E shtunë, 1 Tetor, 2022

KOHA ËSHTË PËR KONSTRUKTIVITET

Autor: Xhelal Neziri 

Shumë herë gazetarët e shohin vetëm pjesën e gotës bosh, e nuk thonë asgjë për pjesën e mbushur. Kjo i irriton politikanët që nuk janë të përgatitur t’u nënshtrohen kritikave. Që i bie se nuk e dinë as germën “D” nga demokracia. Por, gazetarët atë punë e kanë – të tregojnë se ku janë defektet e shoqërisë, ku gabojnë institucionet apo partitë.

Por, duket se këto kritika ndonjëherë të stërzmadhuara, të pabaza apo të motivuara nga interesat e oponentit partiak krijojnë një gërdi për procesin politik dhe për liderët e partive politike. Humbja e besimit në politikë në fakt është humbje e besimit në demokraci. Njollosja, damkosja, etiketimi dhe nihilizmi ndaj çdo projekti politik krijon neveri te votuesi. Jo rastësisht jehona zgjedhore te shqiptarët etnikë në Maqedoninë e Veriut është nën 40% në të gjitha ciklet zgjedhore të dhjetëvjeçarit të fundit. Anketat tregojnë se edhe në zgjedhjet e 15 korrikut do të dalin diku 37% e votuesve shqiptarë, apo diku 230 mijë. Sa për krahasim, diku 50% e të anketuarve maqedonas kanë thënë se do ta shfrytëzojnë të drejtën demokratike për të zgjedhur deputetë e ardhshëm.

Humbja e besimit në demokraci gjithësesi se është rezultat i politikave kuturu të partive dhe drejtuesve të tyre. Në këtë pa dyshim se kanë kontribuar edhe mediat dhe gazetarët me qasje gjithnjë armiqësore ndaj qendrave të caktuara të fuqisë politike.

Tash është koha të ndryshohet qasja e të gjithë aktorëve në skenën politike. Kur them politike nuk i nënkuptoj vetëm partitë, por të gjithë aktorët e sferës publike që në njërën apo tjetrën formë marrin pjesë në krijimin e politikave.

Parlamenti, emisionet debative, mediat dhe sfera publike në përgjithësi duhet të synojnë t’i japin përgjigje pyetjes “TASH ÇKA?”, e jo të personalizohet përplasja që buron nga frustrimet që nuk kanë të bëjnë aspak me interesin e përgjithshëm.
Konstatimi i problemit nuk është vetvetiu zgjidhje, por është vetëm pikënisje e debatit dhe përpjekjeve për të gjetur zgjidhje.

Mediat e shoqëria civile duhet të hulumtojë dhe zbulojë defektet e sistemit dhe shoqërisë, por njëkohësisht duhet të vazhdojnë të kërkojnë zgjidhje për ato defekte duke bashkëpunuar me universitetet, ekspertët, institutet shkencore dhe faktorët tjerë. Nëse për gjetjen e atyre zgjidhjeve do të ishte e interesuar edhe komuna, ministria apo ndonjë institucion tjetër i pushteteve, atëherë bashkëpunimi do të ishte i mirëseardhur. Nuk ka nevojë që media dhe shoqëria civile të jenë në armiqësi me institucionet përderisa ato janë të interesuara për të bashkëpunuar në gjetjen e zgjidhjeve për problemet e caktuara të shoqërisë.

Tani, kur veçmë ka filluar fushata parazgjedhore, programet e partive janë projektet që u ofrohen qytetarëve për miratim. Në një kohë kur Interneti dhe programet e shumta televizive na ofrojnë gjëra më i interesante për ta shpenzuar kohën, megjithatë ia vlen të njohim vizionin e secilës parti veç e veç. Nuk duhet paraprakisht të përqeshen idetë, projektet e propozuara. Duhet lexuar e pse jo edhe besuar, që më pas t’u kërkojmë llogari nëse nuk realizohen.

Personalisht kam nis t’i lexoj me vëmendje këto programe dhe t’i ruaj në një vend të sigurt që të ndjek implementimin e tyre nga partitë që do të marrin pushtetin. Mirë janë, pjesa më e madhe të realizueshme, por kam tre paqartësi:
1. Afatet – kur do të realizohen? Nuk ka datë të saktë!
2. Mjetet – me cilat mjete financiare do të zbatohet projekti? Nga buxheti shtetëror, IPA, BB, FMN apo BERZH?
3. Kuadri – kush do të jetë bartës i projektit? Cili ekspert, emër konkret…

Këto programe duhet të dominojnë debatet televizive dhe diskursin parazgjedhor në përgjithësi. Sfera publike është dinamike dhe shumëdimensionale. Përcaktimi i agjendës publike dhe krijimi i opinionit publik përcaktojnë edhe rezultatin zgjedhor. Në krijimin e opinionit publik roli i gazetarëve duhet të jetë i bartësit të paanshëm të informacionit, e jo i krijuesit apo bashkë-formuesit të opinionit publik. Por partitë nuk njohin pizicion të paanshëm apo pavarur – po mos jesh me ato je kundër tyre.

Partitë kështu shndërrohen në burime të lajmeve të rrejshme për të frikësuar gazetarët. Si rezultat i këtyre sulmeve, shpesh mediat dhe gazetarët paragjykohen nga publiku. Walter Lippman thotë: “Neve na është thënë për botën para se ta shohim. Ne e imagjinojmë shumicën e gjërave para se t’i provojmë ato. Dhe ato paragjykime, përveç nëse arsimi nuk na ka bërë me dijeni të mprehtë, qeverisin thellësisht tërë procesin e perceptimit.”

Politikani do një gazetar të dëgjueshëm, që frikësohet lehtë dhe të manipulueshëm, kurse gazetari kërkon një politikan destruktiv. Partitë që sulmojnë dhe etiketojnë media e gazetarë gjatë fushatës (drejtpërdrejtë apo tërthorazi), vetëm se ndërtojnë bazë për ta arsyetuar humbjen në zgjedhje! Që të mos keqkuptohemi – me media nënkuptoj prodhuesit dhe shpërndarësit e informacionit që kanë një impresum dhe adresë, a jo web-faqe shtabesh partiake.

Edhe ish-presidenti amerikan Riçard Nixon i urrente dhe etiketonte gazetarët si shërbëtorë të qendrave oponente të fuqisë politike apo ekonomike. Në vitin 1972, para se të mbarojë mandatin, gazetarët i plasën Aferën Watergate. Dy vite më vonë Nixon u detyrua të dorëhiqet. Pasardhësi i tij, Gerald Ford e fali që në ditët e para të mandatit.

Raporti media-politikë në Maqedoninë e Veriut dhe jo vetëm shihet thjeshtë nga prizmi i përfitimit konkret të palëve. Është koha për një qasje tjetër, më konstruktive në këtë raport ku përfitim do të kenë të gjithë qytetarët. Lëvdatat dhe kritikat në raportin gazetar-politikan nuk duhet të kalojnë në dashuri dhe urrejtje. Ulja e debatit në nivel personal është devalvim i politikës, apo i gazetarisë, varësisht kush e bën këtë ulje.

Të fundit