete në 100 ditët e para të qeverisë së ardhshme, nëse do të zgjidhej kryeministër.

“Një vend i barazisë, kjo është shtylla dhe zotimi i parë i planit të veprimit”, e afishuar në platformën politike të kandidatit për kryeministër nga radhët e BDI-së. Po sipas këtij zotimi politik qeverisës, artikulohet ideja që “ të kalohet dhe të zbatohet legjislacioni i vendimmarrjes konsensuale dhe i përgjegjësisë së përbashkët. Do të thotë, që 10 institucionet shtetërore strategjike do të drejtohen bashkërisht nga një maqedonas dhe një shqiptar, me të drejta të përbashkëta nënshkrimi”.

Në kuadër të këtij zotimi është edhe shpërndarja e barabartë të investimeve publike, që nënkupton, siç thuhet, vendimet kryesore ekonomike ( buxheti, investimet, taksat) të mos mund të kalojnë pa mbështetjen e shumicës së anëtarëve shqiptarë të kabinetit. Gjithashtu parashihet që të ketë klasa të detyrueshme të gjuhës shqipe në çdo shkollë, duke filluar nga klasa e 5-të.

“Një vend i barabartë do të thotë që ne i respektojmë larmitë multietnike dhe multikulturore”, thuhet mes tjerash në këto zotime, ndërkohë që kërkohet ndryshimi i himnit të Maqedonisë së Veriut “për të pasqyruar këtë diversitet – sepse ky simbol nuk duhet të jetë simbol i përjashtimit dhe pabarazisë, por i gjithëpërfshirjes dhe barazisë”.

Në dimensioni ekonomik, në këto zotime përfshihet ideja e “rilindjes ekonomike”. Sipas këtij zotimi “urgjentisht do të iniciohet një politikë e taksave zero, që nënkupton: taksa zero të të ardhurave për tre vjet për çdo të punësuar për herë të parë nën moshën 35 vjeç; dhe taksa zero për kompanitë për tre vjet për çdo të vetëpunësuar nën moshën 35 vjeç”.

Një tërësi e veçantë e këtyre zotimeve politike fokusohet në idenë “ trajtim i drejtë dhe drejtësi për të gjithë”. Në këtë drejtim shpalohet ideja “e krijimit të Gjykatës së Barazisë, që do të hetojë diskriminimin në nivelin shtetëror – nëse ndodh në sallën e gjyqit, në punë, në shkollë, në komunë”.

Shtylla e katërt e këtij plani veprimi artikulon vizionin politik për “ jetë më të mirë”, që operacionalizohet nëpërmjet idesë së “orarit fleksibël të punës gjatë javës dhe gjysmë ditë pune të premten”. Gjithashtu në kuadër të kësaj shtylle të veprimit parashihet “miratimi i një ligji që ndalon kazinotë dhe shtëpitë e lojërave të fatit në largësi prej një kilometri nga shkollat, kishat dhe xhamit”. Po në këtë tërësi angazhimesh parashihet edhe propozimi për “një pagë minimale prej 600 eurosh për çdo infermier, mësues dhe arsimtar”.

Shtylla e pestë e planit të veprimit të kandidatit për kryeministër nga BDI është dhënia e një shansi për të gjitha familjet e reja. “Para së gjithash, ne do të modifikojmë ligjin e arsimit dhe do të prezantojmë arsimin parashkollor të detyrueshëm, së bashku me një plan ambicioz për të rinovuar dhe ndërtuar kopshte në çdo komunë”, thuhet në këtë platformë politike. Gjithashtu, në këtë drejtim parashihet edhe iniciativa qeveritare 20,000 euro grant në kohë për secilin fermer të ri nën moshën 35 vjeç.

Kjo është sinteza e zotimeve të kandidatit shqiptar për kryeministër nga BDI. Këto zotime ndërlidhen me platformën qeverisëse, ndërkohë që kjo parti në kuadër të platformës së vetë zgjedhore ka përfshirë edhe shumë çështje tjera me interes për qytetarët.

Në dimensionin e angazhimeve kulturore, kryeshtyllë e programit politik është “institucionalizimi i kulturës shqiptare” që nënkupton themelimin e institucioneve kulturore. “Themelimi i Institucionit Nacional, Teatër Muzikor i Shqiptarëve në Republikën e Maqedonisë së Veriut, me qendër në Tetovë. Në kuadër të këtij institucioni do të funksionojnë sektorët si: Orkestra e Teatrit, Kori profesional, Sektori i solistëve, Sektori i baletit si dhe Sektori për fëmijë. Në këtë Teatër muzikor, do të krijohen mundësi të panumërta për artistët, kompozitorët, instrumentistët, dirigjentët, koreografët, kërcimtarët dhe një rëndësi e posaçme do të ju kushtohet fëmijëve”, thuhet në platformë.

Gjithashtu nëpërmjet këtij programi politik parashihet edhe “themelimi i muzeut historik kombëtar Iliro-Dardan, ku do të vendosen artefakte Iliro-Dardane – Shkup, themelimi i një teatri për fëmijë dhe për të rinjtë në qytetin e Tetovës. Themelimi i institucionit nacional teatri i Kumanovës: duke marrë parasysh funksionimin e suksesshëm të deri tanishëm, dikasteri i dramës shqipe pranë Qendrës për Kulturë në Kumanovë duhet të shndërrohet në drejtori në vete – e shkëputur nga Qendra Kulturore në Kumanovë”.

Gjithashtu në këtë program parashihet edhe “themelimi i dikastereve të dramës dhe arteve vizuele brenda qendrave për kulturë në Kërçovë, Dibër dhe Strugë si dhe themelimin e institucioneve nacionale, galeri të arteve në qytetet e Kërçovës, Gostivarit dhe Strugës.

Të fundit