E mërkurë, 5 Tetor, 2022

Nënshtrimi ndaj humbjes

Nga Ben Andoni

Ballkanasit janë të shquar në rrëfimet e përballjes me humbjen. Sllavët i këndojnë si ngjarje të mëdha dhe ngrenë mite deri në apoteozë për fatin e hidhur që kanë si destin prej shekujsh; ne, shqiptarët, duhet të mbajmë nga vendet e para për mënyrat që sajojmë për të mos e pranuar, me shpikjen e narrativave të cilat nuk justifikojnë asgjë; turqit e heshtin fare humbjen dhe e justifikojnë sepse arritën të bëjnë shndërrimin e vështirë të perandorisë shumë shekullore në një Republikë, himni i të cilës kremtohet me muzikën e Moxartit (!); grekët e shikojnë me fodullëk dhe i drejtohen historisë duke u strehuar në lashtësi tek trimat e dikurshëm gjysma zota. Vetëm rumunët kanë një qasje shumë më interesante me humbjen ose më saktë me dështimin. Për këtë i referohemi një artikulli të Costica Bradatan, kushtuar Emil Cioran, bashkatdhetarit të vet, që humbjes i dedikoi shumë studime gjatë jetës. Ky i fundit është një filozofët socialë më të njohur të shekullit të shkuar por edhe nga njerëzit që u ndoq me shumë kujdes asokohe për mesazhet e dhimbshme ekzistenciale. Qasja origjinale e tij për humbjen lidhet fillimisht me leksikun, pasi ashtu si eskimezët kanë të saktësuara shumë kategori-fjalë për gjendje të ndryshme të borës, rumunët kanë prodhuar shumë fjalë për humbjen, citojmë Bradatan.

Po ne realisht? Kemi shumë leksik dhe metafora për dembelinë e shumë më tepër për rehatinë, sepse të tillë e mendojmë jetën dhe kur përballemi, por jo aq për ringritjen dhe përpjekjen. Ëndrra është të qëndrojmë pa bërë asgjë dhe të shullëhemi paq. Kjo është gjendja jonë natyrale e përfytyruar dhe e adhuruar. Ndërkohë që dështimin apo humbjen e mirëpresim por me klithma dhe pasoja pa arsyetuar në mënyrë racionale. Dikur, mjaftonte dhe vdekja më e zakonshme në shtëpi, që zija të ishte prezentë për të gjithë pjesën e mbetur të jetës. E kur kujton jetën e shqiptarëve mbushur me vështirësi e kupton qasjen e humbjes dhe mungesën e përpjekjes për ta kaluar si duhet atë. Në kohët tona qasja nuk ndryshon. Humbja na shpërfytyron dhe për këtë fajtore është vetëm bota. Akt-akuza e Thaçit, e cila nuk është marrë ende në shqyrtim nga Drejtësia, mjaftoi për ta zhvendosur dhe për të bërë fajtor botën, paçka se pak ditë më parë ai mbante të gjithë anatemat shqiptare mbi kurrizin e vet. E habitshme është se ne nuk gjykojmë sfidat, për të dalë nga dështimi, po i jepemi duke e mallkuar atë. Po mësohemi me hidhësinë dhe paefikasitetin e Reformës në Drejtësi që nuk po ngre dot institucionet prej vitesh; jemi ambientuar me ndyrësinë e rrokadave pas kuintave të politikës, si kjo që po ndodh me PS dhe LSI; nuk na bën më përshtypje kur opozita premton se do të bëjë një gjë të madhe dhe në fakt nuk bën asgjë të re me konceptimin e saj për listat; nuk shqetësohemi për ekonominë që mban një barrë të madhe veç të tjerave nga drejtimi shumë i keq dhe nga tërmeti e pandemia mbarimi i të cilës nuk duket më, shtuar edhe me mungesën e një parashikimi realisht apo parametrave që vendi po mbetet gjithnjë pas.

Shoqërisë sonë tashmë të kërrusur nga pandemia dhe kriza e afërt ekonomike, ka një nevojë urgjente për një lloj pikë-vështrimi ndryshe ndaj këtij realiteti. A mund ta kryejë disi hapësira publike?! Ajo është e politizuar në një farë forme saqë sot publiku nuk e gjen dot arsyen edhe nga mendjet që konsiderohen kinse si më të kthjellëta. Ndaj strehimi në humbje është normal në shoqërinë tonë. Kur dëgjon sesi njerëzit e përfolur vetëm pasurohen dhe nuk dënohen; kur shikon forcën e pamatë të politikanëve; kur kupton sesi mbyllen njëra pas tjerash çështje gjyqësore; kur shikon sesi tjetërsohen pronat dhe jo vetëm, atëherë duket se duhet të përballemi normal me humbjen.

Ndaj, ndodh që jo rrallë edhe mëndje më të ndritura tashmë e pohojnë se nuk besohet më në mënyrë kritike ndaj intelektit dhe ndjenjave tona për atë që na rrethon. Koha po tregon se jo rrallë dhe ato gabojnë. Dhe, për këtë nuk na ndih dot një pjesë e madhe e artit dhe letërsisë botërore për destinin e fajit të individit që në fakt nuk është asfare fajtor. Por ka dhe këtu një problem, pasi prej socializmit shqiptarët kanë vetëdijen se u ishte ngarkuar “misioni historik”, për të ndryshuar dhe ndikuar, paçka se demokracia e Shqipërisë dhe Kosovës kurrë nuk do të mund ta ofronte këtë në vitet demokratike. Të paktën politikanët dhe njerëzit që kemi dashur të besojmë na kanë  ngjallur perceptime irracionale. Kujtoni politikanët sesa afër na e kanë paraqitur integrimin e vendit dhe sa herë na e kanë sjellë me kinse pjatën e argjendtë.

Dështimi përshkon gjithçka në kohën tonë. Idetë e shkëlqyera mund të njollosen rëndom nga dështimi dhe, kështu mund të ndodhi edhe po ndodh me librat, filozofitë, institucionet dhe sistemet politike që na rrethojnë. Vetë, gjendja njerëzore në vetvete është për Cioran një projekt tjetër i dështuar: “Nuk ka më dëshirë të jesh njeri”, do shkruajë ai hidhur tek “De l’inconvénient dojëtre né”-1973, “Universi është një dështim i madh dhe kështu edhe vetë jeta. E para se të jetë një gabim themelor, jeta është një dështim i asaj që as vdekja dhe as poezia nuk arrijnë ta korrigjojnë dot… Dështimi sundon botën si Zoti i çuditshëm i Testamentit të Vjetër”, e përshkoi ai zhgënjimin e vet.

Dhe, pse filozofia e dështimit dhe humbjes është kaq e madhe? E kupton nga koha sesi njeriu po dobësohet dhe kthehet nën një skllavëri moderne. Si përgjohesh kudo dhe sesi je gjithnjë e më i pafuqishëm. Ti e kupton nga arroganca e pafre e kryeministrit të vendit, ashtu si e kupton nga tallja e madhe që kryetari i opozitës Basha bëri me listat dhe pretendimin se do bënte diçka ndryshe por që në fakt ishte krejt e njëjta. E më globalisht: Si politika botërore po mban peng vendet e vogla dhe varfëria shtohet. Tek e fundit për disa kombe ashtu si ne udhët dihen, jemi të destinuar të pajtohemi me humbjet, pasi ne nuk jetojmë dot pa to. “Pavarësisht nga cila rrugë shkojmë, ajo nuk do jetë kurrë më e mirë se të tjerat. Është njësoj, qoftë nëse arrin diçka apo jo, ke besim apo jo, ashtu si mbetet e njëjtë qoftë nëse do qash apo do heshtësh”, e sjellim edhe njëherë filozofin e dëshpërimit  Cioran. (Homo Albanicus)

Të fundit